Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me delegacionin prej 7 deputetësh të Parlamentit Europian, të cilët mbërritën sot në vendin tonë për të inspektuar nga afër ecurinë e kushteve që vendi ynë duhet të plotësojë për të marrë dritën jeshile të çeljes së negociatave me BE-në.
Takimi është mbajtur në Kryeministri, ku kanë qenë të pranishëm disa ministra të qeverisë, ambasadori i BE-së në Shqipëri, Luigi Soreca si dhe eurodeputeti Knut Fleckenstein.
Delegacioni i BE-së në Tiranë bën me dije se pjesë e diskutimeve ka qenë edhe situata politike në vend. Zyrtarët e BE kërkojnë gjetjen e një zgjidhje përmes dialogut, çka e theksuan edhe në takimin pasditen e sotme me krerët e opozitës.
“Diskutime të rëndësishme midis Parlamentit Evropian dhe Kryeministrit Edi Rama mbi situatën aktuale politike dhe nevojën për të vazhduar përpjekjet për reformat në pikëpamje të vendimit të Këshillit në qershor”, njofton delegacioni i BE-së.
