Bëhuni gati! Vjen “policia fluturuese”, gjoba elektronike me postë dhe ‘patrulla’ me dron

0
419

Pas heqjes së patrullave rrugore nëpër kryqëzimet e vendit policia rrugore vendos të heqë edhe përdorimin e bllokut të gjobave. Me mbështetjen e AKSHIT dhe ICITAP është prezantuar aplikacioni i ri për policinë rrugore dhe projekti i tabletëve që do të përdoren nga agjentët në terren.

Lleshaj tha se modernizimi do të nisë pikërisht nga strukturat e policisë, në radhët e të cilëve do të vihet në praktikë përdorimi i tabletave të cilat do të regjistrojnë elektronikisht gjobat dhe do të verifikojnë automjetet dhe drejtuesit e tyre në kohë reale.

“Sot futen në përdorim të Policisë një numër i konsiderueshëm tabletash, të cilat do të shërbejnë për të regjistruar elektronikisht  masat administrative apo për të kryer verifikimin e automjeteve në kohë reale”

Një tjetër procedurë që do të ndryshojë me sistemin e ri është njoftimi i subjekteve të gjobitura. Ata do të njoftohen në rrugë postare me masat për shkeljet e kodit rrugor.

“Gjatë vitit 2019 do të gjejnë zbatim përfundimtar detyrat për të dërguar në rrugë postare të gjitha masat administrative në adresë të shkelësve të rregullave të qarkullimit rrugor duke vendosur kështu një praktikë europiane, e cila ngushton dukshëm edhe hapësirat për abuzim apo korrupsion. Për këtë qëllim do të shërbejnë edhe ndërhyrjet e rëndësishme që do të bëhen në mënyrën se si do të lëshohen lejet e qarkullimit, të cilat do të plotësohen me adresën e saktë të mbajtësit të tyre, duke u dhënë kështu këtyre lejeve një element shumë të rëndësishëm, por edhe të munguar prej vitesh”

Zhvillimi i policisë rrugore do të prekë edhe sistemin e targave dixhitale dhe leximin e tyre përmes sistemeve fikse ndërsa monitorimi i tyre do të bëhet me dron dhe sensorë të tjerë.

“Targat dixhitale, sistemet fikse dhe mobile të leximit të tyre, qendrat e monitorimit të akseve rrugore, sistemet e monitorimit me dron dhe sensorë të tjerë, përmirësimi i procedurave standarde operacionale, përmirësimet ligjore, trajnimi i stafeve të policisë dhe edukimi i publikut për një sjellje të përshtatshme në qarkullim do të jenë drejtime të tjera të rëndësishme për zhvillimin e Policisë Rrugore”,deklaroi Lleshaj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here