Nisin procedurat për ngritjen e Inspektoratit të Drejtësisë, mbyllet vetingu për kandidatët, gati të zbulohen aferat e gjyqtarëve

0
594

Inspektorati i Lartë i Drejtësisë është organi i ri i sistemit të drejtësisë që do të ngrihet së shpejti. Në Kushtetutën e re të miratuar në vitin 2016 është parashikuar se bashkë me Këshillin e Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Strukturën e Posaçme Antikorrupsion dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, do të funksionojë edhe ILD. Inspektorati i Lartë i Drejtësisë është organi që herë pas herë inspekton punën e gjyqtarëve dhe prokurorëve, vëzhgon problemet në dosjet dhe vendimet e tyre dhe merr masa ndëshkimore e disiplinore kur bien në kontakt me shkelje. Pak ditë më parë gazeta raportoi sesi sistemi i drejtësisë është në kolaps për shkak të mungesës së ILD sepse gjyqtarët e prokurorët janë të lirë në punën e tyre dhe nëse kryejnë shkelje, askush nuk i konstaton ato. Por mesa duket kjo situatë shumë shpejt do të marrë fund. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka mbyllur procesin e rivlerësimit për kandidaten për ILD, Marsida Xhaferllari. Ajo do të dalë para trupës gjykuese në datën 4 mars, ndërsa pritet të japë llogari për kriterin e pasurisë, integritetin e figurës dhe aftësitë profesionale. “Subjekti: Znj. Marsida Xhaferllari, inspektore e Lartë e Drejtësisë. Vendi: Pallati i Koncerteve (ish-Pallati i Kongreseve), Salla B, Kati 0. Trupa Gjykuese: Firdes Shuli, Roland Ilia, Xhensila Pine. Ora 11:00”, njoftoi KPK. Marsida Xhaferllari më parë ka qenë inspektore pranë Inspektoratit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ajo ishte pjesë e listës prioritare me 57 emra që duhet të futeshin në veting të parët, por ky proces u vonua. Vlen të veçohet fakti që Xhaferllari është edhe bashkëjetuesja e deputetit të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj.

Kandidatët për ILD

Për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë kandidojnë vetëm dy emra: Marsida Xhaferllari dhe Artur Malaj. Ky i fundit është gjyqtar i Gjykatës Administrative të Apelit dhe e ka kaluar me sukses procesin e vetingut. Megjithatë duhet theksuar fakti se vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për të rikonfirmuar në detyrë Malajn është ankimuar nga Komisioneri Publik, pas kërkesës së Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Me kalimin në veting edhe Marsida Xhaferllarin, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit po mbyll procesin e rivlerësimit për të gjithë kandidatët për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë. Pas vendimit të KPK për Xhaferllarin, është në dorën e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për të vendosur se çfarë do të ndodhë me ngritjen e ILD. KED është organi që bën renditjen e kandidatëve të Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, por problemi qëndron tek fakti se për këtë organ kanë kandiduar vetëm dy persona. Ky është numër i paktë dhe e pamundëson punën e KED për të përzgjedhur mes kandidatëve. Për t’i dhënë një zgjidhje kësaj situate komisioni i pavarur për monitorimin e ecurisë së reformës në drejtësi publikoi pak ditë më parë një raport, ku kërkonte nga KED që të rihapte garën për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë. Edhe komisioni monitorues i reformës në drejtësi ngrinte si shqetësim në raport numrin e ulët të kandidatëve për ILD dhe për të rregulluar situatën ai sheh si zgjidhje vetëm hapjen edhe një herë të garës me qëllim që të shprehin interes emra të tjerë. Por derisa kjo çështje të marrë zgjidhje, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë mbetet pa ngritur dhe puna e gjyqtarëve e prokurorëve pa u inspektuar. Edhe për këtë pikë komisioni monitorues i reformës në drejtësi dha një zgjidhje të përkohshme: inspektorët që deri dje punonin pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë, me shkrirjen e këtij organi mund të nisin punë përkohësisht pranë Këshillit të Lartë Gjyqësor. Por deri tani një akt i tillë nuk është ndërmarrë./Mimoza IBRA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here