Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini tregoi dje detaje sesi do të bëhet verifikimi i titujve shkencorë. Kjo ishte një nga kërkesat e studentëve gjatë protestës, ndërsa Shahini deklaroi në një prononcim mediatik se fillimisht për këtë proces do të ngrihet një strukturë e quajtur AKSHI. “Për verifikimin e titujve shkencorë hapi i parë do të jetë digjitalizimi i të gjithë doktoraturave, për t’u verifikuar më pas nga AKSHI për të bërë krahasimin e ngjashmërive të teksteve të shkruara, të një kërkuesi shkencor dhe teksteve që ekzistojnë. Ngjashmëritë do të shkojnë si një raport tek universitetet dhe komisionet e Etikës për të bërë vlerësimet”, sqaroi Shahini. Ajo tha se ky propozim i Ministrisë së Arsimit refuzohet nga disa pedagogë. “Disa pedagogë janë ankuar, disa drejtues universitetesh janë ankuar dhe kanë thënë që kjo nuk mund të bëhet e centralizuar nga Ministria e Arsimit. Në fakt, universitetet e kanë për detyrë dhe të gjitha raportet e akreditimit të universiteteve, ia lënë këtë detyrë universiteteve. Dhe nëse vetë universitetet arrijnë që të kenë një plan pune për të adresuar plagjiaturën brenda universiteteve të tyre, ne thjesht do të lehtësojmë këtë proces dhe do u mundësojmë gjithçka që kanë nevojë që ta kryejnë një proces sa më të mirë dhe në mënyrë sa më transparente. Por, ajo që nuk mund të bëhet është që të tërhiqemi nga kjo sepse ka qenë kërkesë specifike e studentëve”, u shpreh ministrja e Arsimit. Ajo e ndali theksin edhe tek biblioteka elektronike, ku dha lajmin se qeveria ka negociuar kontratën me një ofertues për këtë pjesë. Sa iu takon punësimeve të studentëve ekselentë, Shahini deklaroi se do të hapet një tjetër thirrje për aplikime brenda vitit 2019. “Propozimi ynë është që të gjitha vendet e lira që janë në administratë t’u vihen në dispozicion studentëve ekselentë. Janë 840 vende të lira pune të hapura. Kanë aplikuar diku 900 studentë. Ata do të punësohen së shpejti. Para se të përsëritet vitin tjetër, ne do të hapim edhe një thirrje tjetër për këtë vit për vende të lira të punës që hapen gjatë vitit sepse kemi gjithmonë lëvizje të njerëzve që dalin nga administrata publike dhe do të hapet edhe një thirrje gjatë 2019”, tha Besa Shahini.