Skënderbeu luan ndeshjen e sezonit kundër Tiranës, Mema do patjetër 3-pikëshin në Korçë

0
412

Trajneri Orges Shehi beson se Skënderbeu i tij mund ta fitojë duelin e radhës me Tiranën, një ndeshje që hap javën e 23-të të Kategorisë Superiore. Ai doli dje në konferencë shtypi, ku paraqiti gjendjen e skuadrës dhe shpalosi objektivin për ndeshjen me Tiranën, duke thënë se skuadra e tij do të futej në fushë me qëllim për të marrë fitoren. “Për ne është detyrim kundër kundërshtarit të ardhshëm. Është detyrim sepse fituam me Laçin, por gabuam sërish, ndaj duhet të japim 150%”, theksoi Shehi. Për trajnerin e skuadrës korçare kjo periudhë ka qenë e vështirë për të motivuar lojtarët dhe nesër do të duhet të bëjë pa një lider të ekipit dhe një nga pikat e forta të repartit difensiv. Kristi Vangjeli nuk do të jetë për lojë dhe Shehi e ka pranuar këtë. “Vangjeli është një lojtar që i ndihet mungesa, pasi është një lojtar stabël dhe na sjell pak pështjellim. Gjithsesi, shpresoj që mos të ndjehet aq shumë sa të na prishë punë mungesa e tij”, shtoi ndër të tjera trajneri Orges Shehi.

Humanizmi/ Skënderbeu i çon të ardhurat nga biletat për Dorianin

Me një postim në faqen zyrtare, klubi i Skënderbeut ka bërë me dije se të ardhurat nga shitja e biletave të ndeshjes së nesërme me Tiranën do të shkojnë për kurimin e lojtarit të U-17-ës, Dorian Tahirllari, i cili është diagnostikuar me tumor. Klubi u ka bërë thirrje tifozëve të jenë sa më të shumtë, pasi kanë një arsye më shumë për të ardhur në stadium këtë herë. “Të dashur tifozë dhe sportdashës bardhekuq, ju informojmë se të ardhurat nga ndeshja e radhës ndaj Tiranës, e cila do të zhvillohet nesër, ora 18:00 do të shkojnë për Dorianin. Dorian Tahirllari është 17 vjeç dhe pjesë e ekipit U-17. Doriani është diagnostikuar me tumor në rruazat kurrizore dhe në stomak. KF Skënderbeu ka vendosur që të gjitha të ardhurat e mbledhura nga biletat e ndeshjes ndaj Tiranës të shkojnë për kurimin e Dorianit. Nesër, një arsye më shumë për të qenë i pranishëm në mbështetje të ujqërve. #meDorianin #përDorianin”, përfundon mesazhi i klubit korçar drejtuar fansave.

Mema: Në Korçë për të marrë tri pikët

Trajneri i Tiranës, Ardian Mema, shpreson që të kapë maksimumin në duelin e së premtes ndaj Skënderbeut, ndeshje që do të luhet në stadiumin e Korçës në kuadër të javës së 23-të të Kategorisë Superiore. Mema thotë se nuk e ka mendjen tek derbi, por dueli i radhës, ku ambiciet e tij janë për trepikëshin. “Është një ndeshje shumë e vështirë. Të gjitha ekipet janë në vështirësi. Do bëjmë maksimumin për të marrë rezultat pozitiv në Korçë. Tiranës i bën mirë të mos humbasë. Shkojmë për të fituar, por si çdo ndeshje, të treja rezultatet janë brenda. Derbin nuk e mendojmë. E kemi thënë këtë edhe me lojtarët. Ndeshjet i marrim një nga një. Kjo do na bënte mirë për pikët. Tirana i ka shumë të nevojshme. Për derbin do mendojmë pas kësaj jave”, tha Mema në konferencën e zakonshme për shtyp një ditë para ndeshjes. Më tej tekniku foli për shanset që kanë të dyja skuadrat në duelin e sotëm, duke marrë për bazë edhe situatën që po kalon Skënderbeu. “Skënderbeun kam gjithë javën që e analizoj, kanë specifikat e tyre. E kemi përgatitur ndeshjen dhe ekipi ka treguar se është i karikuar. Statistikat nuk i di. Në 10 vitet e fundit ata kanë qenë ekipi më i fortë. Tani u ka humbur disi shkëlqimi, pasi shumë lojtarë kanë ikur. Por, unë jam trajneri i Tiranës dhe dua të fitoj”, shtoi Mema. Më pas trajneri i Tiranës iu kthye pikës që mori ekipi i tij ndaj Luftëtarit, por edhe raportin e përmirësuar me tifozët bardheblu. “Ekipi ishte i gëzuar, për mënyrën si erdhi ajo pikë. Pas ndeshjes u fola dy fjalë lojtarëve. Të jenë të përqendruar nga minuta e parë. Por, pa tone të larta. Në të majtë kam provuar edhe Dokën, por ka probleme me këmbën. Kemi disa alternativa, por nuk kemi vendosur akoma. Tifozët e Tiranës duhet të jenë kudo në stadiume. U bëj thirrje të kenë kujdes, pasi akte të tilla dëmtojnë klubin. Më erdhi keq pasi në ndeshjen e fundit nuk ua shpërblyen, ishin të shumtë. Por, duhet të jenë pak më të përgjegjshëm”, përfundoi Mema.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here