Nga Superliga zvicerane vjen një lajm shumë i mirë për Panuçin, pasi Armando Sadiku rigjeti golin pas rreth 15 muajve. Sulmuesi nga Elbasani realizoi golin e parë në fitoren 3-0 të Luganos, në transfertën e Luzernës. Sadiku u aktivizua nga minuta e parë në sfidën që Lugano zhvilloi ndaj Luzernës, duke kaluar skuadrën e tij në epërsi në minutën e 32-të. 27-vjeçari ndër të tjera pati një performancë e cila nuk kaloi pa u vënë re nga mediat zvicerane. Më saktë, është prestigjiozja “Blick” e cila ka përfshirë Sadikun në formacionin e javës. Në komentin për sulmuesin gazeta e vlerësonte Sadikun për rrezikshmërinë e shfaqur në zonë. “Nuk i jepen shumë mundësi për të shënuar, por nëse shërbehet në zonë atëherë bëhet i rrezikshëm si në rastin e golit me kokë”, shkruan “Blick”. Rikthimi i Sadikut në formë është një lajm i mirë edhe në kampin e Kombëtares shqiptare në prag të fushatës eliminatore të Europianit 2020. Këtë javë në Zvicër në fushë si titullarë të padiskutueshëm ishin edhe Taulant Xhaka, Burim Kukeli, Ermir Lenjani dhe Arlind Ajeti. Kristian Panuçi “fërkon duart”, ndërkohë që stafi teknik i Kombëtares Shqiptare shpreson që lojtarët të vijnë në këtë gjendje në sfidat e 22 marsit ndaj Turqisë në “Loro Boriçi” dhe 3 ditë më pas në transfertën Andorrës. Diçka më shumë se një muaj nga dy përballjet kualifikuese për Europianin 2020, Kristian Panuçi merr lajme të mira nga legjionarët. Fundjava ka rezultuar shumë e mirë për pjesën më të madhe të kuqezinjve, të cilët janë aktivizuar rregullisht, madje disa prej tyre kanë arritur edhe të shënojnë. Nga Seria A në Bundesligë, për të vijuar me Spanjën, Turqinë dhe Kroacinë, sinjalet në drejtim të timonierit kuqezi janë të mira. Më në fund Amir Abrashi ka lënë pas makthin e dëmtimit, duke luajtur për 90 minuta në transfertën e “Gelsenkirshen” ndaj Shalkes, ku Freiburgu i tij mori një pikë të çmuar. Minutazh të plotë edhe për Elseid Hysajn, të cilin Karlo Ançeloti e aktivizoi në të majtë të mbrojtjes, në barazimin shtëpiak pa gola me Torinon. Gjithashtu edhe Federik Veseli ishte në fushë deri në fund për Empolin, që triumfoi pastër 3-0 ndaj Sasuolos në “Castellani”. I padiskutueshëm në portën e Lacios, Thomas Strakosha, që nuk mundi të evitojë humbjen ndaj Xhenoas në “Marasi”.
Në stolin bardhekaltër vijon të jetë Serxhio Kalaj, 19-vjeçari i cili konsiderohet si një nga mbrojtësit e së ardhmes jo vetëm tek Lacio, por edhe në kombëtare. Paraqitje pozitive për dyshen e Atalantës, Berisha–Gjimshiti. Portieri i pafat në dy golat e parë të kuqezinjve, ndërkohë që mbrojtësi rrezikoi me kokë që në fillimin e sfidës. Në Serinë B është aktivizuar me kohë të plotë Kastriot Dermaku, në fitoren e Kosenzës së tij ndaj Kremonezes, duke qenë i pakalueshëm në qendër të mbrojtjes. Vijon të jetë një pikë referimi tek Breshia, Emanuele Ndoj, që luajti deri në fund në transfertën e vështirë, ndaj Palermos, në sfidën që u mbyll në barazim 1-1. Mesfushori mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm në skuadrën që është pranë rikthimit në Serinë A. Në Superligën turke, Sokol Cikalleshi ka luajtur për 90 minuta, por pa mundur të gjejë rrugën e rrjetës në barazimin pa gola të Akhisar ndaj Ankarugucu. Në Segunda Division të Spanjës, Rei Manaj u aktivizua për 15 minuta në transfertën e Saragozës, ku Albacete mori një pikë të artë duke ruajtur kreun e klasifikimit. Ka munguar për arsye kartonësh Keidi Bare në transfertën që Malaga fitoi minimalisht ndaj Rajo Majadahonda, duke marrë vendin e dytë në klasifikim. Në Kroaci gjithçka ka shkuar mirë për kuqezinjtë, pasi Kristal Abazaj e ka nisur me gol aventurën e tij tek Osijek, madje duke turpëruar Anderlehtin, të cilit i kishte premtuar se do të pendohej që nuk i kishte dhënë besim dhe ky premtim e njëherësh debutim vjen me një gol me vlera tek Osijeku. I ardhur nga stoli në minutën e 56-të, Abazaj shënon një supergol 12 minuta më vonë, në fitoren minimale 1-0 ndaj Istras.
Adriatik BALLA