Sapo ka përfunduar takimi në selinë blu midis kryetarit të Partisë demokratike, Lulzim Basha dhe Kryetares së Lëvizjes Socilaiste për Integrim Monika Kryemadhit.
Kryemadhi shoqërohej në këtë takim nga kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili dhe mësohet se është diskutuar rreth vendimit të deputetëve të PD-së për të djegur mandatet si dhe për qëndrimin që do të mbajë LSI-ja si një nga partitë kryesore në koalicionin opozitar.
Gjithashtu është diskutuar edhe për hapat e mëtejshëm që do të ndjekë opozita duke qenë se ka paralajmëruar një tjetër protestë të madhe të enjten e ardhshme përballë Parlamentit.
Ndërkohë, për detaje të tjera rreth këtij takimi, Kryemadhi u shpreh për gazetarët se informacioni se çfarë është vendosur do ta bëjë publik më vonë, pas mbledhjes së grupit.
Takimi vjen shumë pak kohë pas marrjes së vendimit me vota unanime të deputetëve të PD-së për të djegur mandatet, një kërkesë kjo e bërë nga Basha.
Ndërkohë është paralajmëruar se në orën 17:00 të ditës së sotme do të bëhet edhe një mbledhje e grupit të LSI-së ku edhe do të vendoset për hapat e mëtejshëm që do të ndjekë kjo parti lidhur me propozimin e Bashës për djegien e mandateve.