Muzikologu Zamir Këlliçi shprehet se sot mungon stimuli dhe vlerësimi për krijuesit, por dhe vepra kombëtare janë pak në skena. Në intervistën për “SOT” muzikologu Këlliçi pohon se për shkak të problemeve atmosfera artistike në vend lë për të dëshiruar. Përgjegjësia për këtë situatë sipas tij është në fillim nga Ministria e Kulturës, që nuk ka menduar për institucionet e saj të artit. Në aktivitetin e tij muzikologu Zamir Këlliçi për më shumë se 30 vjet u kujdes për arkivin historik të Teatrit të Operës e Baletit dhe Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, por ai shprehet se sot kjo pasuri kombëtare duhet të jetë në vëmendjen e institucioneve shtetërore. Muzikologu dhe ish përgjegjësi i arkivit të TKOBAP tregon se nëse kjo pasuri kombëtare nuk dixhitalizohet rrezikon të humbasë. Në këto kushte ai i kërkon Ministrisë së Kulturës, që të ketë në vëmendje arkivin e TKOBAP. Muzikologu dhe ish përgjegjësi i arkivit Zamir Këlliçi ndër vite ka treguar një kujdes të madh për pasurinë kombëtare që përmban arkivi. Ai ka qenë një nga emrat që më shumë se kushdo tjetër arriti të sistemonte dhe të kishte në rregull të gjitha dosjet e artistëve të TKOB dhe Ansamblit të Këngëve dhe Valleve Popullore.
-Ju keni botuar disa libra ndër vite, gjatë kësaj kohe me çfarë po merreni?
Krahas librave monografikë për pianisten Lili Tafaj, sopranos e madhe Gjyzepina Kosturi dhe dirigjentes së korit Suzana Turku, unë kam botuar dhe “Ansambël gjysmëshekullor”, një tjetër titulluar “Operistika i karakterit enciklopedik, “Ç’më kujton ky zë” libër me karakter historik që i përket TOB, si dhe një tjetër që përmban gjithë krijimtarinë time gazetareske, që nga vitit ‘80 deri në ditën që kam dalë në pension. Libri i parafundit është ai me titull “Mbi baltosjen njerëzore”, i ndarë me disa kapituj të fuqishëm ku ka aspektet artistike dhe politike, dhe libri më i fundit që po shkruaj është me ndjesi, por besoj do ta mbaj gjatë duke shkruar. Ka filluar puna që në 2016 dhe quhet “Unë dhe e vërteta sipas meje”. Me ese dhe ndjesi, që unë e dashuroj shumë, u bënë goxha kohë që e mbaj në duar, por mbase botohet dhe pas vdekjes sime.
-Si e shikoni atmosferën artistike?
Atmosfera artistike është një zero me xhufkë. Teatri Kombëtar i mbyllur, Teatri i Operës dhe Baletit unë se di se ku shkon e futet në “Turbina” që nuk i ka lezet fare dhe do skenën e vet, por nuk është për faj të drejtorisë së institucionit. Por kam frikë se ai teatër nuk do quhet më TOB, sepse më 1998 kryeministri i sotshëm atëherë kryetar i bashkie kishte një mendim që ai institucion të mos mbetet më TOB. I famshmi ligji për artin që atëherë nuk u bë sepse pati greva, por se di sa do t’ia arrijë sot.
-Godina e TOB po rikonstruktohet. Sa rëndësi ka për ju?
Nëse rikonstruksioni i TOB në radhë të parë ka riparimin është mirë, sepse ka qenë një difekt absolut sa i takon akustikës së zërit. Kam dëgjuar që ajo po gjen riparim dhe është një pasuri e madhe që po i jepet asaj skene. Është mirë që po rregullohet, kam dëgjuar që po punohet dhe me specialistë dhe besoj ka meritë edhe drejtoresha Zana Çela.
-Nga viti 1980 deri më 2013 keni qenë në arkivin e TOB. Për ju ku janë problemet, çfarë është shqetësuese?
Në arkivin e TOB unë kam lënë një thesar, dhe nëse ai mirëmbahet unë kam besim te ajo që më ka zëvendësuar që është Luli Brahaj. Ajo është me shumë kulturë dhe korrekte, unë besoj te ajo. Sa është ajo aty unë jam shumë i qetë. Por jam i paqetë deri sa arkivi nuk po dixhitalizohet. Është një alarm për sa i përket muzikës. Ju e dini që opera është tempulli i muzikës. Kur thua opera ka brenda teatrin, orkestrën, baletin, korin, një masë e madhe teknike. Opera është një kombinat i madh. Jo për mburrje, por unë kam lënë një arkiv shumë të pasur dhe nëse nuk ruhet unë dhe po të jem në varr dhe aty do të jem i shqetësuar. Ka rënë këmbana e alarmimit që arkivi në TOB duhet të dixhitalizohet. Ishte duke u nisur në kohën time atje, por për arsye të ndryshme nuk u bë e mundur. Tani nuk është më koha të merremi me njerëz, por të nisë puna për dixhitalizimin e arkivit të TOB, por dhe të ansamblit. U bë një faj shumë i madh që arkivi nuk u dixhitalizua dhe i lutem drejtoreshës së TOB që të luftojë të nxjerrë një kuotë, që mund të jetë deri në 2 milionë lekë të reja jo më shumë për arkivin. Do të jetë meritë e madhe nëse bëhet dixhitalizimi. Arkivi sa i takon repertorit të TOB fillon me disa balete, por në fillim ishte Filarmoni dhe kulmon me operën “Rusalka”. Kjo ka qenë e para që TOB vuri në skenë në skenën e Teatrit Kombëtar sot. Ai Teatër Kombëtar nuk ka vlera vetëm si teatër, gjyqet që janë bërë etj, por tek ajo godinë ka dalë dhe TOB në 1948 që u formua dhe Filarmonia Shqiptare që ishte në hapat e TOB. Aty u formua orkestra simfonike, Ansambli i Këngëve dhe Valleve si dhe Cirku. Shembja e ndërtesës së Teatrit Kombëtar nuk duhet të ndodhë, është një nga godinat e rradha sot në Europë. Ajo ndërtesë është zanafilla e teatrit. Veprat e para skenike fillojnë që në 1948 në arkivin e TOB dhe vijojnë deri në ditët tona. Kur unë ika në 2013 repertori ka qenë mbi 200 vepra skenike ndër vite, opera, balete, opereta, rivënie, vodvile, etj. Mund të them se janë qindra mijëra koncertet që janë bërë dhe ruhen në dosjet e arkivit të TOB.
-Sa rrezik paraqet për ju arkivi?
Nëse arkivi i TKOBAP që aty është dhe arkivi i ansamblit “Na bashkoi kënga popullore” nuk dixhitalizohet do jetë një nga fatkeqësitë më të mëdha, që do ti ndodhë Teatrit të Operës dhe Baletit. Mos ta pësojë si arkivi i Teatrit Kombëtar, që artistët i kanë dosjet në shtëpi. Ministria e Kulturë të mendojë për arkivin. Është urgjente të nisë puna për dixhitalizimin, të hedhë paratë ministria, të mendohet për atë pasuri të teatrit dhe historisë sonë. I kërkoj Ministrisë së Kulturës që ta ketë në vëmendje arkivin, sepse nëse ai dixhitalizohet Shqipëria do të ketë se me çfarë të krenohet.
-Ju jeni shprehur që në TOB duhet të ketë më shumë vepra kombëtare. Sa është problem kjo sipas jush?
Për sa i përket muzikës operistike dhe asaj koreografike shqiptare ne çalojmë shumë. Në kohën e komunizmit ishte mbyllur dera e repertorit klasik botëror, por regjimet totalitare kanë shumë të meta dhe të këqija megjithatë e përkrahin krijimtarinë kombëtare. Por tani është në ekstremin tjetër që janë shqyer dyert me repertor klasik botëror, kurse në Teatrin Kombëtar dhe në Teatrin e Operës dhe Baletit është një mangësi e jashtëzakonshme për vepra shqiptare. Por në kushtet sot është e vështirë të shkruash vepra shqiptare, opera dhe balete. Ministria e Kulturës për mua është një qebaptore, që nuk ia ka idenë se çfarë është teatri i dramës dhe teatri i operës. Në atë teatër ka mangësira të jashtëzakonshme. Por në vitet që Kumbaro drejtoi Ministrinë e Kulturës ishte një mizerabilitet. Ajo është grua me kulturë në fushën e saj atë të përkthimit, por nuk ka qenë për atë punë. Ishte tamam si në kohën e diktaturës, që në Shkodër sekretari i parë e thërriti Tano Banushin dhe i thotë ky djalë duhet të jetë në punë. Por aktori i madh Tano Banushi e merr dhe mbledh gjithë kolektivin e ngjit në skenë djalin, dhe i thotë çfarë di të bësh bëje. Por ai nuk dinte asgjë, as kuplet, as parodi, as monolog, asgjë. Në fund i thotë të lutem shumë a ka mundësi të shkosh tek sekretari i parë dhe ti thuash, që unë po të kisha vajzë do ta bëja dhëndër, por ti thuash edhe që nuk jam për atë punë. Dhe ashtu ndodhi edhe pse e kritikuan pak. Por Tano Banushi tha, të shtunën dhe të dielën ka populli i Shkodrës një kënaqësi të madhe t’ia heqim dhe atë? Pra kështu janë dhe këta ministrat që vihen sot me tarafe. Mund të kesh me kulturë por duhet të jesh artdashës ta duash artin. TOB është bërë në vitin kur Shqipëria nuk ka pasur bukë, por ne e fituam atë teatër. Në kohën kur ishte drejtor Zhani Ciko ka pasur në skenë mbi 80 opera absolute që janë vënë për herë të parë, sepse sot po ka dhe abuzime. Vihet një opera me regjisor tjetër dhe skenografi tjetër dhe i quajnë premiera, por jo quhen rivënie që dhe kjo ka rëndësi sepse vjen e konceptuar ndryshe, por po ajo opera është. Në kohën para se të dilja unë në pension kujtoj që dhe kalin e futën në skenë te opera “Aida” në TOB. Por më vjen keq për situatën e artit dhe kulturës. Më vjen keq që nuk stimulohen sot krijuesit. Mos harroni se profesorët tanë nuk jetojnë më, kanë dalë studentët e tyre, por që duhet të stimulohen dhe mbajtur afër. Koncertet e majit dikur kishin edhe politizim, por i dhanë dhe një zhvillim artit. Aty u luajt opera “Borana” për herë të parë. Duhet të organizohen nga ministria dhe institucionet e tjera aktivitete, festivale që të stimulohen krijuesit. Por më vjen që ajo ministri çdo gjë mund të quhet, por vetëm e Kulturës jo. Si mund të bjerë dakord një ministre të shembë institucionin e vet? Në radhë të parë je ministre mbro institucionin, mbro pozicion tënd dhe artin.
-Në krijimtarinë tuaj ju keni botuar dhe librin “Ansambël gjysmëshekullor”. Si është sot për ju ansambli?
Për mua Ansambli Popullor është lënë në hije nga shteti. Nuk është më ai që ka qenë dikur. Edhe pse aty është një udhëheqës artistik shumë i mirë dhe i talentuar, por Ministria e Kulturës të japë fonde për ansamblin. Shqipëria në diktaturë ishte një vend me dyer të blinduara, ku çelësat ishin hedhur në det, kurse sot jetojmë në një vend me dyer të shqyera pa brava dhe çelësa. Mos fillojmë të themi që fajin e ka të gjithën politika, por e kemi dhe ne vetë si popull. Ne fatkeqësisht jetojmë në ekstreme, dhe nuk kemi një vijë të mesme.
-Çfarë prisni nga ministrja e re?
Ministrja e re është zgjedhur me kast, sepse është një nga firmëtaret që ka qenë dakord të shembet Teatri Kombëtar. Nëse do kishte thënë jo, rrezik se bënin ministre.
Aktiviteti ndër vite
Dëshira për muzikën lindi te Zamir Këlliçi gjatë kohës që ndiqte shfaqjet në Teatrin Kombëtar dhe Teatrin e Operës dhe Baletit. Aty mblidhte fletë volante, kalendarë me jetën e kompozitorëve të famshëm shqiptarë dhe botërorë. Megjithatë, në moshën e gjimnazit nuk shkoi në lice, por në gjimnazin “Petro Nini Luarasi”. Ndoqi edhe 2 vjet politeknikumin “8 nëntori”, ku zgjodhi degën e radios. Në vitin 1972 konkurroi në Institutin e Lartë të Arteve (Universiteti i Arteve sot) për teoritik (sot lënda quhet Muzikologji). Me nostalgji kujton kohën dhe njerëzit që e ndihmuan për t’u futur në rrugën e muzikës, zyshën e solfezhit Sonja Batalli (Sulo), profesorin Albert Paparisto, që i dha drejtim studimeve të tij për histori muzike si dhe profesorin Sokol Shupo. Para se të punësohej për afro 30 vjet në Teatrin e Operës dhe Baletit, Zamir Këlliçi ka punuar si metodist muzike në Pallatin e Kulturës, ku krijoi edhe rubrikën “Të njohim artistët tanë”. Zamir Këlliçi është autor i disa librave, monografi, analiza, publicistikë. Përmendim “Lili në mbretërinë e pianos” (2003) kushtuar pianistes Lili Tafaj, “Zonja me shpirt e operas shqiptare” (2007) kushtuar sopranos Gjyzepina Kosturi. Më pas ka shkruar librat “Ansambël gjysmëshekullor” (2007), “Operistika” (2008), “Zana dhe Pax-Dei i saj” (2008), “Zemra e madhe, botë e ngushtë” (publicistikë artistiko-muzikore, 2009), më 2010 shkroi “Ç’më kujton ky zë” për të vijuar me “Mbi baltosjen njerëzore”, si dhe po punon për një tjetër libër.
Intervistoi: Julia Vrapi