Dokumentet, ja si CIA kërkonte informacione mbi bazën ushtarake të Sazanit, amerikanët të shqetësuar nga rrjeti i nëndetëseve sovjetike

0
857

Ngritja e bazave të nëndetëseve nga Bashkimi Sovjetik në vendin tonë, shqetësoi jashtë mase Uashingtonin. Në një dokument të deklasifikuar nga CIA, tregohet se si amerikanët kërkonin informacione mbi bazat ushtarake, veçanërisht për ato ku kishe nëndetëse.

Kërkesat dhe detyrat operacionale

Kërkesat për degën

Marrja e informacionit për zonat e mëposhtme: Durrës- Informacion mbi trafikun e anijeve; Kukës- Informacion mbi mbrojtjen ndaj infiltrimeve jugosllave, mbi rojet kufitare dhe ushtrinë;) Tirana- Informacion mbi zyrtarët dhe funksionimin e partisë komuniste; informacion mbi misionin sovjetik; Vlorë- Informacion mbi instilacionet detare dhe aktivitetet, anijet tregtare, instilacionet e naftës, dhe bazën e mundshme të nëndetëseve në ishullin e Sazanit.

Bazat ushtarake

Shqipëria e ashpër malore po kthehet nga sovjetikët në një “Gjibraltar të kuq” në mes të Mesdheut. Që prej përjashtimit të Jugosllavisë nga bashkësia komuniste e Kominform, Shqipërisë po i kushtohet rëndësi e madhe nga BRSS. Ata po pajisin ushtrinë shqiptare me mjete moderne dhe kanë ngritur baza detare dhe raketore në Shqipëri. Inxhinierët dhe teknikët sovjetikë kanë punuar prej vitesh në vend dhe kanë modernizuar bazat. Ata kontrollojnë tashmë shtatë baza ajrore dhe pesë baza nëndetësesh. Baza ajrore e Rinasit pranë Tiranës, Devolli dhe Diranova pranë Beratit, Ergiri në Gjirokastër, Delvina e Aulona pranë Vlorës, dhe Ishmi, një fshat pranë Tiranës. Katër baza detare janë vendosur rreth Vlorës. Një prej tyre është në kepin Linguetta, në veriperëndim të gjirit të Vlorës, dy baza gjenden në Gjirin e Vlorës dhe një në ishullin e Sazanit. Nëndetëset sovjetike besohet se janë shpërndarë në këto baza. Shqipëria rimori ishullin e Sazanit pas Luftës së Dytë Botërore. Sovjetikët kuptuan rëndësinë e tij strategjike dhe nisën ndërtimin e stabilimenteve për vendosjen e nëndetëseve. Besohet se janë ndërtuar rreth dymbëdhjetë vendqëndrime nënujore për nëndetëset në ishullin e Sazanit, teksa pas krizës së kanalit të Suezit u vendos të ndërtohen edhe pesë të tjera. Katër depozita nëntokësore për karburante janë ndërtuar, teksa rreth 12 nëndetëse janë stacionuar aktualisht në ishull. Tre nëndetëset e fundit, erdhën këtu gjatë vizitës së flotës sovjetike. Ishulli i Sazanit është fortifikuar gjithashtu me artileri të rëndë të vendosur në shina. Civilët nuk lejohen aty dhe anijet nuk lejohet të kalojnë pranë ishullit, pasi zona kontrollohet ashpër nga sovjetikët. Nafta e prodhuar në Kuçovë vjen në Vlorë me anë të rrjetit të tubacioneve. Sovjetikët kanë nisur ndërtimin e një rafinerie nafte, në kuadër të ndërtimit të infrastrukturës së plotë mbështetëse për bazën detare të Sazanit. Flota detare ruse në Sazan ka si shënjestër Flotën e Gjashtë të SHBA dhe anijet e saj mbështetëse. Gjashtë nga nëndetëset ruse të dislokuara në Sazan janë vërejtur të ndjekin Flotën e Gjashtë dhe anijet e saj të furnizimit. Ato janë nëndetëse të kategorisë “Ë” me aftësi lundrimi deri në 5000 milje pa nevoja rifurnizimi, që do të thotë se mund të lundrojnë nga Egjeu në Mesdhe dhe brigjet afrikane me lehtësi. Sovjetikët janë gjithashtu të aftë të dërgojnë nëndetëset e tyre në Vlorë në formë të çmontuar, për t’i montuar më pas aty. Më shumë se 400 punonjës shqiptarë dhe ekspertë rusë punojnë në montimin e nëndetëseve sovjetike. Vitet e fundit është vërejtur se disa nga nëndetëset po ndërtohen nën masa fshehtësie në bazën e Vlorës. Raportime të tjera thonë se nëpër tunelet e bazës besohet se janë depozituar një numër i madh pjesësh nëndetësesh të gatshme për t’u montuar.

Detyra Operacionale

1. Sipas kuadrit të përcaktuar, urdhërohet që operacionet e CIA në Shqipëri të kryhen sipas instruktimeve të mëposhtme. Këto detyra operacionale do të reflektojnë kërkesat e vëna mbi CIA nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë dhe Departamenti i Mbrojtjes. Këto do të marrin në konsideratë kapacitetet e CIA, të interpretuara sipas disa parimeve bazë:

a. prioritetet shtetërore tregojnë sesi duhet të vihet theksi i veprimeve. Të mos neglizhohen detyrat e prioritetit të ulët gjatë kryerjes së detyrave me prioritet të lartë.

b. Gjatë mbledhjes së inteligjencës, duke përfshirë vëzhgimet dhe lëvizjet e tipit veprues, veprimet duhet të ndahen nga njëri-tjetri gjatë gjithë kohës, dhe burimet të përdoren sipas radhës së përcaktuar të prioriteteve në politikën kombëtare.

Prioriteti I

A. Zhvillimi i kontakteve të sigurta dhe i komunikimeve të shpejta në zonën e shënjestruar.

B. Zhvillimi i një mekanizmi mbështetës për kalimin e sigurt të agjentëve brenda dhe jashtë zonës së shënjestruar.

C. krijimi i një klime të përshtatshme psikologjike me anë të broshurave dhe mjeteve të tjera.

Prioriteti II

A. Mbledhja e të dhënave të brendshme politike.

B. Mbledhja e të dhënave mbi organizatën, metodat, personelin e shërbimeve shqiptare të inteligjencës dhe shërbimeve të sigurisë.

C. Ndërmarrja e hapave paraprake gjatë dy viteve të ardhshme për lejimin dhe plotësimin e kërkesave të ushtrisë mbi mbështetjen klandestine të SHBA dhe nisjen e planeve të luftës, të cilat duhet të fokusohen fillimisht në detyra të veçanta: Vazhdim i pengesave për naftësjellësin Perhond-Vlorë; Vendosja dhe trajnimi i një agjenti rezident në Vlorë e Tiranë për rekrutimin e mundshëm të agjentëve sabotatorë; Vendosja dhe trajnimi i një agjenti rezident secilën prej zonave me qëllim krijimin e njësive guerrile: Zona e lumit Erzen, 10 milje në Jug të Tiranës; Çamëria: 12 milje larg Sarandës; Alpet e Shqipërisë: 18 milje në veri të Shkodrës; Vendosja dhe trajnimi i një agjenti rezident për qëllime zbulimi të agjentëve, shtëpive të sigurta, zonave të sigurta, pikave të kalimit kufitar, infiltrimit dhe eksfiltrimit, si dhe pikave të uljeve të mundshme ajrore; Një mekanizëm të aftë të mbështesë një lëvizje në drejtim të Jugut në katër zonat guerrilase; Një pikë ndalimi detare pranë zonës së ishullit të Korfuzit; Këto objektiva janë zgjedhur mbi bazat e mëposhtme:

a. Secila prej tyre konsiderohet mjaftueshëm e rëndësishme për planet e luftës së SHBA, për të justifikuar shpenzimin e aseteve operacionale, sipas kushteve aktuale të operimit.

b. Në total ato konsiderohen si përbërës të programit operacional ushtarak brenda kapaciteteve të CIA. Stacioni ynë në terren duhet të autorizohet t’i rekomandojë selisë kryesore zëvendësimin e objektivave të listuar në këtë dokument, në rast se faktorë të tjerë e bëjnë të nevojshme.

Konferenca CIA-UDB mbi Shqipërinë

Ky është një raport mbi konferencën e mbajtur në Beograd më 16-17 shkurt 1953, mes tre përfaqësuesve të shërbimeve jugosllave të UDB dhe dy përfaqësuesve të CIA mbi temën e Shqipërisë. Përfaqësuesit e CIA gjetën një pritje me shumë respekt. Vetë konferenca ishte e sinqertë dhe u krye në një atmosferë miqësore. Përfaqësuesit e UDB-së, megjithëse merrnin pjesë nën pseudonime, flisnin me mjaft kompetencë dhe zotëronin njohuri të thella të çështjes shqiptare, duke e bërë bisedimin me mjaft vlera. Në axhendë përfshihej situata mbi Shqipërinë nga të dyja palët dhe faktorët e jashtëm më të rëndësishëm që influenconin në Shqipëri. Në të u bë një vlerësim i këmbimit të informacioneve dhe asistencës reciproke mes shërbimeve të inteligjencës.

Informacionet e UDB për Shqipërinë

UDB përshkruante pikat e dobëta të qeverisë shqiptare sipas rendit të mëposhtëm: izolimin e Shqipërisë nga Jugosllavia; humbja e pavarësisë së Shqipërisë ndaj Bashkimit Sovjetik; Shfrytëzimi ekonomik sovjetik; barra ekonomike që vinte nga mbajtja e një ushtrie të madhe; antagonizmi mes Veriut dhe Jugut të vendit; efekti dobësues i spastrimeve në parti; përplasjet Hoxha-Shehu dhe emigracioni shqiptar në Jugosllavi. Ndërsa sa i përket pikave të forta, UDB përmendte sa më poshtë: lidhja e fortë ideologjike që mbante bashkë anëtarët e Partisë Komuniste te revolucioni; fakti që Partia është përgjegjëse për çlirimin e Shqipërisë dhe reformat ekonomike e sociale reforma agrare sipas së cilës i është dhënë tokë rreth 70,000 familjeve; reagimi i gjerë popullor ndaj pjesës “Vdekje Komunizmit” në sloganin e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë; demoralizimi i njerëzve nga masat drastike represive, mungesa e një lëvizjeje të njohur rezistence brenda vendit; mungesa e një lëvizjeje rezistence brenda partisë; fakti se çdo lëvizje rezistence tashmë nis nga jashtë dhe lidhet me shërbimet e huaja të inteligjencës dhe kjo lejon që të quhet si agresion i huaj apo si kërcënim i pavarësisë dhe integritetit territorial të vendit; lidhja e fortë mes ushtrisë dhe Partisë Komuniste të Shqipërisë; besnikëria e fshatarësisë shqiptare që përbëjnë një mjet të vlefshëm shtesë ndihme dhe sigurie për vendin.

Konkluzionet kryesore të UDB

Jugosllavia është në favor të përmbysjes së regjimit të Hoxhës, por vetëm kur situata ndërkombëtare të jetë e drejtë dhe kushtet e brendshme të favorshme, gjë që sot nuk është as njëra e as tjetra. Jugosllavët nuk besojnë në mundësinë për kryerjen e një revolucioni të tillë të sponsorizuar nga jashtë, në kohë paqeje. Ata tremben se tentativa të tilla mund të nxisin kundër-veprim, në një formë apo një tjetër, kundër Jugosllavisë. Edhe sikur sovjetikët të mos e përdornin këtë mundësi për veprime armiqësore ndaj Jugosllavisë, ata besojnë se kjo mund të shtrëngonte sigurinë në vende të tjera, si Bullgaria, e cila është gjithashtu me interes për të dyja palët. Mungesa e durimit për përmbysjen e regjimit të Hoxhës mund të rezultonte katastrofike. Metoda më e mirë për të punuar për përmbysjen e regjimit aktual është forcimi i elementëve brenda Shqipërisë, për krijimin e një force të organizuar, bashkë me faktorët e jashtëm të orientuar në të njëjtin drejtim. Meqenëse përmbysja e regjimit mund të konsiderohej menjëherë si një agresion nga jashtë, i gjithë operacioni mund të dukej në OKB si i kryer nga brenda.

Rekrutimi i zyrtarëve të PPSH

Për organizimin e opozicionit në Shqipëri, duhet të kujtojmë se çdo sulm frontal ndaj Partisë Komunistë të Shqipërisë, konsiderohet nga popullata si sulm ndaj arritjeve të tyre pozitive dhe ndaj pavarësisë së vendit, apo dhe si një tentativë për të rikthyer kushtet para Luftës së Dytë Botërore. Partia përbën një faktor deçiziv në çdo analizë të problemit shqiptar. Nëse flasim për Partinë, duhet bërë dallimi mes klikës së Hoxhës dhe masave të partisë. Njerëzit në pozicionet kyçe janë njerëz të partisë, kështu që do të jetë e nevojshme të punojmë për t’i shfrytëzuar. Ka mjaft oportunistë në Partinë Komuniste Shqiptare, por më të mirë për t’u shfrytëzuar janë ata që kanë humbur postet e tyre, të cilët përfaqësojnë një dobësi të regjimit dhe duhen shfrytëzuar. Në përpjekjet për goditjen e qeverisë është e rëndësishme të punohet me të gjitha forcat, si të brendshme dhe të jashtme. Grupet e shqiptarëve në emigracion duhet të punojnë drejt bashkimit të tyre. Çdo lidhje mes grupeve të emigracionit dhe shërbimeve të inteligjencës është e dëmshme. Komiteti i Prizrenit nuk është i aftë aktualisht për çlirimin e Shqipërisë, dhe as për t’i dhënë zhvillimin e duhur vendit nëse ndodhte kështu. Por ai duhet të shërbejë si një front i gjerë popullor në përpjekjen e çlirimit nga Rusia, dhe kundër grupeve të tjera të huaja që mund të përpiqen të ndërhyjnë në çështjet e Shqipërisë. Regjimi aktual është më i forti që Shqipëria ka njohur ndonjëherë, por gjithsesi, nëse vijnë kushtet e duhura, njerëzit do të gjejnë vetë zgjidhjen e tyre, me asistencën nga jashtë. Në asnjë rast Shqipëria nuk duhet të copëtohet.

Infiltrimi

Grupi Fig kaloi kufirin në pikën N2513 natën e 7-8 shtatorit. Grupi nisi lëvizjen më 9 shtator, teksa të fshehur në një fushë misri u pikasën nga një dy burra të cilët u dorëzuan pa të shtëna armësh. Dy personat ishin Nise Koço Polena pronar i arës dhe Vasil Koço polena, roja i fshatit, grupi zhveshi Nisen dhe rrobat e tij i veshi agjenti Airborne, i cili shoqëroi Vasilin në detyrat e zakonshme të fushës. Pjesa tjetër e grupit pushoi. Rezultoi se dy personat ishin shumë bashkëpunues. Ata informuan grupin se javën e parë të gushtit ishte zhvilluar një betejë me armë mes forcave komuniste dhe reaksionarëve, por nuk dini mbi përfundimin e betejës apo të pjesmarrësve. Më 11 shtator grupi lëvizi drejt Malit të Gorrës, ku kaloi, por nuk vuri re asgjë të veçantë. Ata qëndruan aty deri në ku u shlodhën dhe bënë planet për kontaktimin e miqve të tyre. Më 14 shtator agjentët e koduar Airëise dhe Airbred u ndanë nga grupi dhe shkuan në takimin me Rapush Agollin, i cili u dha ushqim dhe informacion të raportuar në radio në mesazhin e 3-të. Më 15 shtator dy agjentët u ribashkuan me grupin. Një ditë më vonë grupi kontaktoi me Elmas Ramanin, i cili i dha grupit ushqim dhe informacionin e raportit mbi “burgjet”. Më 18 shtator grupi la agjentin Airbrake në shtëpinë e Bektash Demir Zhbogi, pasi ishte sëmurë dhe nuk mund të qëndronte me grupin. Më 21 shtator grupi kontaktoi me Elmas Sokalarin dhe i kërkoi që të shkonte në Korçë për të mbledhur informacion e të merrte leje për shkuar në Tiranë. Ai e bëri këtë dhe autoritetet i thanë se për të qëndruar një kohë të shkurtër nuk kishte nevojë për leje, or vetëm nëse do të vendosej aty për të punuar. Më 22 shtator Fig kontaktoi me Dilaver Ali Zvarishti, i cili furnizoi grupin me ushqim dhe informacion. Zvarishti informoi se popullata në përgjithësi ishte shumë e demoralizuar. Burimi tha se nga maji deri në gusht të gjithë ishin bërë gati për veprim, për arsye se nuk ndodhi asgjë, njerëzit janë bërë hezitues. Për periudhën nga 22 shtatori deti në 11 tetor grupi ka shkatërruar shënimet prandaj nuk do të mbulohet me aktivitete e çdo dite. Grupi veproi në përgjithësi në zonën e Tresovës dhe rinovuan disa kontakte të vjetra nga operacioni i vitit 1952.

Gracka

Ngjarja e grackës dhe tradhtimit të grupit nga Adem Zeneli nisi më 28 shtator, ditën kur gruaja e agjentit Airborne tha se Zeneli i kishte kërkuar të takohej me drejtuesin e grupit. Agjenti pranoi të takohej me Zenelin dhe e gjeti atë në pikën e paracaktuar. Pasi shkëmbyen përshëndetjet, Zeneli e pyeti nëse gruaja e agjentit Airslack do të shoqëronte grupin drejt Greqisë, por ai i tha se nuk mund të mbante përgjegjësinë nëse asaj i ndodhte gjë. Airuise tha se mund të merrte me vete Zenelin nëse vinte leja përkatëse nga qendra (grupi ishte instruktuar të qartësonte të gjithë emrat me bazën në rast të përfshirjes së personave të tjerë). Pastaj Zeneli pyeti nëse kishin në plan të riktheheshin përsëri këtë sezon, ndërsa Airëise u përgjigj se çështje të tilla vendoseshin nga qendra prandaj nuk mund t’i përgjigjej pyetjes. Zeneli ofroi të mblidhte informacion për grupin ose të ngarkohej për detyra të tjera. Para se të largohej ai tha kishte qenë në kontakt me njëfarë Mihal Furgeu nga Korça, ish-prokuror në qeverinë e Zogut dhe gjatë pushtimit italian. Peneli kërkoi që grupi i agjentëve të ndihmonin Furgeu të arratisej nga Shqipëria. Agjenti Airuise tha se duhet të konsultohej me qendrën dhe se do t’i përgjigjej më vonë, ndërsa i tha Zenelit të rikthehej me ushqim në Moçan në Gore në 11 tetor. Siç është përmendur më parë grupi Fis ka kryer disa kontakte në zonën e Tresovës nga 28 shtatori deri në 11 tetor, përiudhë gjatë së cilës grupi u paralajmërua nga Rapush Agolli për të evituar kontaktet me Zenelin, pasi besonte se kishte lidhje komuniste. Airuise ndryshoi planin e takimit me Zenelin në 11 tetor ddhe dërgoi në takim vetëm Airbred, por Zeneli nuk u paraqit. Më 13 tetor grupi u informua nga gruaja e Airborne se Zeneli kishte kontaktuar dhe dëshironte të takohej atë ditë. Airëise i dërgoi fjalë Zenelit të vinte vetëm pas muzgut në një pikë të caktuar në malin e Tresovës. Gjatë pritjes grupi FIG mori të gjitha masat të mos binte në grackë. Peneli u paraqit sipas planit dhe Airbred e shoqëroi atë drejt vendit ku fshihej grupi. Peneli shpjegoi se nuk kishte arritur të vinte në takimin e mëparshëm pasi kishte pasur vizitorë të papritur në shtëpi. Ai i dha grupit disa informacione dhe tha se do të rikthehej në 15 tetor. Peneli informoi se kishte parë rreth 15 ushtarë që lëviznin në zonë, por tha se nuk duhet të shqetësoheshin pasi e shihte që grupi kishte një pozicion të mirë. Grupi i dha Zenelit 4 monedha ari dhe i kërkoi të kthehej me ushqim dhe lekë shqiptare. Peneli kërkoi më shumë para në mënyrë që të blinte gjithçka grupi po kërkonte, për të cilat duhet të shkonte në Korçë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here