Shtetet e Bashkuara të Amerikës pritet të fusin në listën e zezë edhe të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët që kanë ngelur në veting. Deri tani Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra me dhjetëra gjyqtarë e prokurorë, kryesisht për probleme me pasurinë, por nuk kanë munguar as lidhjet me krimin e organizuar. Por SHBA e ka bërë shumë të qartë disa herë se nuk do të lejojë në tokën e saj asnjë njeri të korruptuar e të ndikuar nga krimi. Në këtë mënyrë pritshmëritë janë që gjyqtarët dhe prokurorët që nuk e kanë kaluar me sukses sfidën e vetingut, në momentin që mund të aplikojnë për vizë amerikane, të përballen me refuzimin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Amerikanët janë ata që gjithmonë kanë bërë thirrje që të ndëshkohen të korruptuarit, që për të ngelurit në veting të ketë edhe ndjekje penale, ndërsa kanë dhënë një kontribut të madh në reformën në drejtësi që po zbatohet në vendin tonë. Kjo do të thotë që ata nuk mund të tolerojnë gjyqtarët a prokurorët e korruptuar që dëshirojnë të udhëtojnë drejt SHBA, duke iu refuzuar hyrjen. Pra, përveç masave penale ndaj tyre, SHBA do të marrë edhe masa të tjera. Kujtojmë që edhe më parë Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vepruar me dorë të hekurt me gjyqtarët dhe prokurorët që kanë qenë të përfshirë në korrupsion. Dy vite më parë iu vendon viza e kuqe gjyqtarëve Gjin Gjoni, Ardian Kalia, Osman Aliu, Qani Hasa, Tomorr Kullolli, Besnik Qira, Petrit Aliaj, Adelina Zarka, Shpëtime Pitaku, etj., si edhe prokurorëve Petref Asllani dhe Bardhok Lleshi. Të njëjtin fat si ta rrezikojnë të kenë edhe të gjithë kolegët e tyre që “ngelën” në testin e vetingut. Po ashtu, vlen të kujtojmë që përveç gjyqtarëve dhe prokurorëve, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shpallur non grata edhe ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, si edhe deputetin Tom Doshi. Llalla u fut në listën e zezë bashkë me familjarët e tij, ndërsa ai vazhdimisht akuzoi ish-ambasadorin amerikan Donald Lu se ky vendim i SHBA ishte i ndikuar prej tij. Pra, siç duket, përveç emrave të lartpërmendur, SHBA pritet të zgjerojë listën e atyre që nuk dëshiron t’i ketë të pranishëm në vend në ditët në vijim.










































