Lacio eliminoi Interin nga Kupa e Italisë, pas 120 minutave dramatike dhe 10 penalltish që sollën ankth dhe emocion në mbarë Italinë dhe më gjerë. Në fund kaloi Lacio në gjysmëfinale, por në këtë përballje meritat i mori shqiptari Thomas Strakosha, i cili jo vetëm ishte në lartësinë e kërkuar në këtë duel, duke u bërë “bllok” sulmuesve të Interit, por mbi të gjitha duke qenë vendimtar në pritjen e penalltive që i dhanë skuadrës laciale një kualifikimi me vlera në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. Tashmë Lacio e Tares, Strakoshës dhe kolonisë shqiptare në tërësi ka një shans të kapë Ligën e Europës nga kupa, por jo vetëm kaq, edhe ta mbyllë sezonin me trofe, sepse një nga pretendentët e këtij aktiviteti, Juventusi, ka mbetur jashtë. Në garë janë ende Milani dhe Atalanta, si dhe Fiorentina, kështu që shanset e Lacios për të fituar kupën këtë edicion janë të mëdha. Në mediat italiane ka bërë bujë të madhe kualifikimi i Lacios dhe sidomos pesha që pati Strakosha në këtë sukses. Thuajse të gjitha mediat sportive italiane i kanë vendosur notën maksimale, duke evidentuar qetësinë e tij dhe intuitën në ekzekutimin e penalltive, ku nga 5 të gjuajtura nga Interi, Strakosha i Shqipërisë priti dy të tilla që rezultuan vendimtare, sepse kualifikuan Lacion për më tej. Pra, Thomas Strakosha rezultoi “heroi” i Lacios në kualifikimin e bardhekaltërve në Kupën e Italisë, pasi eliminuan Interin në lotarinë e goditjeve të 11-metërshave. Portieri i Kombëtares Shqiptare priti 2 penallti e për rrjedhojë ishte më i kërkuari nga gazetarët në zonën miks. “Jemi të gjithë shumë të kënaqur, e dëshironim shumë këtë fitore. Do të jetë shumë bukur në gjysmëfinale me stadiumin “Olimpico” të mbushur plot e përplot. Në fushë e merituan kualifikimin. Në penalltinë e fundit mendova: më në fund mbaroi”, u shpreh Strakosha, dukshëm i entuziazmuar nga kualifikimi i Lacios në gjysmëfinalen e Kupës së Italisë. “Mund të përmirësohemi më tej dhe ta përfundojmë kampionatin mes katër ekipeve më të mira. Ne Besojmë. Lacio është në gjendje shumë të mirë. Në fillim vuajtëm për shkak të shpërqendrimit, tani e kemi marrë veten dhe thjesht duhet të vazhdojmë kështu”, shtoi gardiani kuqezi, i cili po bën një paraqitje vërtet të mirë me fanellën e Lacios dhe mediat italiane pranojnë se Strakosha po shkëlqen në momentet e duhura dhe vendimtare. “Do ta shohim nesër (sot) në Romë, do të na ndihmojë shumë në mbrojtje. E rëndësishme është që të japë gjithçka për skuadrën dhe ne do të bëjmë të pamundurën që të integrohet sa më shpejt të jetë e mundur”, vijoi më tej rrëfimin e tij për mediat italiane portieri i përfaqësueses tonë, Thomas Strakosha. Ndërkohë, portieri shqiptar priti dy penallti dhe kësisoj bëri që ekipi i tij të kalonte turin, duke i vënë shkelmin edhe shumë kritikave që kishte marrë kohët e fundit sidomos për faktin se nuk kishte pritur penallti në disa ndeshje radhazi. Pikërisht këto kritika kanë sjellë edhe reagimin e vëllait të tij, Dimitri. Ai, me një postim në rrjetet sociale, ka kritikuar hapur të gjithë ata që kishin vënë në diskutim cilësitë e Thomasit. “Ky është Thomas Strakosha! Kjo fitore është e jotja vëlla! Bëji ta qepin të gjitha ata tifozë fals që kanë ngrënë m… duke folur, pasi tifozët e vërtetë e dinë se kush je dhe cili është potenciali yt! Një punë e shkëlqyer nga skuadra jote por ata duhet të të nxjerrin për darkë pasi ta kanë borxh sonte (P.S. Më fto edhe mua, se do të vij”, ishin fjalët e vëllait të portierit të përfaqësueses shqiptare. Me siguri, pas paraqitjes së fundit të gardianit të Lacios, nuk do të jenë të shumtë ata që do të kritikojnë përsëri lojtarin. Strakosha është dhe një herë në qendër të vlerësimeve pozitive dhe një lider iu padiskutuar i Lacios në prapavijë.
Adriatik BALLA








































