Që prej datës 1 janar 2019 ka hyrë në fuqi rritja e pagave të oficerëve të policisë gjyqësore. Për këtë çështje kryeprokurorja Arta Marku ka kërkuar informacion nga Prokuroria e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit. Ligji i cili është në fuqi për efektivët gjyqësorë parashikon që paga e kësaj strukture është sa 70% e rrogës së prokurorit, ku këtë muaj pagat për gjyqtarët dhe prokurorët janë rritur sipas paketës së reformës në drejtësi. Me anë të një shkrese zyrtare në 18 janar 2018, kryeprokurorja Arta Marku ka kërkuar mendim se si veprohet në raste kur paga e prokurorëve e kalon 200 mijë lek të rinj, duke filluar që nga fillimi i këtij viti. Në disa prej prokurorive, zyrat e financës kanë llogaritur numrin e OPGJ që kanë në organikë, dhe më pas kanë përcjellë të dhënat në Prokurorinë e Përgjithshme.
Duke qenë se ligji që është aktualisht në fuqi për policinë gjyqësore nuk përcakton një shifër konkrete por vetëm në termin se paga e OPGJ është sa 70% e pagës së prokurorit, rritja duhet të përfshijë edhe policinë gjyqësore. Pra paga mesatare e prokurorëve deri në 31 dhjetor 2018 ishte 131 mijë lekë ndërsa paga mesatare e OPGJ-ve bazuar në llogaritjen me 70% ishte 85 mijë lekë. Por pas datës 1 janar 2019, duke qenë se prokurorët do të marrin mbi 200 mijë lekë në muaj, paga e OPGJ-ve duhet të jetë 140 mijë lekë. Edhe në draftin e ri që po diskutohet dhe pritet të miratohet në Parlament, paga e oficerëve të policisë gjyqësore është përcaktuar në masën 70% të rrogës së prokurorëve. Prokuroria e Përgjithshme tha se efekti financiar është parashikuar në buxhetin e këtij viti por burime nga prokuroritë e rretheve thanë se nuk janë në dijeni të këtij fakti, madje edhe të dhënat që kanë dërguar në qendër i kanë përllogaritur me pagat e vjetra. Në shkresën e kryeprokurores thuhet se situata ka nevojë për interpretim pasi veç ligjit në fuqi për policinë gjyqësore, nuk ka asnjë akt tjetër juridik që ndihmon për qartësimin e situatës.










































