Google search engine
Home Editorial Opinion Moikom Zeqo: Indiferenca e shtetit ndaj Ismail Qemalit, një turp kombëtar

Moikom Zeqo: Indiferenca e shtetit ndaj Ismail Qemalit, një turp kombëtar

0
590

Shteti shqiptar e la në heshtje 100 -vjetorin e ndarjes nga jeta të Ismail Qemalit, firmëtarit të parë të Deklaratës së Pavarësisë dhe kryetari i këshillit të ministrave të Qeverisë së Parë të Shqipërisë. Në këtë përvjetor mungojnë aktivitetet dhe veprimtaritë, që sipas studiuesve do të nderonin figurën e tij. Studiuesi Moikom Zeqo shprehet se për Ismail Qemalin festimi institucional duhet të ishte madhështor. Për studiuesin, 100 vjetori i ndarjes nga jeta i Ismail Qemalit duhet të përfshinte aktivitete jo vetëm në Shqipëri, por dhe më gjerë, të cilat duhet të ishin menduar dhe organizuar nga institucionet shqiptare. “Në vitin 2012 unë kam bërë një libër për Ismail Qemalin “Një flamur një komb”. Tani festimi institucional i për Ismail Qemalin duhet të ishte madhështor jo vetëm në Shqipëri, por kudo ku ka shqiptarë në të gjithë trevat duke përfshirë dhe Kosovën Tetovën, etj, e deri te shqiptarët në Amerikë. Por nuk u bë një gjë e tillë”, shprehet mes të tjerave studiuesi Moikom Zeqo. I njohur në aktivitetin e tij studiuesi Moikom Zeqo vijon se kjo që ndodhi është një turp kombëtar. “Meqenëse shteti shqiptar tashmë në vend të figurës së presidentit mban gjithmonë portretin me Ismail Qemalin duhet të bënte diçka. Mirëpo edhe qarqet akademike duhet të kishin bërë më tepër, por në mënyrë të veçantë shteti. Janë indiferentë për 100 -vjetorin e vdekjes së Ismail Qemalit. Ky është një turp i madh kombëtar”, shprehet në reagimin e tij studiuesi Zeqo. Sipas tij 100- vjetori duhet të kishte një tjetër vlerësim dhe rëndësi, dhe jo të kalonte kaq në heshtje. “Asnjëherë nuk ka ndodhur që të mos festohet një datë që është e papërsëritshme, sepse është 100- vjetori. Nuk është as 93, 99 apo 102 vjetor, por është 100 vjetor. Përgjithësisht 100- vjetorët janë të detyrueshme të bëhen me madhështi të madhe shumë, aq më tepër që Ismail Qemali është themelues i shtetit modern shqiptar”, vijon më tej studiuesi Moikom Zeqo, i cili nuk ka qenë i vetmi që ka reaguar për këtë heshtje nga institucionet në nderim të figurës së Ismail Qemalit.

 Një vit që duhej të kishte aktivitete

Për studiuesin Moikom Zeqo nga shteti duhej të ishte menduar që ky vit duhet të kishte veprimtari siç u organizuan në kuadër të Vitit të Skënderbeut, por çdo gjë duhej të ishte e mirëmenduar me një program qeveritar. “Po bën sesione shkencore instituti, që dhe nuk shkon njeri, por problemi është që duhet të ishte bërë diçka shtetërore. E mendoj se duhet të ishte bërë diçka si të ishte viti i 550- vjetorit të vdekjes së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu. Pra nga shteti duhet të ishin menduar dhe organizuar aktivitetet dhe veprimtari, duhet të ishte bërë diçka me madhështi të madhe shumë. Për mua duhet të ishte një program qeveritar, një program i madh në këtë 100- vjetor të ndarjes nga jeta të Ismail Qemalit”, shprehet studiuesi. Por ai shpreh dhe keqardhjen që akoma flitet për shkrime të pabotuara të Ismail Qemalit. “Të kishte fonde dhe duhet të ishin bërë shumë gjëra. Ne kemi të pabotuara shkrimet e Ismail Qemalit, që ai ka botuar gjatë jetës së tij, dhe këto shkrime duhet të ishin botuar në një korpus. Mendoj se është bërë shumë pak nga institucionet”, shprehet më tej studiuesi Moikom Zeqo. Ismail Qemal bej Vlora i njohur thjesht si Ismail Qemali (Vlorë, janar 1844 – Peruxhia, 24 janar 1919) ka qenë nëpunës dhe deputet i Perandorisë Osmane, veprimtar i çështjes kombëtare dhe themelues i shtetit shqiptar.  

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here