Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të ketë një vit të ngjeshur pune. Bazuar tek të gjithë shortet që ka hedhur ky organ për gjyqtarët dhe prokurorët që do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit, gazeta ka bërë një përllogaritja të të gjithë subjekteve që pritet të kalojnë në skaner gjatë vitit 2019. Sipas përllogaritjeve, deri tani janë plot 183 gjyqtarë e prokurorë që duhet të japin llogari para trupës gjykuese për pasurinë, integritetin e figurës dhe aftësitë profesionale. Gjatë vitit që lamë pas, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit nisi seancat dëgjimore në mars dhe kaloi me përparësi në veting 57 emrat që kandidonin për Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Thënë më shkoqur, gjatë vitit që lamë pas KPK arriti të rivlerësojë 73 subjekte, ndërsa duket se ky vit do të jetë më intensiv e me seanca dëgjimore më të shpeshta sepse deri tani janë 183 emra që presin të japin llogari. Më konkretisht, nga lista e parë prioritare që shortoi KPK, kanë ngelur akoma pa kaluar në sitë Kastriot Selita dhe Marsida Xhaferllari, të dy kandidatë për Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë. Të pakaluar akoma në veting janë edhe anëtarët e Prokurorisë së Përgjithshme, si: Arqile Koça, Petrit Fusha dhe Thoma Jano. Gjatë këtij viti, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit do të kalojë në sitë edhe krerë gjykatash e prokurorish, të tillë si: Dritan Banushi, Fuat Vjerdha, Petrit Çeno, Fehmi Petku, Irma Balli, Altin Gokaj, etj. Midis atyre që presin që gjatë 2019 t’i nënshtrohen procesit të vetingut janë edhe anëtarët e Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda: Sandër Simoni, Albana Boksi, Dhimitër Lara, Dhurata Haveri, Saida Dollani, Nure Ndreni, etj. Kujtojmë që gjyqtarët e Krimeve të Rënda janë ata që kanë kandiduar për në Gjykatën e Posaçme Antikorrupsion, e cila pritet të ngrihet së shpejti. Duke qenë se kjo strukturë duhet të jetë gati sa më shpejt, atëherë pritshmëritë janë që në ditët në vijim puna e KPK të fokusohet pikërisht tek kandidatët për në Gjykatën dhe Prokurorinë e Posaçme.
Mbyllet verifikimi për prokurorët e Krimeve të Rënda
Pjesë e listës që do të kalojnë në skaner gjatë këtij viti janë edhe anëtarët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe Prokurorisë së Apelit për Krimet e Rënda. Sipas të gjitha gjasave, anëtarët e Krimeve të Rënda, qoftë nga gjykata, ashtu edhe nga prokuroria, do të jenë të radhës që do t’i nënshtrohen procesit të rivlerësimit për vetë faktin që kandidatura e tyre është kyçe për ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Duhet theksuar fakti që për prokurorët e Krimeve të Rënda është mbyllur procesi i verifikimit, duke qenë se ata janë shortuar që në datën 18 shtator të vitit të kaluar. Pra, me qëllim që SPAK të ngrihet brenda shkurtit, ashtu siç është parashikuar në ligj, duhet që KPK tani të qendërzojë punën tek gjyqtarët dhe prokurorët e Krimeve të Rënda dhe t’i kalojë ata me përparësi në veting. Sakaq, midis emrave që presin të futen në veting këtë vit janë edhe ish-anëtarët e Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mes të cilëve bie në sy emri i Gjin Gjonit. Po ashtu në pritje është edhe gjyqtarja e Apelit të Tiranës, Fatmira Hajdari, e cila është gjyqtarja e të ndjerit Azem Hajdari.
Mimoza Ibra










































