Reforma në drejtësi pritet të sjellë tërmet në politikë dhe në gjyqësor. Të gjithë i kanë sytë te SPAK, struktura e cila do të hetojë korrupsionin në nivele të larta. Sipas Kushtetutës, SPAK ka të drejtë të hetojë që nga Presidenti e kryeministri, e deri të anëtarët e gjyqësorit. Por si do goditen të korruptuarit dhe kush janë më të rrezikuar? Momentalisht KLP ka hapur garën për prokurorë të posaçëm dhe në 7 shkurt skadon afati. Pritet që deri në mars ky organ të jetë gati. Të parët që rrezikojnë që të kalojnë në skanerin e SPAK janë emrat që janë momentalisht nën hetim nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Këtu mund të përmendim dy emra të njohur, Saimir Tahiri dhe Adriatik Llalla. Të dy janë nën hetim dhe dosjet do transferohen te SPAK. Por të rrezikuar janë dhe Sali Berisha e Ilir Meta, pasi ndaj tyre janë bërë dy padi për aferën e CEZ dhe dosjet janë ende të hapura. Por përveç çështjeve që janë nën hetim, SPAK pritet që të hetojë dhe dosjet që janë mbyllur ndër vite. Për të arritur këtë, do ndiqen disa strategji. E para është se momentalisht Krimet e Rënda kanë nisur hetim pasuror për të gjitha dosjet e korrupsionit të hetuar anë vend. Bëhet fjalë për një urdhër të Arta Markut, i cili ka nisur të zbatohet. Kjo do të thotë se të gjitha dosjet e grumbulluara Krimet e Rënda do i dorëzojnë aty. Por po ashtu, pritet që SPAK të nisë një proces verifikimi për të gjitha dosjet që kanë qenë në proces hetimor në vitet e fundit. Në momentin që do të gjenden parregullsi, atëherë menjëherë do të nisë procesi i rihetimit. Një tjetër mënyrë është ajo e depozitimit të provave të reja. Shumica e hetimeve për zyrtarët e lartë janë bërë për shkak të padive nga KLSH, ILDKP apo institucione shtetërore. Këto institucione mund të ridepozitojnë paditë dhe menjëherë nis hetimi. Por elementi më i rëndësishëm është se ligji detyron SPAK të nisë hetimet nëse në media ka denoncime për raste konkrete. Nëse një media tregon sesi janë amnistuar pushtetarë të caktuar, atëherë SPAK mund të nisë procesin e verifikimit.
800 të rrezikuar
Nëse SPAK u kthehet dosjeve të bujshme, janë rreth 800 zyrtarë që rrezikohen. Gazeta ka bërë një studim sa i takon çështjeve të pushuara ndër vite nga prokuroritë në vend për çështjet e korrupsionit dhe rezulton se nga viti 2009 e deri në 2017 janë 753 çështje. Nëse shtojmë dhe ato për vitin 2018, por që statistikat nuk janë ende zyrtare, shkon në rreth 800. Sipas raporteve vjetore të prokurorisë, pjesa më e madhe e procedimeve të regjistruara janë pushuar. Në vitin 2017 prokuroritë në vend kanë pushuar hetimet për 117 kallëzime për korrupsion. Në vitin 2016 për 83, ndërsa në vitin 2015 për 124. Në vitin 2014 janë plot 128 procedime penale që janë pushuar, gjithmonë të lidhura me veprat penale të korrupsionit. Në vitet e tjera numri është më i ulët, pasi rezulton se dhe procedimet e regjistruara për korrupsion janë shumë të ulta. Nëse kthehemi pas në kohë, lufta ndaj korrupsionit ishte në dorë të ish-kryeprokurorit Adriatik Llalla. Në zyrën e tij pati padi për ministra, ish-ministra e deputetë. I vetmi që vajti në gjykatë ishte Spiro Ksera. Për të gjithë të tjerët u pushuan hetimet. Këtu përmendim hetimet për Lulzim Bashën për lejet e ndërtimit në Tiranë. Për Arben Imamin mbi shkeljet kur ishte ministër i Mbrojtjes. Për Ridvan Boden, Sherefedin Shehun dhe shumë emra të tjerë. Por nëse SPAK vendos të kontrollojë të gjitha dosjet hetimore ndër vite, të gjithë që nuk kanë shkuar në gjykatë janë të rrezikuar. Sipas ligjit, ata emra që kanë shkuar në gjykatë dhe kanë dalë të pafajshëm nuk mund të rihetohen. Por për ata që hetimet janë pushuar me vendim prokurori, SPAK mund të rihapë dosjet. Pjesë e SPAK do jetë dhe Byroja e Hetimit që do jetë si FBI. Në fakt FBI ka një departament të veçantë që merret me dosjet e vjetra dhe nëse ndodh kjo në Tiranë do ketë reprezalje në politikë.
Kliti Topalli












































