Që nga data 1 gusht i vitit 2017 ka hyrë në fuqi ligji nr 35 i vitit 2017 i cili për herë të parë solli një risi për një gjykim të posaçëm i cili është edhe një ekonomi gjyqësore pasi shmang gjykimin në themel të çështjes penale ku nga njëra anë i pandehuri pranon fajësinë në lidhje me veprën penale që i atribuohet, si dhe së bashku me prokurorin bien dakord edhe për masën e dënimit duke shmangur Institutin e Prezumimit të Pafajësisë si dhe marrjen e provave të panevojshme si me dëshmitar apo shkresore. Kjo marrëveshje realizohet gjatë fazës së hetimeve paraprake dhe me nënshkrimin e saj si nga prokurori apo nga i pandehuri në prezent të avokatit çështja penale nuk ka nevojë më për hetime paraprake apo shqyrtim gjyqësor, por marrëveshja ligjore dërgohet për miratim para gjyqtarit të seancës paraprake, i cili shikon nëse marrëveshja është në përputhje me kërkesat procedurale ligjore apo jo dhe në raste se e gjen marrëveshjen të ligjshme, gjykata në bazë të nenit 406/e vendos miratimin e marrëveshjes. Këtu fillon “Alergjia” apo paligjshmëria e gjyqtarëve, të cilët në të shumtat e rasteve e refuzojnë marrëveshjen ligjore qe lidhet midis prokurorit dhe të pandehurit pa asnjë arsyetim, duke “dyshuar” te ligjshmëria e saj me pretekstin që jam unë gjyqtari që vendos dhe realizoj dhënien e drejtësisë!!! Ky veprim i gjykatës është një skandal i vërtetë dhe kërkon vëmendjen e KLGJ apo nga inspektorët duke kontrolluar të gjitha vendimet gjyqësore ku gjyqtarët refuzojnë marrëveshjet e realizuara gjatë fazës së hetimeve paraprake midis prokurorit dhe të pandehurit… Është absurd që për një të pandehur student, mjek, mësues apo qytetar që ka kryer një vepër penale si drejtimi të mjetit në mënyrë të parregullt pasi është kapur në flagrancë nga policia e qarkullimit rrugor me 051 mg niveli i alkoolit dhe vepra penale parashikohet nga neni 291 i KP, të zgjatet hetimi apo gjykimi i kësaj çështje penale kur kemi të bëjmë me një çështje fakti qe pranohet fajësia nga drejtuesi i mjetit dhe në këtë raste i pandehuri nënshkruan një marrëveshje për pranimin e fajësisë me prokurorin duke përcaktuar dhe masën e dënimit me pëlqimin e të dyja palëve. Pra, është e pakonceptueshme që gjykatësi të refuzojë marrëveshjen e prokurorit me të pandehurin në kundërshtim me ligjin, duke shkelur rëndë një nga parimet bazë të Kodit Penal të parashikuar nga neni 1/c I Kodit Penal që ka të bëjë me barazinë para ligjit dhe humanizmin dhe duke rritur artificialisht kohën e hetimeve apo të gjykimeve të disa çështje që nuk kanë nevojë për hetim, prova, apo gjykim të stërzgjatur. Janë pikërisht gjyqtarët të cilët duhet të japin drejtësi dhe jo të shikojnë me skepticizëm apo dyshim marrëveshjet e prokurorit me të pandehurit kur këtë të drejtë palëve ja u jep ligji procedural penal. Refuzimi i marrëveshjes së prokurorit me të pandehurin nga ana e gjykatës nuk meriton gjë tjetër veçse një papërgjegjshmëri të të ashtuquajturve gjyqtarë të cilët mendojnë se janë të plotfuqishëm dhe me ligjin mund të bëjnë ç’të duan!!! Quo Vadis.
Nga Av. Saimir Vishaj












































