Kryeministri Edi Rama ka folur për ndryshimet në kabinetin qeveritar dhe për të tjera ngjarje politike në një intervistë të dhënë për prestigjozen gjermane “Die Welt” . Rama e konsideron fat bashkëpunimin me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Ai thekson se Gjermania duhet ta kuptojë se nuk është përgjegjëse vetëm për fëmijët gjermanë, por për të gjithë Europën.
Ju udhëtoni shpesh nëpër Europë dhe botë. Si po evoluon Europa?
Rama: Do të bëhet shumë më keq përpara se të bëhet sërish mirë. Për fat të keq, nuk mund të lexoj filxhanin e kafesë, e di që ka politikanë të tjerë që besojnë se janë të aftë ta bëjnë këtë. Unë nuk u përkas atyre. Me të vërtetë nuk mund të parashikoj të ardhmen.
Çfarë mund të bëjmë tjetër për demokracinë në Europë?
Rama: Nëse mund të jem i sinqertë me ju, jo aq shumë. Po u them diçka nga këndvështrimi im. Deri më tani kemi qenë jashtëzakonisht me fat pasi kemi punuar e jetuar në një kohë me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Po, bashkë me Angela Merkel dhe Gjermaninë. Unë sinqerisht shpresoj që ajo të qëndrojë me ne, pasi vizioni i saj nuk humb kaq lehtë. Shpresoj shumë që Gjermania ta kuptojë se nuk është vetëm përgjegjëse për të ardhmen e fëmijëve gjermanë, por edhe të Europës dhe më gjerë. Bëhet fjalë për çështje pushteti mbi të gjitha.
Dhe cila është qasja e vendit tuaj, e popullsisë shqiptare?
Rama: Ende e duam Evropën. Jemi gjithmonë të gatshëm për të dhënë PO. Jemi akoma të dashuruar pasi nuk jemi martuar akoma. Pas martesës do e shohim nëse do jemi ende të lumtur.