Agjencia e Trajtimit të Pronave njoftoi dje se 70 subjekte që kanë përfituar kompensim financiar me kërkesë të veçantë gjatë periudhës 2016-2018 mund të tërheqin këstin e radhës. Përmes një njoftimi për mediat, ATP sqaroi se mes 70 emrave, një prej tyre përfiton këstin e katërt, 10 të tjerë këstin e tretë, ndërsa 59 të tjerët marrin këstin e dytë. “Në zbatim të detyrimeve ligjore të përcaktuara në nenin 17 të ligjit nr.133/2015 “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave” dhe në Kreun IV, pika 23, të VKM nr.223, datë 23.03.2016 “Për përcaktimin e rregullave dhe të procedurave për vlerësimin dhe ekzekutimin e vendimeve përfundimtare të kompensimit të pronës dhe shpërndarjen e fondit financiar e fizik për kompensimin e pronave”, i ndryshuar, Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton se, në fillim të vitit buxhetor 2019, ka përfunduar procedurat për lëvrimin e këstit të radhës për 70 (shtatëdhjetë) subjekte, që kanë përfituar kompensim financiar me kërkesë të veçantë gjatë viteve 2016-2018, nga të cilët 1 (një) subjekt përfiton këstin e katërt, 10 (dhjetë) subjekte përfitojnë këstin e tretë dhe 59 (pesëdhjetë e nëntë) subjekte përfitojnë këstin e dytë”, njoftoi Agjencia e Trajtimit të Pronave.
Në njoftim thuhet edhe se për lëvrimin e këstit të radhës për 70 subjektet në fjalë buxheti i shtetit ka vënë në dispozicion shumën prej 257.842.178.19 lekësh. “Vlera totale e fondit, të vënë në dispozicion nga Buxheti i Shtetit, që do të lëvrohet menjëherë si këst i radhës për 70 (shtatëdhjetë)subjektet përfitues, është 257’842’178,19 (dyqind e pesëdhjetë e shtatë milionë e tetëqind e dyzet e dy mijë e njëqind e shtatëdhjetë e tetë presje nëntëmbëdhjetë) lekë. Agjencia e Trajtimit të Pronave (ATP) njofton subjektet e interesuara se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vazhdim”, përfundoi njoftimi i Agjencisë së Trajtimit të Pronave.









































