Kukësi ka bërë një supermerkato deri tani, pasi ka afruar tre futbollistë të nivelit të lartë, që janë Vasil Shkurtaj, Eduard Rroca dhe Faton Xhemaili. Nuk do të ndalet me kaq presidenti i skuadrës verilindore Safet Gjici, pasi ka deklaruar se sa kohë merkato është e hapur dhe ka lojtarë cilësorë në qarkullim, Kukësi do të tentojë të forcojë grupin për të rritur pretendimet për titullin kampion. Presioni ka rënë mbi trajnerin Armando Cungu, i cili tani ka forca të shtuara në repartin ofensiv, pasi krahas Rexhinaldos në vijën e parë ofensive do të jetë dhe Vasil Shkurtaj, një lojtar që ka spikatur gjatë dy sezoneve të fundit në Superioren tonë. Ai erdhi nga Gjirokastra, ku ishte pjesë e Luftëtarit, por futbollisti vlonjat do të ketë një shans tek Kukësi të dalë kampion. Në fakt, vëmendjen dje tek Kukësi e mori prezantimi i blerjes më të fundit, mbrojtësi i Shpresave, Faton Xhemaili. Vetë menaxheri i skuadrës së Kukësit, Ramadan Ndreu, e ka cilësuar këtë si një afrim të mirëmenduar duke qenë se synohet që të shitet jashtë shumë shpejt, nisur nga cilësitë që ka futbollisti që vjen nga Lugina e Preshevës. Në një prononcim të dhënë për “SuperSport”, Ndreu ka folur edhe në lidhje me afrimet e tjera të bëra gjatë kësaj merkatoja, ndërkohë që nuk lë pa përmendur as çështjen Rexhinaldo dhe objektivat që klubi ka këtë sezon. “Te Kukësi, në përgjithësi me këto lëvizje në merkato kemi qenë të kujdesshëm pasi jemi menduar gjatë që të jemi në grup për faktin se ka një rregull në futboll. Kur skuadra funksionon mirë, merkatoja duhet e kujdesshme. Kemi ofruar dy lojtarë të domosdoshëm si Rroca me Shkurtajn. Ende nuk është mbyll merkatoja dhe duhet plotësuar grupi, sidomos në mesfushë”, theksoi Ndreu. Ndërkohë, ai foli dhe për blerjen e dyshes së Luftëtarit Rrocaj-Shkurtaj, të cilët i dhanë një dimension tjetër grupit pretendent për titullin. “Mendoj se në dy lëvizjet e para, kemi bërë goditjet e duhura pasi janë dy lojtarë të nivelit të lartë në nivel dhe kosto. Presidenti ishte një hap shumë i madh, duke pasur parasysh se çdo lojtar na shërben. Në perspektivën tonë, mund t’i shesim por e mira është që në një klub që funksionon, që gjithçka të jetë brenda klubit dhe në momentin e duhur bëhet i ditur”, vijoi komentin e tij Ndreu. Më pas ai komentoi edhe sulmuesin që ndihet nën presion pas ardhjes së Shkurtajt, Rexhinaldon, por Ndreu nuk sheh probleme me zarar për klubin në vijën e parë të grupit. “Klubi ka të drejtën të ofrojë lojtarë cilësorë të një pozicioni dhe lojtari duhet ta pranojë. Kuptohet që përgjegjësia është e lartë për të kapur vend dhe Rexhinaldo është lojtar i Kukësit dhe do të respektojë kontratën e vendimin e trajnerit. Të dy lojtarët janë të gatshëm dhe luan ai më në formë. Klubi ka ndryshuar strategji, por edhe klubet shqiptare. Po afrohen në skuadër lojtar me të ardhme dhe që këta lojtarë të shiten, pasi kjo duhet të jetë strategjia. Edhe Xhemaili është lojtar me nivel dhe do të jetë lojtar që na ndihmon shumë dhe them se ky do të jetë në treg për t’u shitur”, theksoi më pas Ndreu. Në fund, drejtori i Kukësit flet për objektivat e skuadrës verilindore në këtë edicion, ku titulli është kryeobjektivi. “Kemi shumë shanse për të dalë kampion dhe këto 3-4 lojtarë kanë nivel dhe do të na japin shpresë dhe premisa për të qenë kampion. Investimi i presidentit është rritur dhe rritet përgjegjësitë tona. Ne duhet të bëjmë punën tonë duke u shpallur kampion”, tha Ndreu. Në fund ai komenton edhe pozitat e tij, pasi dihet që ka mbuluar më parë rolin e trajnerit tek Laçi, Kastrioti e Kamza, por tani punon si menaxher tek Kukësi. “Vështirë është t’i ndash gjërat pasi edhe roli i trajnerit ka emocion, por edhe roli që kam te Kukësi më bën ta bëj punën me dëshirë dhe në këto muaj te Kukësi jam mirë”, përfundoi Ndreu. Në klub operon si drejtor teknik Nderim Nexhipi, por është në staf edhe ish-kapiteni Rrahman Hallaçi.
Adriatik BALLA








































