Lojtarët e Kombëtares kuqezi që kanë qenë të pastabilizuar në pjesën e parë të sezonit janë duke numëruar orët e transferimit në destinacionet e dëshiruara, me shpresën se do të jenë në formë dhe titullarë atje ku preferojnë të shkojnë. Për momentin dy futbollistë janë ende “në ajër”. Kështu, Berat Gjimshiti i Atalantës ka gjasa të braktisë Serinë A për të kaluar në Superligën e Turqisë, ku do të gjejë Beshiuktashin, një skuadër që ka pretendime në kampionatin turk dhe është pjesë në Ligën e Europës. nga ana tjetër, sulmuesi Sokol Cikalleshi ka përfunduar në “rrugë”, sepse skuadra e Goztepesë ka mbyllur me marrëveshje bashkëpunimin me të dhe lojtarit shqiptar i duhet të kthehet tek Osmanlispori që ka kartonin e tij, por mundet, me shumë gjasë, që Cikalleshi të huazohet sërish në një skuadër tjetër turke.
Cikalleshi kthehet tek Osmanlispor, Goztepe prish marrëveshjen me kavajasin
Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare të Futbollit, Sokol Cikalleshi, mësohet nga mediat turke se ka ndërprerë bashkëpunimin me skuadrën e Goztepes në Superligën e Turqisë, ku ishte huazuar nga Osmanlispori, një tjetër skuadër turke por që luan në ligën inferiore. Është vetë klubi turk i Goztepesë që e bën publik lajmin në faqen e tij në llogarinë e rrjetit social “Facebook”. Në njoftim shkruhet se me marrëveshje të dyanshme, klubi dhe futbollisti kanë vendosur të mos e vazhdojnë më huazimin. Në pjesën e dytë të këtij sezoni sulmuesi i kombëtares shqiptare do të luajë te Osmanlispori në ligën e parë turke pasi është aktivizuar për pak minuta në fillim të këtij sezoni me skuadrën e Ligës së Parë turke dhe pavarësisht interesimit të Akhisar, Cikalleshi nuk mund të aktivizohet më me një tjetër skuadër në këtë sezon pasi nuk e lejon rregullorja e FIFA-s. Osmanlispori, që zotëron kartonin e Cikalleshit, renditet në vendin e 6-të në Ligën e Parë të Turqisë, pra në zonën “play off”, me Cikalleshin që do të synojë që me golat e tij të rikthejë klubin nga Ankaraja në Superligën turke, edhe pse kurrsesi nuk mund të përjashtohet mundësia që Cikalleshi të transferohet në një kampionat që fillon në vitin 2019-të, si Major League Soccer, apo edhe në vendet aziatike e ato skandinave. Mbetet të shihet se si do të operojë Osmalispori me sulmuesin kavajas, por ka shumë mundësi që Cikalleshi të huazohet në një skuadër tjetër, sepse tek Osmanlispori për momentin nuk kanë shprehur interesim që ai të jetë titullar. Gjithsesi, klubi është i detyruar në bazë të kontratës që të mbajë “gjigandin” shqiptar në gjirin e tij.
Gjimshiti tek Beshiktashi për 500 mijë euro
E ndërsa në Turqi po flitet për Sokol Cikalleshin, mediat italiane lakojnë një tjetër shqiptar që mund të përfundojë në Superligën e Turqisë. Sipas mediave sportive italiane, nuk ka më dyshime në lidhje me të ardhmen e mbrojtësit të Kombëtares, Berat Gjimshiti i cili duket se shumë shpejtë do të transferohet në kampionatin turk, aty ku pritet të firmosë edhe kontratën me Beshiktashin. Lajmet të cilat po transmetoheshin në ditët e fundit në media, po marrin çdo ditë e më tepër konfirmim nga të gjitha mediat. Mediat turke, kanë bërë me dije sot edhe detaje nga transferimi i mbrojtësit në kampionatin turk dhe bëhet fjalë për një ofertë e cila arrin në 500 mijë euro. Në fakt, bergamaskët e Atalantës kërkuan në fillim plot 1 milionë euro, por mesa duket italianët janë bindur të marrin edhe më pak. Shkak për këtë pranim të ofertës, është bërë fakti se kontratat e Gjimshitit përfundon në fund të sezonit dhe duke mos dashur që të largohet nga klubi me parametra zero, klubi italian ka menduar që të paktën të përfitojë diçka. Orët në vazhdim pritet që të ketë edhe zhvillime të reja. Nëse Atalanta pranon 500 mijë eurot për Gjimshitin, kontrata e të cilit mbaron në verë, atëherë me siguri që mbrojtësi kuqezi do të bëhet pjesë e Beshiktashit në Stamboll.
Adriatik BALLA