Koncesionari i aeroportit të Rinasit ka fituar 84 milionë euro më shumë nga sa ishte parashikuar në skenarin fillestar të marrëveshjes koncesionare. Mësohet se kompania “BDO Albania” ka prezantuar ditën e djeshme në Ministrinë e Energjisë dhe Infrastrukturës, raportin e auditimit ekonomik të kontratës koncesionare të Rinasit. Gjatë prezantimit të raportit kanë qenë të pranishëm drejtuesit e kompanisë koncesionare, ministri në ikje i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, ai i Financave, Arben Ahmetaj si dhe dy zëvendësuesit e tyre, Belinda Balluku dhe Anila Denaj. Sipas raportit, për periudhën 2004-2017 skenari fillestar i koncesionit parashikonte që kompania Tirana International Airport të realizonte një fitim neto prej 66 milionë eurosh. Por në të vërtetë, gjatë kësaj periudhe kjo kompani ka realizuar nga koncesioni i aeroportit një fitim neto prej 150 milionë eurosh, pra 84 milionë euro më shumë. Raporti i auditimit ka gjetur se të gjithë treguesit financiarë të kompanisë janë dukshëm më të larta se ato që parashikonte skenari fillestar i koncesionit. Kështu, gjatë kësaj periudhe aksionerët e koncesionit kishin parashikuar të merrnin 23 milionë euro dividentë, por në të vërtetë kanë marrë 90 milionë euro ose gati 4.5 herë më shumë. Prej vitesh, “Tirana International Airport” rezulton një nga koncesionet me fitimet më të larta në Shqipëri. Sipas bilancit zyrtar, për vitin 2017 kompania realizoi një normë fitimi prej 22 milionë eurosh, ose 46 për qind mbi të ardhurat bruto. Në kontratën koncesionare të nënshkruar në vitin 2004 ekziston një pikë, e cila i jep të drejtë secilës nga palët të kërkojë rishikim të pavarur të pozicionit ekonomik të koncesionit. Kjo ishte hapësira që shfrytëzoi qeveria shqiptare verën e vitit të kaluar, për të kërkuar auditimin e koncesionit nga një ekspert i pavarur. Disbalanca e madhe ekonomike e koncesionit, tashmë e konfirmuar edhe nga eksperti i pavarur që auditoi kontratën, i jep të drejtë qeverisë shqiptare që të kërkojë negociata me kompaninë për të vendosur ekuilibrin. Kjo do të thotë se qeverisë i lind e drejta të kërkojë kompensim financiar nga koncesionari, nëpërmjet disa mënyrave, ose përmes pagesave që kompania duhet të derdhë në buxhetin e shtetit, ose përmes uljes së tarifave aeroportuale, të cilat do të çonin automatikisht në uljen e çmimit të biletave.
Tarifat në aeroport
Referuar kontratës koncesionare, rreth 40 euro është mesatarja e tarifave, që paguan një pasagjer që përdor Aeroportin “Nënë Tereza”, për çdo udhëtim me avion. Plot 10 euro për person janë taksë kalimi, që i shkon buxhetit të shtetit, ndërsa pjesa tjetër prej rreth 30 eurosh është e ardhur për koncesionarin, i cili ka hyrë në vitin e 15 të përdorimit. Një biznes, që siç rezulton nga auditimi që i është bërë kontratës koncesionare për të gjithë jetëgjatësinë, nga “BDO Albania” për llogari të Qeverisë, ka rezultuar me fitime shumë më të larta sesa ishte parashikuar në skenarin fillestar. Shuma mesatare 40 euro për çdo biletë udhëtimi duket larg shërbimeve që marrin pasagjerët. Kjo, duke marrë parasysh taksat që paguhen për të njëjtat shërbime në aeroportet e tjera të rajonit, apo me ato që kanë lidhje ditore me Rinasin. Por, ndërkohë që të ardhurat në këtë aeroport janë të larta, shërbimi i dhënë ndaj pasagjerëve që lëvizin atje nuk ka pësuar përmirësim. Në këtë aeroport, në një vit lëvizin më shumë se 2.9 milionë pasagjerë, por në ambientet e tij, ndërtuar vite më parë, mungojnë ambientet e ngjashme me një aeroport tjetër europian. Ngrohja nuk funksionon gjithmonë, ndërsa pasagjerët duhet të presin në këtë mënyrë për t’u larguar nga aeroporti.








































