Për 5 vite me radhë në krye të ministrisë së jashtme, Ditmir Bushati, ndërtoi një rrjet të paprecedentë nepotizmi, përmes të cilit njerëzit e tij të afërt kanë përfituar milionë euro para publike.
Kulmi i lidhjeve nepotike në Ministrinë e Jashtme arriti kur Bushati promovoi si zëvendësministre kushërirën e tij Odeta Barbullushi.
Një skandal që suprizoi edhe vetë shefin e qeverisë, Edi Rama, i cili u gjend para faktit të kryer kur u zbulua lidhja e ngushtë fisnore mes Bushatit dhe zëvendëses së tij. Madje për të shpëtuar perandorinë nepotike që ka ngritur në Ministrinë e Jashtme, në prag të shkarkimit të tij si ministër, Ditmir Bushati, nxitoi ta emërojë Odeta Barbullushin në postin e shefes së kabinetit.
Por Odeta Barbullushi ishte vetëm njëra nga degët në rrjetin e madh nepotik, që Bushati ndërtoi në Ministrinë e Jashtme. Për vite me radhë familja Bushati ka përfituar në konflikt të pastër interesi, miliona euro fonde në projektet e financuara nga Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës, për zbatimin e të cilave angazhohej si eksperte vetë bashkëshortja e ministrit Bushati, Aida Bushati (Gugu), siç tregohet nga dokumentet bashkangjitur.
Përmes këtyre projekteve, në konflikt të pastër interesi, bashkëshortja e ministrit të Jashtëm, hartonte raportet e Bashkimit Europian për Shqipërinë, të cilat duhet të ishin objektive dhe jashtë çdo lloj ndikimi apo influence. Kur skandali u bë publik në media, ish ambasadorja e BE në Tirana, Romana Vllahutin u detyrua të urdhëronte që bashkëshortja e ministrit të Jashtëm të mos përfshihej më si eksperte në projektet e delegacionit të BE-së në Shqipëri.
Lidhja me EMA
Por ndërhyrja e Bashkimit Europian nuk e ndali ministrin e Jashtëm. Me ndalimin e bashkëshortes për të marrë projekte nga BE, Bushati gjeti rrugë të tjera për të financuar dhe mbajtur në këmbë perandorinë e tij nepotike në sektorin e diplomacisë, këtë herë përmes shoqërisë civile.
Në jetëshkrimin e tij zyrtar, ministri i Jashtëm tashmë në ikje, përmend si një nga arritjet profesionale më rë rëndësishme, rolin e tij si themelues i shoqatës “European Movement Albania”. Objekti kryesor I kësaj shoqate është këshillimi dhe organizimi i aktiviteteve që lidhen me procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Por kush është EMA? Aktualisht në bordin e EMA-s është antare vetë bashkëshortja e Ministrit, Aida Bushati (Gugu), ndërkohe që anëtarët e tjerë të Bordit dhe stafit, si Florjan Xhafa, Borana Shala apo Evis Kopliku, janë një rreth i ngushtë njerëzish të besuar apo me lidhje fisnore të ciftit Bushati. Këta persona, ndër vite janë promovuar në poste drejtuese në Ministrinë e Jashtme apo në ministri të tjera, por për më tepër kanë marrë fonde të konsiderueshme nga buxheti i Ministrisë së Europës dhe Punëve të Jashtme.
Kryetari i EMA-s apo anëtari i bordit Florjan Xhafa janë përfshirë shumë herë në marrëdhënie financiare duke përfituar fonde nga Ministria e Jashtme apo nga projektet rajonale, ndërkohë që anëtarë të tjerë të kësaj organizate si Borana Shala, kanë shërbyer si Këshilltare në Kabinetin e Bushatit.
Madje Gledis Gjipali është promovuar edhe si përfaqësues i Shoqërisë Civile në Këshillin Kombëtar për Integrimin Europian të Kuvendit.
Konflikti evident i interesit është bërë aq i thellë sa që prej kohësh i vetmi sponsor dhe mbështetës i aktiviteteve të EMA-s, që drejtohet në hije nga çifti Bushati është vetëm Ministria e Jashtme, e drejtuar po nga Bushati. Perandoria nepotike e familjes Bushati në sektorin e diplomacisë dhe integrimit europian, i ka shkaktuar jo pak dëme Shqipërisë.
Përveç thithjes së miliona eurove nga fondet publike apo grantet e BE-së, ky rrjet nepotik ka manipuluar raportet e Bashkimit Europian për Shqipërinë duke mbuluar problemet e thella dhe korrupsionin si dhe duke paraqitur një realitet të rremë.














































