Ju lutem, një e-mail për në parajsë! Nuk jam e qetë, as do të jem, derisa ta botoj. Nuk premtoi koha t`ia dërgoj sa ishte gjallë. Kur u botua shkrimi im, nuk u prit mirë. Aty ishin të përfshirë edhe nxënësit e klasës së saj. Ishte klasa që e kisha më shumë për zemër dhe kisha dëshirë të shkoja dhe ta zëvëndësoja pa hezitim. Ishte klasa që dinte ta ndante orën e mësimit nga pushimi, ishte klasa që pushimit i thoshin pushim dhe mësimit mësim.
As në pushimin e gjatë nuk e ngrinin zërin, këshillonin njëri-tjetrin si na ka porositur mësuesja. Mundohesha,jo vetëm me ata nxënës, por me të gjithë sikur të isha duke u paguar, jo duke zëvendësuar rreth shtatëdhjetë ditë pune të plota pa pagesë, ishte viti i stazhit dhe kështu veprojnë me të gjithë mësuesit praktikantë, duke bërë punën e mësuesit zëvëndësues. Nejse, qëllimi nuk është ky.
Jo njëra mësuese e sëmurë, jo tjetra rast vdekjeje, jo mami në spital, jo përvjetori i prindit, njerëz jemi, gjëra që ndodhin. Ajo ishte e sëmurë për një periudhë kohe dhe s`e kishte lexuar shkrimin, kur kishte dalë. Sa keq u ndjeva, kur më tha : “Edhe klasën time e kishe sharë”. Megjithëse, kur kishte filluar viti i ri shkollor, mësuesja e re që mori klasën e saj, e kishte cilësuar atësi klasën më të sjellshme që kishte parë ndonjëherë dhe kjo u ishte mburrur: “A ju ka thënë ajo, se klasa ime ishte më e mira, apo e vërtetoni tani” ?
Po të kisha sharë klasën tënde unë s`vija dot të takoja, s`do të kisha fytyrë, lëre që kurrë nuk shaj, ngjarjet negative mezi i kaloj, kur ndodhin, kur i dëgjoj, që s`ke nga t`ia mbash, jo më që t`i përsëris, as që bëhet fjalë, s`i kthehem dy herë një filmi. Biles i urrej ata njerëz që komentojnë negativisht përqeshin dhe shajnë, por aq është niveli i tyre i sjelljes, kulturës. Klasën tënde e kam ngritur aq lart sa ty nuk ta merr mendja edhe tëtjerat. Te klasa jote, rreth njëzetë fëmijë shkruajnë poezi aq rrjedhshëm sa edhe vetë habitesh. Nxënësit e klasës tënde të kanë kushtuar poezi dhe mua m`i kanë lexuar. Ishte ai djali bukurosh dhe i mbushur, të kishte kushtuar një poezi të veçantë.
E pyeta se cilës mësuese ja ke kushtuar poezinë? Të gjitha mësueseve më tha duke buzëqeshur, por ajo poezi ishte enkas për ty, sepse deri në ato ditë vetëm ti u kishe dhënë mësim atyre engjëjve të vegjël. Po, e di,për kë e ke fjalën, kisha edhe vëllain e tij brezin e kaluar. Ai ishte ekzemplar në shkencë, është edhe sot dhe ky, ashtu është, por ky pëlqen letërsinë më shumë. Të gjithë ata prindër që e sillnin njëherë fëmijën tek unë, nuk më zgjidhnin sepse u dukesha “e egër” si natyrë, thjesht ashtu qëllonin njerëz të thjeshtë, nuk më ndërronin më, kërkonin që ta sillnin prapë fëmijën tjetër të radhës te klasa ime.
Te klasa jote kisha dëshirë të hyja në klasë, sepse ka klasa, që kur mësuesi hyn brenda duhet të jetë shumë i kujdesshëm, pasi ka mundësi të fluturojë ndonjë amita apo shishe ujë mbi dërrasë dhe pa dashje mund ta pësojë mësuesi/ja, ndërsa që nga fundi i klasës sufllaqja, hamburgeri apo patatina do të bëjnë kosh. Nuk kanë gjë me mësuesen, është sjellja e tyre e tillë, (ashtu janë mësuar në shtëpi), duke ua kthyer mbrapsht ushqimet motrave apo vëllezërve më të rritur, të cilët me porosinë e mamit, ia dërgojnë edhe në bankë ushqimin gjatë pesë minutëshit duke humbur edhe kohën e tyre të çmuar.
Jo vetëm klasën tënde, por asnjë klasë dhe nxënës nuk kam lënduar në atë shkrim, për më tepër që ai shkrim ishte një shkrim artistik ku rrit nivelin dhe standartin e shkollës/shkollave dhe të mësuesve në veçanti. Aq më shumë mësuesit që për këtë periudhë kohe dhe me këtë lloj sjelljeje të disa nxënësve, prindërve apo dhe tëshoqërisë, të cilët e quajnë punën dhe profesionin e mësuesisë, si nivelin dhe profesionin më të ulët që ekziston, për mua mësuesit janë heronjtë e vërtetë, duke ndjekur nga afër punën e tyre.
Një e-mail për në parajsë! Ti ishe frymëzuese, motivuese, mësuese dhe këshilluese e veçantë, nuk bëje shumë shoqe, por ato që i bëje shoqe nuk i harroje më, ishe si luftëtare gjithmonë. Ditën e fundit më thanë se u ngjite lart në kat të tretë dhe u tërhoqe vërejtje, se pse nuk po të bënin komplimente për veshjen tënde atë ditë. Po atë ditë pasi mbarove orarin e punës dole nga shkolla dhe përfundove në spital.
Fjete gjumë dhe s`pranove që të ktheheshe më, pavarsisht gëzimit të fundit që të priste në shtëpi, ku me padurim prisje që të thërriste gjyshe dhe ta thërrisje jetë, pavarsisht se sa ditë ndenje aty në spital. Apo nuk pranove që të ktheheshe më me qëllim që të mos e rëndoje dhe më shumë xhepin e vëllait, pasi më thoshe se shpeshherë ai t`i sillte ilaçet nga jashtë shtetit me lekët e tij, sepse për ty nuk gjendeshin këtu disa ilaçe, sepse pa ndihmën e tij, ti nuk do të jetoje akoma, sepse ti nuk do të ishe duke marrë më frymë, nuk do të ishe duke biseduar me mua.
Lëre pastaj, që kur bënim llogari rrogën ishte diçka qesharake dhe njëkohësisht na vinte keq, se përse shteti nuk i jep një rrogë të plotë mësuesve me nevoja derisa ata të dalin në pension (sepse ti në atë gjendje zëre se ishe, kishe nevojë për pushim dhe për trajnim). Sa mësues të tillë ka sot si ti, që luftojnë me jetën e tyre,mos pyet pastaj për dhimbjen dhe merakun që fshehin dhe mbajnë mbi supe nxënësit e vegjël duke parë dhe dëgjuar për mësuesen e tyre, ku disa prej nxënësve mësuesen e duan më “shumë” se mamin e tyre.
Kur mora në telefon një shoqe që të vija e të shihja në spital, m`u përgjigj se po atë ditë të kishin përcjellë për në banesën e fundit dhe se i kishte dalë nga mendja të më njoftonte, pasi edhe asaj/atyre u dukej si një ëndërr, sikur nuk ishte e vërtetë, sot ishe, sot s`je. Me zemër dhe me shpirt uroj që me sjelljen tënde në tokë të kesh zënë një vend të denjë dhe të bukur në parajsë. E di se je bërë një engjëll mbrojtës për familjen tënde dhe se nga lart po gëzon dhe shijon çdo çast të bukur dhe në ishklasën tënde. Kur duam të kujtojmë dhe të falenderojmë një njeri të dashur, të cilin e kemi humbur, nuk duhet ta kërkojmë dhe ta nderojmë vetëm ndër varreza, ku lulja vyshket dhe qiriu tretet, por të lutemi dhe ta ndjejmë praninë e tij në atë vend ku ka jetuar dhe kaluar kohën, gjatë gjithë jetës dhe veprimtarisë.
Zysh, tani mund ta humbas adresën tënde të e-mail, të cilën e shkruajte me dorën tënde, për më tepër e shihja dhe më kujtoheshe çdo ditë, pasi që ta kem më afër kompjuterit, e vendosa përmbys, lart në një raft ku merrja gotat dhe dashje pa dashje sa herë merrja gota apo ndonjë filxhan për kafe, ma kapte syri atë copë letër me atë shënim të shkruar me rezervë të kuqe dhe se hidhja dot. Jam e qetë se e shkruajta dhe do të ndjehem edhe më e qetë, kur ta dërgoj në gazetë, tani i takon botuesit, nëse do ta dërgojë e-mail për në parajsë apo jo.
E-mail … 1964@yahoo.fr.co
Drita Topjana,









































