Danimarka miratoi sot ligjin që detyron individët që kërkojnë qytetarinë të shtrëngojnë duart gjatë ceremonive, lëvizje që ka në fokus praktikat konservatore të refugjatëve muslimanë. Ligji i aprovuar nga koalicioni i djathtë në pushtet, thotë se prej 1 janarit aspirantët për qytetarë të natyralizuar të Danimarkës duhet të kryejnë gjestet tradicionale të kontaktit me autoritetet, si për shembull kryebashkiaku, ose ndryshe i refuzohet qytetaria. Masa është pritur me zemërim nga grupet e të drejtave, të cilët argumentojnë se diskriminon kundër muslimanëve që për arsye fetare nuk shtrëngojnë duart me njerëz të seksit të kundërt, çka ndodh dhe me disa besimtarë hebrenj. Martin Henriksen, zëdhënës i emigracionit për partinë nacionaliste daneze, kritike ndaj islamit, tha se masa mund të sjellë dhe ndalimin e shamive të kokës për gratë në ceremonitë e qytetarisë. “Nëse vjen në Danimarkë ku është zakon të shtrëngosh duart si përshëndetje, është e pahijshme të mos e bësh. Nëse nuk mund të bëhet as diçka kaq e thjeshtë atëherë nuk ka arsye të bëhesh qytetar danez”, tha ai.