Agjencia e Trajtimit të Pronave ka përfunduar procesin e shqyrtimit për 159 kërkesa të paraqitura nga subjektet përfitues, pronarë të pasurive të paluajtshme, pronë private, të prekura nga ndërtimet informale, që përfitojnë deri më tani kompensimin/shpërblimin në vlerë, në masën 70% të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me Vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave. Burime zyrtare nga ky institucion bëjnë me dije se procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave dhe i shpërndarjes së fondit të kompensimit është bazuar në ligjin nr.9482, datë 03.04.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar, në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar, dhe në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, në të cilët është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar. Sipas të njëjtave burime, për 159 kërkesat e mësipërme, për të cilat ka përfunduar procesi i shqyrtimit nga ana e ATP-së, ka rezultuar se dokumentacioni i tyre është në përputhje me kriteret e përcaktuara në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr. 383, datë 19.05.2010 “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, i ndryshuar. Nga ATP mësohet se 159 e miratuara përfitojnë këstin e parë, të dytë, të tretë, të katërt dhe të pestë të kompensimit në të holla, në një total prej 70% të vlerës totale të miratuar me VKM-të përkatëse.
Fondi financiar
Fondi financiar që shpërndahet nga ATP për këto 159 kërkesa është në vlerën 178 714 504,65 lekë. Ndërkohë, Agjencia e Trajtimit të Pronave njofton të interesuarit se vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë e tyre në bankat e nivelit të dytë pas përfundimit të procedurave të transfertave bankare në ditët në vazhdim. Sipas VKM mbi bazë të të cilit është bërë procesi i shqyrtimit të këtyre kërkesave, ATP-ja brenda 5 ditëve nga miratimi i kërkesës dhe listës së subjekteve që kompensohen, kryen veprimet me degën e thesarit dhe bankën e nivelit të dytë për derdhjen e shumës në depozitën bankare, të hapur për këtë qëllim nga subjekti përfitues, në përputhje me procedurat e përcaktuara në legjislacionin në fuqi për kryerjen e pagesave nga Buxheti i Shtetit. Për marrjen e kësteve në vijimësi, përfituesi nuk duhet të paraqesë kërkesë të re për përfitim. ATP-ja, në varësi të kritereve të shpërndarjes së fondit të kompensimit dhe gjendjes së tij, bën derdhjen e shumës përkatëse në depozitën bankare, të hapur për këtë qëllim nga subjekti përfitues, duke e njoftuar atë për veprimin bankar të kryer. ATP-ja realizon ndarjen e fondit të kompensimit të pronave në vlerë proporcionale me masën përkatëse të parashikuar në listat bashkëlidhur vendimeve të Këshillit të Ministrave, që përcaktojnë shpërblimin e pronarëve për pasuri, të cilat preken nga ndërtimet informale, deri në të njëjtën masë të përfituar në këstin e parë nga subjektet e kompensuara më parë. Pjesa e fondit, e mbetur pa u shpërndarë, si pasojë e mosaplikimit të subjekteve përkatëse, shpërndahet nga ATP-ja në vlerë proporcionale, për këstet e mbetura të subjekteve që kanë përfituar të drejtën e shpërblimit më parë në kohë.