Klosi dhe Ngjela: Organet e reja të drejtësisë kanë trembur politikën, shumë emra po përgatiten të bllokojnë luftën antikorrupsion, do t’i fundosë pasuria

0
320

Zhvillimet e ditëve të fundit të reformës në drejtësi kanë shkaktuar shqetësim në politikën shqiptare. Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, duke komentuar për gazetën “SOT” ngritjen e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe të Këshillit të Lartë Gjyqësor, deklaroi se ka shumë politikanë që janë vënë në lëvizje për të bllokuar reformën në drejtësi. Sipas tij, edhe sot ka emra që po përpiqen ta bllokojnë thellimin e kësaj reforme, krijimin e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion dhe luftën kundër korrupsionit në nivele të larta, por theksoi se diçka e tillë nuk do të arrihet dot. “Edhe pse ka pasur përpjekje, për hir të së vërtetës ka njerëz që nuk e duan këtë proces, kjo është diçka shumë e madhe dhe nuk do t’ia dalin dot. Fakti që erdhën deri këtu kur po diskutohej shumë jo do bëhen, jo s’do bëhen dhe gjërat po bëhen. Kjo tregon që ata që duan t’i bëjnë mesa duket e kanë shumë seriozisht dhe janë fare të vendosur për ta çuar deri në fund. Kështu që unë kam shpresë që edhe institucioni i fundit do të konstituohet dhe le të shpresojmë pastaj që do të jetë një armë e fortë kundër korrupsionit. Ata që e përdorin korrupsionin, sigurisht që më parë kanë menduar se si do ta fshehin, i kanë menduar të gjitha etapat. Si çdo gjë e re do të hasen në fillim probleme, ata që kanë frikë prej tyre po përgatiten. Ata po përgatiten të mbrohen kështu që gjërat s’mund të jenë aq të lehta”, tha Fatos Klosi. Ai u shpreh shpresëplotë se ngritja e organeve të reja të drejtësisë është një hap i madh pozitiv, nga ku tani pritet të nisë edhe lufta kundër korrupsionit në nivele të larta. Megjithatë ai theksoi se rënia në gjurmët e të korruptuarve nuk është diçka e thjeshtë. “Unë kam qenë dhe jam shpresëplotë që do të ketë luftë kundër korrupsionit meqenëse është një ndërmarrje shumë e madhe. Megjithëse u vonua pak, edhe këto zgjedhjet e fundit që u bënë për KLGJ dhe KLP, prapë nuk besoj se do të pengohet dot. Kemi pritur shumë dhe nuk prish asnjë punë të presim edhe pak. E rëndësishme është që të bëhet. Është një ndërmarrje shumë e rëndësishme. Është e vështirë të gjurmosh korrupsionin në nivele të larta. Në të gjithë botën, për të gjithë dëgjojmë që zbulohen fakte të reja për korrupsionin edhe në nivele fare të larta. Kështu që kjo tregon që nuk është një punë fare e kollajshme.”, u shpreh Fatos Klosi.

Reagimi i Ngjelës

Avokati Spartak Ngjela paralajmëroi ditën e djeshme se me ngritjen e organeve të reja të drejtësisë dhe hapjen e rrugës për SPAK, të gjithë të korruptuarit do ta kenë pisk punën. Në një prononcim për gazetën “SOT”, ai tha se korrupsioni kryeministror është hetuar nga ndërkombëtarët, ndërsa me ngritjen e SPAK, Ngjela pret edhe goditjet e para. Sipas tij, të korruptuarit do të gjurmohen dhe fundosen nga pronat dhe pasuritë që kanë vënë mbi bazën e korrupsionit. “Gjithë ky pështjellim juridik me gjithë këtë procedurë kaq speciale bëhet vetëm sepse korrupsioni është në nivele të larta. Dhe duke qënë në nivele të larta, nuk kishte drejtësi për ta gjykuar dhe luftuar. Edhe Kushtetuta, edhe ligjet organike, edhe KLP, edhe KLGJ, edhe Prokuroria e Posaçme, edhe Gjykata e Posaçme, të gjitha këto bëhen për të goditur nivelet e larta të korrupsionit qeveritar. Kjo nuk diskutohet, qoftë edhe deputetë. Korrupsioni ju garantoj unë është i hetuar nga FBI dhe nga policia amerikane, evropiane dhe nga të gjitha vendet e BE. Është i gjithi gati, me prova dhe me të gjitha. Natyrisht që më pas do të vijohet tek identifikimi i pronave të të korruptuarve. Ka shumë prona të blera nga këta, ka shumë prej këtyre të korruptuarve që kanë mijëra hektarë. Këto të gjitha do të vihen në hetim”, tha Spartak Ngjela. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here