Portalet futen në ligjin për mediat audiovizive, pezullim aktiviteti dhe gjoba deri në 10 milionë lekë për ata që shkelin parimet e gazetarisë

    0
    416

    Një draft me ndryshime në ligjin “Për mediat audiovizive në republikën e Shqipërisë” i nxjerrë për konsultim ka në fokus përfshirjen e portaleve në kuadrin ligjor dhe rregullimin e mënyrës se si funksionojnë këto të fundit. Duke përfshirë në ligj termin OSHPM, që do të thotë Ofruesi i Shërbimit të Publikimeve Elektronike përcaktohet qartë se kush do të futet në kategori. “Ofruesi i shërbimit të publikimeve elektronike është personi fizik ose juridik, i regjistruar në regjistrin e ofruesve të publikimeve elektronike, që ofron shërbime të publikimit elektronik”, thuhet në draftligj.

    Detyrat e OSHPM

    “Neni 33/1

    Detyrimet e OSHPE-ve

    Në nenin 33/1 të draftligjit përcaktohen dhe parimet mbi bazë të të cilave do të duhet të funksionojnë portalet. Kështu, ofruesi i shërbimit të publikimit elektronik duhet të: sigurojë që publikimet të shfaqen në një mënyrë të vërtetë, të paanshme dhe objektive; sigurojë që trajtimi i ngjarjeve, përfshirë çështjet, që janë tema të debatit publik, të jetë i drejtë për gjitha subjektet e interesuara në këto çështje dhe të paraqitet në mënyrë të vërtetë dhe të paanshme; vendosi masa mbrojtëse për mospërdorimin e tyre për qëllime kriminale; mos cenojë dinjitetin dhe të drejtat themelore të njeriut; ofrohen për të gjithë përdoruesit njëlloj, pa dallime ndërmjet sekseve, racave, besimit, etnisë apo bindjeve të personave që i përfitojnë ato; të mos cenojnë sigurinë kombëtare dhe sigurinë e publikut; mos cenojnë shëndetin publik; respektojë rregullat e etikës dhe moralit publik dhe të mos lejojë shfaqen e publikimeve që mund të nxisin vepra penale; respektojë të drejtat e autorit, në përputhje me legjislacionin në fuqi për të drejtën e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të.

    Ankesat

    Në draft ligjin e hedhur për konsultim është parashikuar dhe mënyra se si do të funksionojnë ankesat e palëve të treta të prekura drejtpërdrejt nga një pasqyrim informacioni në këto publikime elektronike. Palës së tretë i lind e drejta të ankohet fillimisht pranë operatorit dhe të marrë përgjigje brenda 24 orësh. Nëse kjo nuk ndodh, është Këshilli i Ankesave pranë Autoritetit të Mediave Audiovizive që do të japë zgjidhje. Këshilli i Ankesave, brenda 72 orësh nga depozitimi /paraqitja e ankesës, vendos mbi ankesën përkatëse ose nga paraqitja e pretendimeve të OSHPE në rastet e zbatimit të pikës 6 të këtij neni.Këshilli i Ankesave, kur e çmon të nevojshme, ia kalon ankesën e paraqitur OSHPE-së për të paraqitur pretendimet e veta brenda 48 orësh. Pas shqyrtimit të ankesës dhe/ose pretendimeve të OSHPE-së, Këshilli i Ankesave, nëse çmon se ka shkelje, merr masat përkatëse, duke përfshirë sanksionet në përputhje me këtë ligj.

    Pezullimi i aktivitetit

    Në një nen specifik, AMA ka përcaktuar edhe rastet e pezullimit të aktivitetit për ata ofrues të shërbimit të publikimeve elektronike ku duket se do të ketë një bashkëpunim të ngushtë me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare. “Për shkelje të kryera nga ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike, AMA kërkon nga Autoriteti i Komunikimit Elektronik dhe Postar marrjen e këtyre masave plotësuese: Pezullim/bllokim të aksesit në internet, për një afat 24 orë, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer 3 kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj. Pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat 7 ditor, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se katër kundërvajtje administrative dhe pezullim/bllokim të aksesit në internet për një afat njëvjeçar, nëse brenda një viti kalendarik ka kryer jo më pak se 5 kundërvajtje administrative të parashikuara nga ky ligj”, thuhet në draft. Në këtë rast, AMA i referohet atyre ofruesve që janë të regjistruar në AKEP. Për ofruesit e shërbimeve të publikimeve elektronike që nuk janë të regjistruara në AKEP, AMA do të kërkojë bllokimin e aksesit të shërbimit të publikimit elektronik ne territorin e Republikës së Shqipërisë, për një afat 24 orësh, nëse nuk marrin në shqyrtim ankesat e përcjella prej Këshillit të Ankesave, më shumë se tre herë gjatë një viti kalendarik; bllokimin përfundimtar/mbylljen e aksesit të shërbimit të publikimit elektronik në territorin e Republikës së Shqipërisë nëse nuk marrin në shqyrtim ankesat e përcjella prej Këshillit të Ankesave, më shumë se katër herë gjatë një viti kalendarik.

    Gjobat

    Në rastet kur portalet nuk respektojnë parimet që sanksionon neni 33 pika 1 e ligjit që lidhen me vërtetësinë, paanshmërinë, objektivitetin, moscënimin e të drejtave dhe dinjitetit dhe një seri kushtesh të tjera, AMA vendos për gjoba nga 100 mijë lekë deri në 1 milionë lekë. Kur nga portalet nuk është respektuar kërkesa në nenin 53 pika 1 që sanksionon se çdo person, dinjiteti dhe reputacioni i të cilit janë prekur nga publikimi i fakteve dhe informacioneve jo të sakta në një transmetim, ka të drejtën e përgjigjes, apo vendimi i Këshillit të Ankesave gjoba që aplikohet është 800 mijë lekë. “Shkeljet e mëposhtme, të kryera nga OSHPE-të, kur nuk përbëjnë vepër penale janë kundërvajtje administrative dhe dënohen: Me gjobë nga 100 000 lekë deri në 1 000 000 lekë kur nuk respekton detyrimet e nenit 33/1 të këtij ligji; Me gjobë në masën 800 000 lekë kur nuk respekton vendimin e Këshillit të Ankesave apo të drejtën e përgjigjes, sipas nenit 53/1 të këtij ligji”, thuhet në draft.

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here