Muzeu Historik Kombëtar organizon nesër veprimtarinë “Një pasdite në muze!” me temë: “Rëndësia e Kongresit të Manastirit!”. Këto takime periodike bëhen me qëllimin për të sensibilizuar shoqërinë shqiptare mbi çështje të ndryshme të historisë, kulturës dhe trashëgimisë kombëtare shqiptare. “Gjithashtu, veprimtaria “Një pasdite në muze!” ka për qëllim ngjizjen e një debati profesional në disiplina të ndryshme”, shkruan institucioni. Për të referuar për këtë temë do të jenë të pranishëm dr. Dorian Koçi, drejtor i Muzeut Historik Kombëtar dhe dr. Rovena Vata, kritike dhe studiuese e letërsisë/pedagoge. Kongresi i Manastirit dhe vendimet e tij përbëjnë një nga ngjarjet më të rëndësishme në historinë e popullit shqiptar. Për herë të parë pas kuvendeve, që u mbajtën në periudhën e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe të Lidhjes së Pejës (1899-1900), u mblodhën në këtë kongres përfaqësues nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe u morën vendime të rëndësishme për çështjen e alfabetit e për ato politike, që ndihmuan për ngritjen në një shkallë më të lartë të kulturës e të arsimit shqiptar, si edhe për bashkimin e tij të mëtejshëm në luftën për çlirimin kombëtar.
Kongresi u mbajt prej shoqërisë “Bashkimi” në shtëpinë e Fehim Zavalanit, ku ishte edhe selia e shoqërisë. Pjesëmarrësit në kongres ishin figura të dalluara të jetës kulturore e politike mbarëshqiptare. U thirrën 50 delegatë, përfaqësues të njëzetetre qyteteve të banuara nga shqiptarët, shoqërive kulturore e patriotike, tridhjetedy nga të cilët kishin të drejtë vote dhe tetëmbëdhjetë vëzhgues. Ndër delegatët më të shquar qenë Gjergj Fishta, Mit’hat Frashëri, Sotir Peci, Ndre Mjeda, Shahin Kolonja, Bajo Topulli, Parashqevi Qiriazi. Delegatë të tjerë nga familja ishin Izet Zavalani, përfaqësues i Follorinës dhe Gjergj Zavalani. Muzeu Historik Kombëtar organizon këtë takim shkencor-social me një natyrë periodike, për të përkujtuar figura të shquara të historisë dhe të letërsisë shqiptare, ballkanike dhe europiane që kanë shkruar dhe kanë kontribuar për evidentimin e vlerave kulturore. Në këtë veprimtari do jenë të pranishëm dhe të ftuar, akademikë, studiues e miq, studentë dhe dashamirës të fushave të ndryshme. Veprimtaria do të zhvillohet nesër në ora 17.00, pranë bibliotekës së muzeut.