Ngritja e KLGJ dhe KLP, ja emrat e parë që do marrin në dorë organet e drejtësisë, 6 gjyqtarë dhe prokurorë e kanë të sigurt fitoren

    0
    596

    Zbardhen gjashtë emrat e parë që pritet të jenë anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Në datat 11 dhe 12 dhjetor Prokuroria e Përgjithshme dhe Gjykata e Lartë do të mbledhin të gjithë prokurorët dhe gjyqtarët për të përzgjedhur anëtarët e KLGJ dhe KLP. Si për Prokurorinë e Përgjithshme, ashtu edhe për Gjykatën e Lartë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka dorëzuar një listë me nga 10 kandidatë. Por nëse i vërejmë me kujdes të dyja listat dhe përcaktimet ligjore për përbërjen e organeve të reja të drejtësisë, bie në sy që gjashtë prokurorë dhe gjyqtarë pritet të bëhen automatikisht pjesë e KLGJ dhe KLP pasi nuk kanë asnjë konkurrent. Në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” thuhet se dy prej të zgjedhurve për KLP duhet të jenë prokurorë të prokurorive pranë gjykatave të apelit, një nga Prokuroria e Apelit Tiranë dhe një tjetër nga rrethet. Në listën e prokurorëve që kanë kandiduar për Këshillin e Lartë të Prokurorisë ka vetëm një kandidat nga Apeli i rretheve (Arben Dollapaj nga Prokuroria e Apelit Shkodër) dhe vetëm një nga Apeli i Tiranës (Bujar Sheshi-Prokuroria e Apelit të Krimeve të Rënda që në këtë rast njihet si Apeli i Tiranës). Duke qenë se janë kandidatë të vetëm, automatikisht ata janë anëtarë të KLP. Ligji përcakton më tej që një prej të zgjedhurve duhet të jetë përfaqësues i Prokurorisë së Përgjithshme e në këtë pikë prokurorët do të duhet të zgjedhin midis Kostaq Belurit dhe Anila Lekës. Ndërsa sa u takon 3 prokurorëve që duhet të jenë nga Prokuroria e Shkallës së Parë, një prej tyre duhet të jetë me patjetër nga Prokuroria e Tiranës. Nga kjo prokurori ka vetëm një kandidate, Antoneta Sevdari, çka do të thotë se edhe ajo mund të cilësohet si anëtare.

    Anëtarët e KLGJ

    Si për KLP, edhe për Këshillin e Lartë Gjyqësor dalin automatikisht nga lista 3 anëtarët e parë. Ligji përcakton që së paku një prej anëtarëve duhet të jetë anëtar i Gjykatës së Lartë dhe në këtë rast kemi vetëm një kandidat, Medi Bicin. Më tej, dy prej të zgjedhurve duhet të jenë gjyqtarë të apelit, ku një prej tyre duhet të jetë nga Apeli i Tiranës. Në këtë pikë kemi vetëm Ilir Toskën. Ndërsa për një prej anëtarëve që duhet të jetë përfaqësues nga Gjykata e Shkallës së Parë jashtë Tiranës është vetëm emri i Marçela Shehut nga Gjykata e Kurbinit, pra nuk ka mundësi zgjedhjeje.

    Lobimet mes gjyqtarëve dhe prokurorëve

    Për KLP duhen edhe dy prokurorë të shkallës së parë dhe këtu duhet të zgjidhet mes Besnik Muçit-Prokuroria e Krimeve të Rënda, Dritan Prençit-Prokuroria Kukës, Gentian Osmanit-Prokuroria e Krimeve të Rënda, Vatë Stakës-Prokuroria Shkodër dhe Besnik Canit-Prokuroria Elbasan. Sipas burimeve të gazetës, këta prokurorë kanë nisur lobimet tek kolegët e tyre me qëllim që të jenë ata që do të gëzojnë postin e anëtarit të KLP. Ndërsa për anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë që duhet të jenë nga Gjykata e Apelit të rretheve janë në garë Brikena Ukperaj nga Apeli i Vlorës dhe Nertina Kosova nga Apeli i Krimeve të Rënda. Që të dyja këto gjyqtare, po zhvillojnë “fushatë zgjedhore” në heshtje. Ndërsa nga gjyqtarët e shkallës së parë ka konkurrencë të fort në Gjykatën e Tiranës midis Alma Bratit, Astrit Faqollit, Brunilda Kadit, Manjola Xhaxhos dhe Dritan Hallunajt nga Gjykata e Krimeve të Rënda. Nga këta emra, duhet të dalin 3 anëtarë të KLGJ që përfaqësojnë Gjykatën e Shkallës së Parë.

    Mimoza Ibra

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here