Pas shtyrjes së fundit të seancës gjyqësore, në ambjentet e Gjykatës Penale është zhvilluar përballja e radhës mes Taulant Ballës dhe Lulzim Bashës lidhur me çështjen e Toyota Auris. Edhe kësaj here, kreu i PD-së, Lulzim Basha ka zgjedhur që të mos jetë i pranishëm në seancë duke u përfaqësuar nga dy avokatët e tij, Gazment Bardhi dhe Ivi Kaso.
Gjatë seancës, gjyqtari Gerdi Hoxha ka pyetur avokatët e Bashës, Bardhin dhe Kason mbi emrin personin që i ka dhënë informacionin Bashës për përfshirjen e Taulant Ballës në çështjen e Toyota Auris.
Pyetjes së gjyqtarit,avokati Bardhi i është përgjigjur se kreu i PD-së nuk do ta tregojë burimin por ka siguruar se informacioni ishte i saktë.
“Informacioni ishte i saktë dhe kjo u provua. E pranon dhe Balla në kallëzimin e tij se Basha është informuar nga një burim i besueshëm pjese e hetimit”, deklaron Gazment Bardhi, avokat i Bashës.
Si kundërpërgjigje ndaj mbrojtjes së Bashës, Balla thotë se me këtë logjikë i bie që e ka informuar ai pasi kallëzimi është pas deklaratave të Bashës.
“Të dënohet Basha për këtë shpifje. S’kam asnjë lidhje as me paratë e as me kriminelët. S’kam dhënë e s’jap garanci për asnjë delikuent. Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim penal ndaj Bashës për tregtim të informacioneve sekrete”, u shpreh Taulant Balla, deputet i PS-së.
Kësaj deklaratë i është përgjigjur avokati dhe eksperti ligjor në PD, Gazment Bardhi: “Kjo është e pavërtetë. Ndaj Bashës nuk ka asnjë procedim. Ai ka dhënë deklarime në Prokurori dhe ka treguar gjithçka di.”
Seanca e radhës mes të dy politikanëve në ambjentet e Gjykatës Penale është vendosur data 18 dhjetor.