Donald Tusk: Nëse Parlamenti britanik s’voton marrëveshjen, vendi mbetet në BE

0
442

Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk ka paralajmëruar dje nga samiti i G-20 në Argjentinë deputetët britanikë, se nëse nuk e mbështesin marrëveshjen për tërheqje të Britanisë së Madhe nga BE, vendi do mbetet pa marrëveshje ose duhet të rikthehet në Bashkimin Evropian. Tusk tha se dëshiron që ta bëjë të qartë se marrëveshja e nënshkruar është e vetmja e mundshme, duke reaguar ndaj spekulimeve se kryeministrja britanike mund ta rinegociojë marrëveshjen për të kërkuar një status të ngjashëm me Norvegjisë. “Disa ditë para votimit në parlamentin britanik, po bëhet më e qartë se kjo marrëveshje është më e mira e mundshme. Nëse deputetët e refuzojnë atë, e tëra që mbetet është tërheqja pa marrëveshje ose mbetja në BE. Dua t’ju siguroj se BE është e përgatitur për çdo lloj skenari”, tha Donald Tusk, duke e quajtur akordin “një divorc i organizuar” mes Britanisë së Madhe dhe Bashkimit Evropian.

Akord me një këmbë në varr

Paralajmërimi i Tusk vjen pasi kryeministrja Theresa May ka nisur përplasje të ashpra me deputetë dhe ministra të kabinetit që refuzojnë marrëveshjen, si dhe duke refuzuar mundësinë e një Brexit “me stil norvegjez”, nëse humbet votën parlamentare mbi akordin. Në lidhje me marrëveshjen norvegjeze ajo tha se nuk garanton lëvizjen e lirë dhe rrjedhimisht as atë që njerëzit kërkuan me votën e referendumit. Ajo paralajmëroi konservatorët e saj rebelë se do të përçajnë Britaninë nëse nuk votojnë marrëveshjen e saj dhe insistoi se mund të arrijë të marrë mbështetjen e parlamentit. Duke folur me gazetarët gjatë fluturimit për në Buenos Aires, ajo tha:  “Që në fillim të negociatave me BE, kishim dy opsione në tavolinë, njëri ishte ndarje në stil norvegjez, ndërsa tjetri i stilit të marrëveshjes së tregtisë së lirë si Kanadaja”. Kryeministrja shtoi se vendi nuk do të “lulëzonte” nëse politikanët nuk bashkoheshin rreth marrëveshjes së saj. Ajo mbërriti dje në Argjentinë për samitin e liderëve botërorë të G-20, ku e pret detyra tjetër, ajo për të bindur presidentin amerikan Donald Trump se e kishte gabim kur tha se marrëveshja e Brexit është e keqe për tregtinë Britani-SHBA.

100 konservatorë kundër marrëveshjes

Megjithë paralajmërimin e Bankës së Anglisë se shkëputja e vendit nga BE pa marrëveshje, do të kishte ndikim të tmerrshëm në të ardhurat e popullsisë, mediat britanike trumbetonin më herët se 100 deputetë të Partisë Konservatore të May, e kundërshtojnë atë. Konservatori Matthew Offord u bë i fundit që doli kundër marrëveshjes, duke paralajmëruar se pakti me BE do ta rrezikonte bashkimin e Britanisë me Irlandën e Veriut. Në një mbrëmje sfiduese, May i akuzoi konservatorët e saj “rebelë” dhe i kërcënoi me vendet e tyre të punës. “Unë mendoj se çdo deputet duhet të mendojë për nevojën për të kontribuuar në Brexit dhe në një zgjidhje që është e mirë për popullin britanik. Një mënyrë që mbron vendet e punës së tyre, jetesën e tyre dhe të ardhmen e tyre”, tha ajo. Ndërkohë, Jacob Rees-Mogg, i cili është zotuar se do të votojë për marrëveshjen, tha: “Kjo tregon shqetësimin e thellë në të gjithë partinë. Nuk janë vetëm disa rebelë dhe kjo do të thotë se shumica e deputetëve që nuk janë në qeveri në asnjë kuptim nuk janë mosmirënjohës ndaj marrëveshjes”.

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here