Avokat Spartak Ngjela ka paralajmëruar dje se furtuna e luftës ndaj korrupsionit është afër. Përmes një postimi në rrjetet sociale për mbledhjen e përbashkët të qeverisë Shqipëri-Kosovë, ai tha se Haradinaj tregoi se është me shqiptarët. Por sipas avokatit, politikanët shqiptarë e kanë mendjen si t’i shpëtojnë hetimeve.
“Kosova më në fund e gjeti liderin e saj, Ramush Haradinaj, që është me shqiptarët dhe jo me fqinjët aneksues historike territoresh shqiptare. Po Shqipëria? Shqipëria ende po noton në marrëzinë e liderëve të blerë nga fqinjët, aneksues dhe genocidialë antishqiptarë, të cilët duan që me çdo mjet të ndalojnë ngritjen e Prokurorisë së Posaçme dhe Gjykatës së Posaçme. Edhe Athina zyrtare dhe Beogradi zyrtar kanë tmerr nga reforma antikorrupsion në Prishtinë dhe në Tiranë. Janë në mbrojtje të korrupsionit që drejton Shqipërinë. Janë të dështuar. Lodhen kot. Antikorrupsioni iu ka marrë Kushtetutën”, tha ai. Avokati ka treguar precedentët në rajon.
Sipas tij, ajo që ndodhi me Gruevskin, do ndodhë dhe këtu. “Është Prokuroria dhe Gjykata Speciale në Shqipëri, në Kosovë dhe në Maqedoni që pritet të eliminojë korrupsionin e lartë politik të tre shteteve. Është Prokuroria Speciale në Shkup që procedoi ish Kryeministrin Gruevski, por është gjykata Speciale në Prishtinë që “tërboi” të korruptuarit e mëdhenj të Prishtinës që shkuan deri në paturpësinë historike për të shpërbërë Kosovën territoriale. Po nuk janë të parët. Kështu ka qenë në 120 vjet rresht. Por këta, në Tiranë dhe në Prishtinë, sot, janë të fundit. Është e rëndë kur e mendon si histori, por është e vërtetë”, tha ai. Avokat Ngjela deklaroi se më të frikësuarit nga reforma në drejtësi janë Sali Berisha dhe njerëzit e tij. “Prokuroria e Posaçme, edhe Gjykata e Posaçme janë dy institucionet ligjzbatuese dhe goditësit më kryesorë, të cilat, opinioni i shëndoshë shqiptar, po i pret me padurim dhe gjithë shpresë. Ligji për Prokurorinë e Posaçme, dhe për Gjykatën e Posaçme është miratuar që në tetor të vitit 2016, por që deri tani është penguar nga Gjykata Kushtetuese e degraduar shqiptare, e cila aktualisht është jashtë funksionit. Vonesa ka ardhur edhe nga sorrollatja ligjore e korrupsionit kryeministror shqiptar, të të dy krahëve të politikës. Por më e trembur duket se është aradha korruptive e Sali Berishës, e cila sot po shihet se është hedhur në sulm antishqiptar me çdo mjet”, tha ai.