Atentati ndaj Edison Harizajt, viktima mori telefonatë misterioze 20 sekonda përpara ekzekutimit

0
490

Detaje të reja kanë dalë në dritë në lidhje me ekzekutimin mafioz të të fortit të Vlorës, Edison Harizaj dhe mikut të tij Gentian Caci. Grupi hetimor po punon intensivisht për atentatin mafioz, ku Harizaj u ekzekutua në qytetin e Durrësit. Nga hetimet e deritanishme rezulton se 39-vjeçari, vetëm pak sekonda para atentatit ka marrë një telefonatë. Nga këqyrja e tabulateve telefonike rezulton se vetëm 25-30 sekonda përpara se të ekzekutohej është telefonuar nga një person ende i paidentifikuar. Po punohet për zbardhjen e kësaj bisede, ku dyshohet se pas kësaj telefonate fshihej vetë porositësi i vrasjes së dyfishtë. Burime nga grupi hetimor thonë se po punohet intensivisht për zbardhjen e kësaj bisede, e cila pritet të japë detaje të reja dhe të vlefshme për të zbuluar dhe për të shkuar drejt personave që janë të lidhur me këtë ngjarje kriminale. Gjithashtu gjatë zbërthimit të celularit të 39-vjeçarit është zbuluar se para atentatit ai ka shkëmbyer mesazhe dhe me dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve një emër i njohur në botën e krimit. Në lidhje me këtë ngjarje të rëndë kriminale nuk jepen shumë detaje dhe nuk bëhet me dije përmbajtja e tyre, pasi hetimet janë në vijim. Sipas grupit hetimor dyshohet se lëvizja e Edison Harizajt dhe Genci Cacës nga Vlora në Tiranë, dhe më pas kthimi nga Durrësi nuk ka qenë i rastësishëm. Porositësit e atentatit apo vetë autorët, kanë ndikuar në lëvizjen e viktimave, duke krijuar mundësinë e ekzekutimit. 39-vjeçari nuk është emër i panjohur për autoritet në vend, pasi që në vitin 1999, ka qenë i dënuar për vrasje nga Gjykata e Vlorës. Ndërsa ka qenë i dyshuar edhe për një sërë ngjarjesh të tjera kriminale. Ai prej 4 muajsh ishte vënë nën hetim nga prokuroria e Vlorës për zhdukjen e Albano Xhaferrit. Gjithashtu viktima e atentatit të së martës është hetuar dhe për atentatin me eksploziv ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi, i cili gjeti vdekjen pasi makina e tij u hodh në erë në mes të Vlorës, në 9 shtator të vitit 2011. Ndërsa në qershor të vitit 2012, tek rrethrrotullimi i Shëngjinit, ai u arrestua në një makinë të blinduar me Emiljano Shullazin. Pas verifikimit në polici, i riu nga Vlora u la i lirë por gjatë gjithë kësaj periudhe deri në verën e këtij viti, ka qenë nën mbikëqyrjen e policisë. Policia e Durrësit, në bashkëpunim me prokurorinë, kanë shtrirë hetimet në tre qytete, Durrës, Vlorë dhe Tiranë.

Ngjarja

Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen nr.13 të qytetit të Durrësit, rreth orës 22:50 të datës 7 të këtij muaj. Automjeti tip “Audi”, me shofer Gentian Cacin dhe pasagjer Edison Harizajn, ishte duke udhëtuar në drejtim të Kavajës, kur para i ka zënë rrugën një makinë dhe nga një makinë tjetër është qëlluar me breshëri kallashnikovi, duke lënë të vdekur në vend Harizajn dhe mikun e tij. Në këtë atentat sipas grupit hetimor kanë marrë pjesë dy automjete ku njëri i ka prerë rrugën “Audit”, me të cilin po udhëtonin dy viktimat ndërsa nga një automjet tjetër është qëlluar me breshëri kallashnikovi duke lënë të vdekur 39-vjeçarin, Edison Harizaj dhe plagosur rëndë mikun e tij Genci Caci, i cili do ndërronte jetë në spitalin e traumës pa u mbushur 24 orë nga ngjarja. Vetëm pak orë pas ngjarjes, policia gjeti të djegur një automjet tip “Mercedes-Benz”, me të cilin dyshohet se është kryer atentati që i mori jetën Harizajt. Referuar burimeve, dyshohet se autorët, të cilën dyshohet se janë të paktën tre persona, e kanë djegur mjetin, në mënyrë që të humbnin gjurmët dhe janë larguar prej andej me një mjet tjetër. Konkretisht, makina është gjetur në Shën Vlash të Durrësit, ndërsa nuk dihet drejtimi nga i cili janë larguar autorët, pasi zona nuk ka as kamera sigurie. Kujtojmë se pothuajse në të gjitha vrasjet e fundit në vend, autorët përdorin mjete të grabitura dhe pas vrasjes, i djegin ato në mënyrë që të humbasin gjurmët dhe çdo provë shkencore. Ende nuk dihen motivet konkrete të krimit dhe as se kush qëndron pas tij, por ajo që dihet se autorët i kanë ndjekur viktima që do të vrisnin. Kjo do të thotë se atentati ka qenë i mirëorganizuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here