Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe ka hedhur poshtë zërat se deputeti i PD, Florion Mima është një nga kandidaturat e këtij komisioni për anëtar të Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Në një reagim gjatë mbledhjes së komisionit, Braçe pranoi se ka patur një takim me Jorida Tabakun, nënkryetaren e komisionit, por në asnjë rast nuk është diskutuar për propozimet e emrave për anëtar të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, referuar disa mediave të cilat e kishin publikuar emrin e Florion Mimës si një nga emrat propozuar.
“Deputetët e PS nuk kanë ndërmend të propozojnë emra të PD. Është e vërtetë që jam takuar me zonjën Tabaku, por në një asnjë rast nuk kemi folur për emra të së majtës apo propozimet e deputetëve tanë apo për emra që vijnë nga deputetë të PD në kuvend. Përdorimi i emrave në këtë rast është i pavërtetë dhe i padrejtë.
Çfarë kam lexuar në disa portale, se mi kanë dërguar apo gazeta më rezulton se janë të rreme. Nuk kam negociuar me askënd për asnjë emër dhe nuk ka asnjë propozim për asnjë emër. Jam interesuar dhe s’ka asnjë listë deputetësh që ka propozuar emra për anëtar të këshillit mbikëqyrës së Bankës së Shqipërisë”, u shpreh Braçe.