Avokati Spartak Ngjela dhe ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi paralajmëruan dje se organet e reja të drejtësisë do të jenë gati shumë shpejt. Me përfundimin e procesit të vetingut për të gjithë kandidatët për Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor, hapet rruga e ngritjes së “krijesave” të reformës në drejtësi. Sipas Ngjelës, këto organe do të jenë gati deri në datën 15 dhjetor, ndërsa theksoi se përmes kësaj lëvizjeje do t’i hapet rruga Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Sipas tij, tani nuk ka më asnjë pengesë për këtë proces. “Unë e kam thënë që në 15 dhjetor do të ngrihen organet e reja të drejtësisë. Tani duket se nuk ka më asnjë pengesë për ngritjen e tyre. Jam i sigurt që Prokuroria e Përgjithshme do e hedhë shortin brenda pak ditësh, ndërsa për Gjykatën e Lartë pastaj nuk e dimë, varet nga kryetari. Shenjat janë që kryetari mund të ketë probleme, është mirë t’i nënshtrohet ligjit. Në rast të kundërt, ai do të ketë bllokim, por unë them që do të gjendet zgjidhja. Gjithsesi unë them që brenda dhjetorit del KLGJ dhe KLP. Kjo do të thotë se SPAK është drejt ndërtimit”, tha Spartak Ngjela për gazetën “SOT”. Ndërsa Fatos Klosi nënvizoi se me përfundimin me sukses të vetingut për të gjithë kandidatët për KLP dhe KLGJ, tashmë mjafton vetëm vullneti që organet e reja të nisin të ekzistojnë. “Unë shpresoj për ngritjen e organeve të reja të drejtësisë. Meqenëse procesi që po zgjaste pak sepse natyrisht kanë hapur letra dhe kanë vajtur lart e poshtë për të parë se çfarë kanë bërë prokurorët apo gjyqtarët, të tjerat pastaj janë fare të thjeshta. Duhet vetëm vullneti për të lënë datën, në këtë datë do të bëjmë këtë, në këtë datë do të bëjmë këtë dhe pastaj gjithçka mbyllet”, u shpreh Fatos Klosi për gazetën.
Goditja e korrupsionit
Teksa konstituimi i KLGJ dhe KLP është vetëm një hap larg, kryeprokurorja e përkohshme, Arta Marku bëri publik një urdhër, përmes së cilit kërkon hetim pasuror për dosjet e korrupsionit. Për këtë lëvizje të saj, Sparta Ngjela deklaroi se është diçka e rëndësishme që do të çojë në goditjen e korrupsionit dhe rihapjen e dosjeve të bujshme. “Unë e përshëndes urdhrin e Arta Marku. Ka bërë shumë mirë, bravo i qoftë. Besoj se do të ketë hapje të dosjeve të rëndësishme të krimit dhe korrupsionit përmes këtij urdhri. Gjithë problemi është që kriminaliteti në Shqipëri është rritur dhe është bashkuar me korrupsionin shtetëror sepse nuk ka pushtet gjyqësor. Po të kishte pushtet gjyqësor që të godiste krimin, prokurori dhe gjykatë që do të godisnin krimin, nuk do të ishim në këtë gjendje kriminaliteti. Këta kanë blerë gjithçka, kanë blerë drejtësinë në Shqipëri”, tha ai. Sipas Ngjelës, me ngritjen e SPAK, goditjet e forta kundër korrupsionit do të jenë më të sigurta. “Nëse prokurorja e fillon procesin, shumë mirë do bëjë. Por, kur të dalin organet e reja, këto lëvizje do të jenë edhe më të sigurta sepse sistemi nuk është pastruar ende”, u shpreh avokati. Për Fatos Klosin, nuk janë të rëndësishme komentet dhe bërjet publike të urdhrit të Arta Markut, por rezultatet në luftën antikorruspion në fund. “Ajo të gjitha këto gjëra për të cilat flet, i ka detyra të saja. Mbase mund të ketë edhe goditje të korrupsionit, unë do e uroja një diçka të tillë. Do të doja që ajo këtë punë të mos e ketë nisur kot, por ta ketë nisur sepse ka një synim të qartë. Shpresoj që kjo punë të përfundojë”, theksoi ish-kreu i SHISH. Klosi nënvizoi po ashtu se nga kjo lëvizje, të dhënat për pushtetarët që mund të jenë të përfshirë në afera, mund të gjenden më kollaj. “Nëse dikush ka qenë nën hetim, tani është më e kollajtë të gjenden fakte për ta, nëse ka të tilla. Mund të provohen fakte të vjetra, por nuk mund të them rihapje dosjesh. Sipas meje, thjesht do hetohen disa njerëz që konsiderohen se kanë ndonjë gjë për tu rihetuar. Ishalla dalin të pastër”, tha Fatos Klosi. / Mimoza IBRA