Kuvendi zyrtarizon sot Sandër Lleshin si ministër të Brendshëm, dekreti futet në rend dite, nisin procedurat për kreun e ri të KLSH

0
596

Sandër Lleshi pritet që ditën e sotme të marrë zyrtarisht postin e ministrit të Brendshëm. Pas përplasjes dy javore mes Qeverisë dhe Presidencës, duket se tani nuk ka më asnjë pengesë që Ministria e Brendshme të funksionojë normalisht. Sot Kuvendi do të mblidhet në seancë plenare, ku do të diskutohet në parim buxheti i vitit 2019, ndërsa në rend dite është futur dhe dekreti i presidentit për emërimin e Sandër Lleshit ministër të Brendshëm. Sipas procedurës, pasi të bëhet votimi në Parlament, Lleshi do të duhet të shkojë në Presidencë dhe të bëjë betimin para presidentit Ilir Meta. Ky i fundit ndodhet për një vizitë në Kroaci dhe nëse kthehet sot Lleshi mund të marrë zyrtarisht detyrën. Nëse nuk ndodh kjo, do të pritet derisa të kthehet presidenti. Mazhoranca i ka numrat në Parlament dhe tashmë nuk ka asnjë dilemë për dekretin e Metës. Sandër Lleshi lindi në 25 Janar të vitit 1963. Është i martuar me zonjën Violeta Lleshaj, me profesion mësuese. Ata janë prindër të dy fëmijëve, Dorotea dhe Anton. Lleshi është diplomuar në vitin 1985 në Shkollën e Lartë të Oficerëve në Tiranë në degën e Radiolokacionit. Në vitin 1996 ka përfunduar arsimimin për drejtues njësie në mbrojtjen kundërajrore në Gjermani. Në vitin 1999 ka përfunduar studimet si oficer i shtabit të përgjithshëm në Akademinë e Drejtimit në Hamburg të Gjermanisë. Në vitin 2012 ka përfunduar studimet e doktoratës në Tiranë dhe ka marrë gradën Doktor i Shkencave. Lleshi ka kaluar edhe nëpërmjet një cikli të plotë kualifikimesh brenda dhe jashtë vendit. Në vitin 2011 ka kryer Kursin e Lartë Ndërkombëtar për Menaxhimin e Mbrojtjes në Shkollën Pasuniversitare të Marinës në Monterey të SHBA. Në vitin 2008 ka kryer një kualifikim të nivelit të lartë në Qendrën për Studime të Sigurisë Europiane, George C. Marshall në Gjermani. Në vitin 1994 dhe në vitin 1995 është kualifikuar për gjuhën gjermane në Austri dhe në Gjermani.

Debati për Vitore Tushën

Javën që vjen mazhoranca pritet të përfshihet në një tjetër përplasje me Presidentin Ilir Meta. Çështja e Sandër Lleshit u tejkalua, por ka mbetur e hapur ajo për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ditën e sotme do të mblidhet Konferenca e Kryetarëve dhe do të futet në kalendarin e punimeve zgjedhja e kreut të ri të KLSH. Me shumë gjasë javën që vjen do nisin procedurat në Komisionin e Ekonomisë për kandidaturën e Vitore Tushës. Kjo e fundit do i nënshtrohet një vetingu nga komisioni, për të vërtetuar së pari nëse plotëson kriteret e vendosura në ligj. E vetmja dilemë është se si do e lexojë komisioni pikën ku deklaron që kandidati të ketë përvojë në fushën e financës, gjë që Tusha nuk e ka. Avantazhi i saj është se ka kaluar vetingun në drejtësi. Por përtej kritereve, vendimi për Tushën do të jetë politik. Ajo është anëtare e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe po ashtu anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Shorti për KED do të hidhet në dhjetor dhe të vetmit kandidatë nga Kushtetuesja janë Vitore Tusha dhe Bashkim Dedja. Nëse ajo zgjidhet në KLSH, shorti rrezikon të bllokohet sepse nuk plotësohet numri i propozimeve. Dy ditë më parë dhe kreu i Komisionit të Ligjeve dha sinjale se ajo mund të mos votohet për në KLSH, pikërisht për faktin se rrezikohet reforma në drejtësi.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here