Kryetari i Gjykatës së OKB në Hagë, Theodor Meron, kritikoi sot kryeministren serbe Ana Brnabiç për mohimin se masakrat e Srebrenicës përbënin një akt gjenocidi.
Kryetari i Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, Theodor Meron, sfidoi kryeministren e Serbisë Ana Brnabiç gjatë takimit të tyre të martën në Beograd lidhur me mohimin e saj se masakrat e Srebrenicës përbënin gjenocid.
“Serbia nuk zgjidh gjë duke kundërshtuar vendimet e një gjykate penale të madhe ndërkombëtare”, tha Meron për Brnabiç.
Ai tha se “një sërë vendimesh” para Gjykatës Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, ICTY, e bënin “absolutisht të qartë se krimet e kryera në Srebrenicë në vitin 1995 përbënin krimin e gjenocidit”.
Brnabiq mohoi se masakrat e korrikut 1995 të boshnjakëve nga forcat serbe të Bosnjës ishin një akt gjenocidi në një intervistë më 14 nëntor për televizionin ndërkombëtar gjerman Deutsche Welle.
“Jo, nuk mendoj se masakra e tmerrshme në Srebrenicë ishte gjenocid”, tha ajo për programin e Deutsche Welle “Conflict Zone”.
Ushtria Serbe e Bosnjës nën komandën e Ratko Mlladiç pushtoi qytetin e Srebrenicës më 11 korrik 1995, pastaj vrau më shumë se 7,000 burra dhe djem nga krahina.
Krimi u përcaktua si një akt gjenocidi nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, si edhe nga ICTY.
ICTY dhe gjykatat vendase kanë dënuar 45 persona me një total prej 699 vjetësh burg – plus tre dënime me burgim të përjetshëm – për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe vepra penale të tjera kundër boshnjakëve në Srebrenicë në korrik të vitit 1995.
Mlladiç u dënua me burgim të përjetshëm për gjenocidin e boshnjakëve nga Srebrenica, krime lufte dhe krimet kundër njerëzimit në një vendim të shkallës së parë në vitin 2017.
Gjykata me bazë në Hagë, gjithashtu, dënoi ish-kreun politik serb të Bosnjës Radovan Karaxhiq për gjenocid dhe krime kundër njerëzimit dhe e dënoi me 40 vjet burg në vitin 2016. Të dy burrat po i apelojnë vendimet kundër tyre.
Meron shprehu “mospajtim dhe zhgënjim” me intervistën e Brnabiç dhe sugjeroi që “interpretimet ligjore të krimeve ndërkombëtare të lihen më mirë në dorë të gjykatave penale ndërkombëtare”.