Në kuadër të 110-vjetorit të Kongresit të Manastirit, Muzeu Historik Kombëtar çeli për publikun ekspozitën me titull “Kongresi i Manastirit – Rruga drejt bashkimit kombëtar”. Ekspozita paraqet rrugëtimin e përpjekjeve të rilindësve për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Në fjalën e tij përshëndetëse, dr. Dorian Koçi, Drejtor i Muzeut Historik Kombëtar, midis të tjerash tha se përhapja e shkollave dhe e mësimit të gjuhës shqipe, si edhe zhvillimi i kulturës kombëtare në përgjithësi, shtruan në rend të ditës nevojën e caktimit të një alfabeti të vetëm. “Rilindësit me të drejtë e shihnin mungesën e një alfabeti të njëjtë të gjuhës shqipe jo vetëm si një problem gjuhësor e kulturor, por edhe si një çështje politike, një shenjë dasie, që pengonte bashkimin e shqiptarëve”, u shpreh drejtori Koçi. Ekspozita “Kongresi i Manastirit – Rruga drejt bashkimit kombëtar” është e pasuruar me fotografi të delegatëve pjesëmarrës në Kongresin e Manastirit, bashkë me biografitë e shkurtuara të tyre. Gjithashtu, objektet e Luigj Gurakuqit, Çerçiz Topullit, Mihal Gramenos, Hilë Mosit etj, prezantohen për nëpër vitrinat përkatëse. Ndërsa librat e gazetat origjinale të kohës janë tepër interesante për publikun. Kongresi i Manastirit, ose Kongresi i Alfabetit, ka qenë një konferencë akademike në qytetin e Manastirit, mes datave 14 nëntor – 22 nëntor 1908, për standardizimin e alfabetit të gjuhës shqipe. Data 22 nëntor përbën tashmë një ditë përkujtimuese në Shqipëri, Kosovë, Republikën e Maqedonisë dhe në diasporën shqiptare, e njohur si Dita e Alfabetit. Studiuesi Behar Gjoka shprehet se Kongresi i Manastirit pati shumë rëndësi. Sipas tij, prania e kaq shumë alfabeteve të gjuhës shqipe, të dokumentuara deri më tani, ka shërbyer si udha dhe vatra e argasjes, përpunimit dhe përsosjes së alfabetit të gjuhës shqipe, i cili për hir të së vërtetës shkencore, e mbërriti kulmin e vetë pikërisht në vitin 1908, në Kongresin e Manastirit. “Nisur prej kësaj situate, përmbi fatin e alfabeteve të gjuhës shqipe, si dhe të historisë së shkrimeve të tij, studiuesi italo- arbëresh Gaetano Petrotta nënvizon “Siç është parë përgjatë këtij punimi, alfabetet e përdorura në kohëra të ndryshme nga shkrimtarët shqiptarë janë ose grekë ose latinë me grupe shkronjash apo shenjash konvencionale për tingujt e veçantë të gjuhës shqipe”, pa harruar këtu se ngandonjëherë janë shfaqur edhe alfabete sllav dhe arab, natyrisht jo me atë shtrirje dhe peshë që kanë pasur alfabetet latinë dhe grekë. Kongresi i Manastirit nuk është fillimi i historisë së shkrimit të gjuhës shqipe, me alfabet latinë, përkundrazi shënjon çastin më kulmor të një debati shkencor dhe të larmisë së mendimit për rreth fatit të njësimit të alfabetit të shkrimit për mbarë shqiptarët”, shprehet studiuesi Gjoka.
Takim jetik për fatin e shqipes
Sipas studiuesit Behar Gjoka, për të ardhur tek ky takim jetik për fatin e shqipes, të unifikimit të saj si mënyrë shkrimi thelbësore me alfabetin latin, është dashur një periudhë e gjatë e mbushur me përpjekje dhe sakrifica të panumërta të dhjetëra rilindësve, patriotëve të pushkës dhe penës. “Ku mund të përmenden edhe disa kuvende të tjera, siç na i bën me dije G. Petrotta, teksa shprehet “ Për historinë e alfabetit shqip duhet të sillen ndërmend dy Kongreset gjuhësore shqiptarë të mbajtur: I pari nën kryesinë e De Radës nga 1 deri 3 tetor 1895 në Koriliano Kalabro në të cilën qe themeluar Shoqëria Kombëtare Shqiptare që në Statutin e saj vendoste se duhet të merreshin masa ekskluzivisht për ngulësimin e një alfabeti të vetëm; I dyti i mbajtur në Lungro në vitin 1897 me të njëjtin program gjuhësor”, vijon studiuesi Gjoka. Sipas tij, përveç shoqërive letrare të larmishme, u morën me alfabetin shqip të gjithë shkrimtarët ose në shkrimet e tyre, ose në gazeta dhe revista apo në kuvende dhe kongrese, mes të cilëve ka mbetur në kujtesë Kongresi i Manastirit. “Duke e zbardhur dhe sqaruar njëherë e mirë historikun e alfabetit të shqipes” përfundon Gjoka. Ekspozita do të qëndrojë e hapur për publikun deri në datën 22 nëntor 2018.
Nga Julia Vrapi