Drama e Schmitt, me Roza Anagnostin në teatrin “Migjeni”

0
552

Drama “Oskari dhe tezja Rozë” për dy mbrëmje në skenën e teatrit “Migjeni” në qytetin e Shkodrës.  Vepra e autorit Eric-Emmanuel Schmitt në skenë vjen me regji nga Kiço Londo. Në rolin kryesor, Roza Anagnosti, rolet e tjera në vepër luhen nga aktorët Franc Bregu, Françeska Hysi dhe Juxhin Plovishti. Drama shfaqet mbrëmjet e datave 16 dhe 17 nëntor për publikun në teatrin “Migjeni”. Dramatizim nga Chris Simion-Mercurian, përkthyer nga Kopi Kyçyku, skenograf Najson Topi dhe kostumografe Klaudia Ndreshaj.

Oskar është një djali i vogël dhjetëvjeçar që jeton në spitalin e fëmijëve sepse vuan nga leuçemia. As mjekët, as prindërit e tij nuk guxojnë t’i thonë të vërtetën mbi sëmundjen e tij. Por ja ku shfaqet teze Roza, në dukje një grua e ashpër, me karakter shpërthyes, por që fillon të bisedojë me të drejtpërdrejt. Për ta argëtuar pak Oskarin, Roza i propozon një lojë : të sillej sikur çdo ditë e jetës së tij vlente sa për 10 vjet. Në këtë mënyrë ajo i ofron mundësinë të jetojë gjithë jetën për disa ditë. Duke e përshpejtuar jetën e Oskarit, autori do të në bëjë të kuptojmë që nuk jemi të përjetshëm dhe duhet të meritojmë dhe gëzojmë çdo moment të jetës. Tezja Rozë i këshillon gjithashtu t’i shkruajë Zotit, për t’u ndier më mirë. Edhe pse nuk beson vërtet në Zot, ai fillon t’i shkruajë letra dhe t’i kërkojë çdo ditë nga një dëshirë të plotësuar. Në letrat për Zotin, Oskarin flet edhe për dhimbjet, për prindërit, për shokët dhe shoqet në spital, për shqetësimet, gëzimet e tij, dashurinë e tij të parë, kohën që kalon.

Para premierës që u shfaq më herët në skenë e Teatrit Eksperimental, aktorja e njohur Roza Anagnosti mes të tjerave vlerësoi bashkëpunimin për veprën. “Unë jam shumë e lumtur, që jam pjesë e këtij kasti. Ka qenë një punë me një grup të rinjsh, emocion i bukur me përgjegjësi të madhe. Shpresoj që të kemi bërë atë që duhet”, u shpreh aktorja Roza Anagnosti, që vjen në skenë me rolin e tezes Rozës. Roza Anagnosti e filloi karrierën në teatrin “Migjeni” të Shkodrës. Vetëm 20 vjeç, hyri në kinematografi me rolin e mësueses në filmin “Detyrë e posaçme” (K. Dhamo, 1963). Një vit më pas luajti Filen në filmin “Toka jone” (H. Hakani, 1964) për të vijuar ndër vite një aktivitet të vlerësuar artistik.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here