Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë sot se asnjë ndryshim i kufirit me Serbinë që vjen si rezultat i bisedimeve për normalizim të marrëdhënieve nuk do të bëhet në bazë të vijave etnike.
“Ne do të punojmë së bashku për ta përcaktuar kufirin, njësoj siç kemi bërë me Maqedoninë dhe Malin e Zi, por nuk do të ketë kufi të bazuar në vija etnike”, tha ai në një intervistë për agjencinë AFP. “Kosova do të mbetet multietnike, njësoj edhe Serbia. Nuk do të ketë zhvendosje të popullsisë. Rajoni do të jetë më i sigurtë falë kësaj marrëveshjeje”, shtoi ai, vetëm një ditë pas takimit të tensionuar me presidentin e Serbisë në Bruksel.
Dy vendet ballkanike po mundohen që t’i normalizojnë marrëdhëniet me qëllim që t’i afrohen anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Shefja e Diplomacisë së BE-së, Mogherini, e ka bërë të qartë se vendet duhet ta arrijnë një marrëveshje detyruese lidhur me çështje të ndjeshme, siç është kufiri dhe njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia, të cilën Kosova e shpalli para dhjetë vitesh.
Gjatë verës së këtij viti, udhëheqësit e dy shteteve paraqitën mundësinë e ndryshimit të kufirit, gjë e cila alarmoi shumë njerëz. Kjo ide ka ngjallur frikën se tensionet etnike, të cilat shkaktuan luftë në vitet 90’, mund të ndizen sërish.
Komentet e Thaçit për “AFP”-në lanë të kuptohet se nuk do të ketë shkëmbim të thjeshtë të territoreve, me ç’rast Kosova do ta merrte pjesën e banuar me shumicë shqiptare në Serbi, ndërsa Serbia do ta merrte pjesën e banuar me shumicë serbe në Kosovë.