Komisioni i Sigurisë miraton draftin, ja 13 kategoritë e ushtarakëve që përfitojnë rritje pagash, ndarja sipas gradave

0
558

Ushtarakët do të jenë grupi i radhës që do të përfitojnë rritje pagash gjatë vitit 2019. Një gjë e tillë u bë e ditur dje nga ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë raportimit në Komisionin e Sigurisë për buxhetin e vitit të ardhshëm. Xhaçka deklaroi se duke qenë se pagat e ushtarakëve kanë qenë gjithmonë një problem, është vendosur që në 2019 të ketë një rritje për ta. Ai që e ngriti si shqetësim këtë çështje ishte deputeti i Partisë Socialiste, Paulin Sterkaj, i cili i quajti pagat për ushtarakët si diskriminuese. Por ministrja Xhaçka u shpreh se një gjë e tillë do të ndryshojë dhe për ushtarakët do të ketë një trajtim më të mirë. Olta Xhaçka sqaroi se nga rritja e pagës do të përfitojnë 13 kategori, nga grada më e ulët, deri tek grada major. “E kemi patur këtë shqetësim edhe më parë. Hera e fundit që janë rishikuar pagat ka qenë shumë kohë më parë. Ushtarakët kanë përfituar herë pas here një rritje të përgjithshme. Por me këtë buxhet, si ministri i Financave, si kryeministri kanë shprehur vullnetin për një rritje të shkallëzuar për gradat më të ulëta, deri në major. Nga rritja nuk do të përfitojnë gradat nënkolonel, kolonel dhe gjeneral sepse ata gëzojnë një trajtim të mirë. Rritja do të jetë deri në 19% dhe kjo rritje vjen pas kaq e kaq vitesh harresë për këtë institucion. Ne duhet të motivojmë ushtarakët e gradave më të ulëta. Përfitues të kësaj rritjeje page do të jenë 6.800 ushtarakë”, deklaroi ministrja. Pra, ndryshe nga sa ishte deklaruar më herët se rritje page do të përfitonin të gjithë ushtarakët, tanimë do të përfitojnë vetëm 13 kategori ushtarakësh, nga grada më e ulët. Grada më e ulët është ushtar i parë. Po ashtu, ministrja e Mbrojtjes bëri me dije se rritje rroge do të përfitojnë edhe Forcat Speciale, Forcat e Sigurisë, Forcat Detare, mjekët, pilotët dhe infermierët. Sipas saj, atyre do t’ju njihet vështirësia në punë dhe më pas do të kenë mundësi për rritje rroge.

Baza e NATO në Kuçovë

Olta Xhaçka e ndali theksin dje edhe tek baza ushtarake e NATO që është planifikuar të ngrihet në Kuçovë. Duke shprehur vlerësimet e saj për këtë projekt, ministrja e Mbrojtjes theksoi se punimet për të do të nisin vitin e ardhshëm. “Ngritja e bazës në Kuçovë është prioriteti ynë kryesor dhe kemi ngritur të gjitha grupet e punës që mund të ndihmojnë. Që këtë vit nisim me disbursimin e një pjese të fondit, bëhet fjalë për 50 mln euro, por mund të jenë edhe më shumë. Bëhet fjalë për një investim që do të kalojë në disa faza. Do të fillojmë që këtë vit me masterplanin, ndërsa në vitin 2019 do të hedhim tullën e parë le të themi”, u shpreh ajo. Gjatë mbledhjes së Komisionit të Sigurisë, u ngrit si shqetësim edhe buxheti për Emergjencat Civile. Deputetët socialistë kërkuan shpjegime sesi do të veprohet me këtë strukturë, ndërsa Olta Xhaçka sqaroi se ligji për Emergjencat Civile do të rishikohet. “Ligji i ri për mbrojtjen civile është drejt fundit. Bëhet fjalë për një ligj sipas direktivave evropiane që ndan më mirë përgjegjësitë e të gjithë aktorëve që janë përgjegjës për Emergjencat Civile. Ligji përcakton që edhe pushteti vendor, edhe ai qendror do të marrin përsipër detyrat e tyre, bashkë me penalitetet nëse nuk zbatohen. Ka shumë bashki, të cilat fondin prej 3% që duhet ta akordojnë për emergjencat civile, por një gjë e tillë nuk është realizuar. Ne kemi 700 mln dollarë borxh për emergjencat civile për familjet e dëmtuara dhe po punojmë që ta ulim”, tha Olta Xhaçka. Në fund të diskutimeve, buxheti për vitin 2019 u miratua në parim.

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here