Muzeu Kombëtar i Përgjimeve “Shtëpia me Gjethe” gjatë muajit tetor ka pasur një rritje të numrit të vizitorëve. Drejtoresha e muzeut Etleva Demollari ka publikuar të dhënat që tregojnë se krahasuar me një vit më parë, ky muaj në 2018 ka pasur fluks vizitorësh.
“Në tetor 2018, 39,3 përqind më shumë vizitorë dhe 80 përqind më shumë të ardhura krahasuar me tetor 2017”, shkruan Demollari, drejtoresha e muzeut. Në “Shtëpinë me Gjethe” zhvillohen dhe aktivitete të ndryshme, nuk mungojnë dhe takimet me ish të burgosur gjatë regjimit që tregojnë përjetimet e tyre për të rinjtë. Tematika e Muzeut Kombëtar “Shtëpia me Gjethe” është përkujtimi i dhunës psikologjike të regjimit komunist e i kontrollit të qytetarëve përmes përgjimeve nga ish- Sigurimi. “Shtëpia me Gjethe” në fillim ka qenë shtëpi lindjeje. U ndërtua më 1931 si klinikë obstetrike, me nismën e mjekut të shquar Dr. Jani Basho dhe e drejtuar prej tij. Është e para e këtij lloji në Shqipëri dhe ky ka qenë funksioni i saj gjatë viteve viteve ‘30. Gjatë viteve të para të pasluftës, “Shtëpia me Gjethe” u përdor si qendër hetuesie, pra edhe si vend ku bëheshin tortura. Praktika e torturave, si dhe e formave të tjera të terrorit, është pranuar edhe nga propaganda zyrtare komuniste, por vetëm sikur ndodhën gjer në momentin e prishjes me Jugosllavinë (1948). Ato u janë ngarkuar ndikimeve jugosllave dhe të ashtuquajturve agjentë titistë në policinë politike.
Siç tregohet në këtë muze, torturat janë ushtruar gjatë gjithë regjimit komunist. Duke filluar nga vitet pesëdhjetë, funksionet e kësaj ndërtese ndryshuan. E megjithatë, për dekada të tëra kanë qarkulluar legjenda rreth saj, fryt i sekretit dhe i misterit me të cilin mbështillej kjo shtëpi. Këtu ka qenë selia e degës tekniko-shkencore të Sigurimit, e cila merrej kryesisht me përgjimin elektronik, me kontrollin e telefonave dhe me kontrollin postar, përveçse edhe selia e një dege që merrej me ndjekjen e të huajve. Kanë vazhduar gjer në shkrirjen e Sigurimit, më 1991. Dega tekniko-shkencore ka pasur një rol ndihmës dhe njëkohësisht udhëheqës ndaj sektorëve të tjerë të Sigurimit në këto veprimtari.