Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro shpalli para disa ditësh platformën e “Lëvizjes Kombëtare për Lexim”. Pas fushatës “Takohemi për një libër” nisur dy vjet më parë, për ministren Kumbaro kjo lëvizje që nisi në Kukës do të përfshijë shumë shpejt gjithë Shqipërinë gjatë muajit nëntor. Por për shkrimtarët pohimet që bën ministrja e Kulturës janë thjesht parulla demagogjike. Në reagimet e tyre ata pohojnë se asgjë nuk bëhet gjatë vitit për librin dhe autorët shqiptarë. Poeti i njohur Bardhyl Londo shprehet se deklarimet që bën ministrja e Kulturës janë dhe si një tallje përballë gjendjes që kanë sot bibliotekat, duke shtuar se mungojnë politikat për librin. “Është si një tallje kur shikon një gjendje katastrofike në Shqipëri, ku çdo vit vjen duke u rënduar dhe çdo vit po bëhet gjithmonë dhe më keq të lëshosh disa parulla demagogjike, gjasme për dashuri ndaj librit, dhe për nevojën ndaj librit, do të thotë që të tallesh me gjendjen dhe që ta rëndosh akoma dhe më shumë këtë gjendje. Sepse pavarësisht këtyre parullave demagogjike, asgjë nuk bëhet përgjatë gjithë vitit. Madje ata që lexojnë më pak janë ata që bërtasin më shumë që lëshojnë parulla të tilla, që kujtojnë se i dinë të gjitha gjërat, por në fakt nuk dinë asgjë”, pohon poeti Londo. Sipas tij sot përballemi me një gjendje kur ka humbur dhe respekti ndaj librit. “Nuk është puna vetëm te bibliotekat, te infrastruktura që kërkohet në këto raste që është tepër e rëndësishme, që është në gjendje të mjerueshme, por është problem sepse po ikën fare respekti dhe interesi për librin. Po zverdhet fare interesi për librin dhe këtu ka lloj-lloj praktikash që ndikojnë, nuk është thjesht ndikimi i internetit, ndikimi i problemeve të tjera që njihen në botë. Por këtu tek ne është problem që mungojnë politikat për ta bërë librin të dashur dhe për ta çuar në gjithë Shqipërinë”, vijon poeti Bardhyl Londo.
Institucionet kulturore pa platforma
Por ndërsa ministrja e Kulturës ka shpallur platformën e “Lëvizjes Kombëtare për Lexim” poeti Londo i kujton se nuk bëhet asgjë për të promovuar autorët shqiptarë. “Për të promovuar autorët shqiptarë nuk është bërë asgjë, gjithë promovimet janë vetëm o në sensin e grupimeve politike ose shoqërore që ata pak janë bërë. Por vlerat e vërteta të letërsisë shqipe nuk janë promovuar dhe nuk ka ndërmend ti promovojë kush me përjashtim të iniciative private apo shoqatave të ndryshme”, shprehet ai. Për shkrimtarin Xhahid Bushati deklarimet që bën ministrja Kumbaro ngjajnë më tepër si sllogane që nuk japin efekte për librin. “Nuk e kuptoj që “Takohemi për një libër” shpallur dy vjet më parë, e tani “Lëvizja Kombëtare për Lexim” si iniciativa dobiprurëse bëhen vetëm në nëntor, kur ato duhet të jenë gjatë tërë vitit, sepse marrëdhënia me librin është e gjithëkohëshme. Ekziston modeli dhe është “Biblioteka lëvizëse” në Lezhë. Sot është zë i vetmuar. Ky model duhet të përhapet. Kjo është risi. Tani “Lëvizja Kombëtare për Lexim” është më shumë sllogan dhe nuk do të japë efekte të mëdha më shumë do të jenë publicitare”, pohon ai. Për shkrimtarin nuk mund të japin efekt të tilla lëvizje kur bibliotekat janë të varfra. “Si do të ketë efekt kur marrëdhënia me librin është shumë e zbehtë, kur shumë shkolla nuk kanë biblioteka, ose i kanë të varfra, ose me zor bëhet mësim dhe jo të na shkojë mendja për lexim libri. Në fund kjo lëvizje do të ketë një fat të zbehtë, sepse institucionet kulturore nuk kanë platforma”, cilëson shkrimtari Xhahid Bushati. Nuk është hera e parë që autorët shqiptarë shprehin kritika ndaj Ministrisë së Kulturës në fushën librit, por sipas tyre kjo është një situatë që vijon prej vitesh duke treguar mungesën e vëmendjes institucionale.
Nga Julia Vrapi