Zbehen tentativat e Izet Haxhisë për të rihapur dosjen e vrasjes së Azem Hajdarit. Në fillim të vitit ai u ekstradua nga Turqia dhe ankthi në radhët e politikës u rrit, pasi u duk se për të parën herë do vihej drejtësi për një ngjarje kaq të madhe. Por së fundmi kanë dalë shumë probleme. Që në muajin korrik dosja ka shkuar në Gjykatën e Apelit dhe së fundmi është vendosur që seanca e parë të mbahet më 21 nëntor. Por dhe kjo seancë pritet që të mos jetë porta për të hapur dosjen “Hajdari”, pasi aty pritet që relatorja të tërhiqet sepse është në konflikt interesi. Kjo pasi ka qenë pjesë e shumë çështjeve me bashkëshorten e Hajdarit, Fatmir Hajdari. Por për këtë çështje ka reaguar dje juristi Romeo Kara, i cili ka nxjerrë dhe dokumente në rrjetet sociale, të cilat sipas tij, tregojnë se vetë Haxhia nuk e do hapjen e kësaj dosje. Bëhet fjalë për një padi që Shkëlzen Berisha, djali i ish-kryeministrit, ka bërë ndaj tij. Një vit më parë Romeo Kara përmes një statusi në Facebook kishte akuzuar Shkëlzen Berishën, duke ju referuar disa deklaratave të Izet Haxhisë. E më konkretisht shprehej: “Atë heroinën që çoje me makinën e babit dhe karburantin e shtetit te Landi i Jasharit në Vlorë nuk e ke harruar besoj?”. Për këtë deklaratë zoti Berisha ka bërë padi në gjykatë për shpifje. Por sipas zotit Kara, kjo padi është tregues i paktit Berisha-Haxhia. Sipas Karajt, Shkëlzen Berisha përdor në argumentet e tij deklaratat e javëve të fundit që Izet Haxhia ka bërë në drejtim të tij. “Z Izet Haxhia më datë 14.10.2018 deklaron duke ju përgjigjur të akuzuarit Romeo Kara në rrjetin e tij social Facebook (fakt i njohur botërisht për shkak të popullaritetit që ka ky peron në këtë rrjet social), se: “…Harron ti se si më luteshe se si më luteshe si zagar për pak reklamë dhe mbrojtje? Po ti je shpifës i neveritshëm, një hajdut ordiner. Shefkie Demiri të thotë gjë? Është gjyqtarja që mu lute t’i kundërvihesha (edhe pse s’më takonte) dhe unë bëra status, të cilin ti e prezantove në gjyq ku ishe i akuzuar. Për tu mbrojtur”. Pra tashmë është e qartë që i akuzuari jo vetëm ka shpifur në dëm të viktimës akuzuese, por ai ka “krijuar prova”, pra ka shtyrë zotin Izet Haxhia që të bëjë deklarime të pavërteta”, thuhet në padi.
Reagimi i Romeo Kara
Përmes një statusi në rrjetet sociale Romeo Kara ka deklaruar se kjo padi tregon se ka një pakt Haxhia-Berisha. Sipas tij, edhe pse deklaratën në fjalë e ka bërë vetë Haxhia, ai është marrë në mbrojtje. “Me deklaratat shkel e shko, të bëra nga burgu kohët e fundit, ky “naiv kronik” shpifi paturpësisht vetëm e vetëm për t’i shërbyer padronit të tij të përjetshëm. Më në fund Shkëlzen Berisha në konkluzionet e tij, në procesin penal përkundër meje, i referohet thënieve të Izet Haxhisë, sikur unë e paskam shtyrë Izet Haxhinë për të bërë deklarime të rreme përkundrejt të birit të Saliut. Edhe pse ai dhe Saliu kane hedhur poshtë çdo akuze të Izetit kundër tyre, sot me shkrim, firmë dhe vulë, Shkëlzeni i referohet Izetit, e merr të mirëqenë dhe e përdor për mburojë. Nuk çuditem, pse roja i djeshëm i Berishës sot bëhet mburoje nëpërmjet intrigës dhe shpifjes, por më tepër çuditem se si mendon Saliu se unë do bie ne kurthin alla mysybet të radhës të Saliut”, tha ai. Më tej Kara ka deklaruar se Berisha ka prova kundër Izet Haxhisë dhe ky i fundit prandaj është tërhequr./ Kliti TOPALLI
![](https://sot.com.al/sites/default/files/images/fullgallery/foto_faqe_5_3.11.2018.jpg)