Zbardhen detajet për vrasjen në Bularat, Katsifas refuzoi dhe qëlloi edhe negociatorin e RENEA, kërkohen pamjet filmike

0
485

Të tjera detaje dolën dje në dritë në lidhje me vrasjen e minoritarit grek Konstantinos Katsifas pak ditë më parë në Bularat të Gjirokastrës. Nga hetimi i dosjes është mësuar se reparti RENEA ka filmuar këtë operacion, në momentin kur Katsifas i është bërë thirrje që të dorëzohet.

Një negociator i RENEA-s është afruar pranë tij, dhe i ka kërkuar grekut të dorëzohej pasi nuk kishte rrezik për të. Por Konstantinos Kaçifa, ka qëlluar edhe mbi negociatorin e RENEA-s. Pas këtij moment, greku vazhdoi të qëllonte mbi RENEA-n që vendosën më pas ta neutralizojnë. Pamjet filmike të RENEA-s ende nuk janë mbikëqyrur. Ndërkohë Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar të tërheqë regjistrat e efektivëve të repartit RENEA, si edhe regjistrat e armatimit, për të bërë të mundur ekzaminimet në laborator. Dje u zhvillua edhe një mbledhje te Prokuroria e Krimeve të Rënda mes prokurorëve dhe ekspertëve të mjekësisë ligjore në lidhje me dosjen “Katsifas”.

Sipas informacioneve, prokurorët e dosjes u kanë dhënë ultimatum ekspertëve të mbyllin sa më parë ekspertizën me qëllim që më pas të arrihet edhe në një përfundim më të qartë. Kujtojmë që në vijim të hetimeve, Prokuroria e Krimeve të Rënda vendosi para pak ditësh të transportonte trupin e ekstremistit grek nga morgu i Gjirokastrës në Tiranë për të kryer një autopsi më të thelluar, me qëllim që të mos ketë as dyshime nga familjarët. Këta të fundit refuzuan ta tërhiqnin trupin sepse kërkonin një autopsi të pavarur nga autoritetet greke. Ndërkohë, politikanët grekë nuk i ndalën akuzat ndaj autoriteteve shqiptare, duke tensionuar kështu marrëdhëniet midis dy palëve. Ish-ministri i Aferave Fetare, Andreas Loverdos shprehu mospajtimin e tij të qartë me deklaratën e kryeministrit Rama pas vrasjes së ekstremistit grek. “Unë jam krejtësisht kundër deklaratës së Ramës. Ai pa pasur informacione flet për një ekstremist, pra i bie që në Shqipëri vrasin ekstremistët?”, tha Andreas Loverdos.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here