Sekretari Amerikan i Shtetit : Shqipëria e rrezikuar nga Irani, ka pasur tentativa për sulme terroriste

0
437

Muxhahedinët e strehuar në Shqipëri duket se e kanë kthyer vendin tonë në një shënjestër të Iranit. Për strehimin e tyre ka pasur shumë debate e diskutime, por duket se situata është përkeqësuar. Dy ditë më parë, ka qenë vetë sekretari i Shtetit Amerikan, Michael Pompeo, i cili në një interviste për mediat vendase ka deklaruar se Shqipëria është kthyer një shënjestër e radhës. Në kuadër të sanksioneve që po merren ndaj Teheranit, sekretari Pompeo ka deklaruar se masat shtrënguese po vendosen për të parandaluar sulme të ndryshme terroriste. “Jemi vetëm pak ditë larg nga rivendosja e të gjitha sanksioneve që administrata e mëparshme kishte hequr ndaj Iranit. Ato do të rihyjnë në fuqi dhe do të kenë pasoja të forta në qeverinë e Iranit. Kjo është e rëndësishme. Vetëm dje ose pardje danezët njoftuan për një tentativë vrasje që Irani kishte komplotuar në vendin e tyre. E njëjta gjë ka ndodhur në Francë dhe në Shqipëri. Ata janë sponsori më i madh i terrorizmit në botë dhe po shpërdorojnë paratë e popullit të tyre me këto aktivitete të kota e dashakeqe. Përpjekja jonë është të ndryshojmë këtë sjellje”, deklaroi Sekretari i Shtetit Amerikan, Michael Pompeo, ndër të tjera në fjalën e tij, gjatë intervistës për mediat vendase në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy ditë më parë.

Dy raste në Shqipëri

Kërcënimet e Iranit me forma të ndryshme, nuk janë të panjohura për vendin tonë. Ish-kryeministri shqiptar, aktualisht ministër për Diasporën, Pandeli Majko zbuloi pak kohë më parë për median amerikane Fox News paralajmërimin që i kanë bërë zyrtarët e lartë amerikanë për të rritur sigurinë ndaj tij. Ministri i Diasporës është kërcënuar nga agjentë të shërbimit sekret iranian. Këtë e bën të ditur një artikull në Fox News. “Ish-kryeministri shqiptar Pandeli Majko i tha Fox News se zyrtarë amerikanë e kanë paralajmëruar që të rrisë sigurinë personale, pas informacioneve për një kërcënim kundër tij. Ndërsa ai (Majko) tha se strategjia e Iranit në rajon është e pashembullt, nuk kam frikë”, raportoi Fox News. Majko njihet si mbështetës i kauzës së muxhahedinëve (opozitës) së regjimit të Iranit që ndodhen me strehim në Shqipëri. Ndërkohë që në bisedë me gazetarin e “Fox News” ministri Majko theksoi se shërbimet amerikane i kanë thënë të ketë kujdes. Në një artikull me titull “Irani po planifikon të vendosë terror në Europë, ndërkohë që ‘BE po përpiqet të mbrojë regjimin nga shtyrja e sanksioneve të Trump”, thuhet se zyrtarët amerikanë e kanë paralajmëruar duke i thënë se duhet të rrisë sigurinë ‘pas zbulimit të një kërcënimi kundër tij’. Mirëpo, rasti Majko nuk është i vetëm, pasi është edhe një rast tjetër që demonstron përpjekjet e Iranit për sulme terroriste në Shqipëri. Në mars të këtij viti dy shtetas iranianë të dyshuar si persona të përfshirë në aktivitete terroriste janë ndaluar në ambientet e jashtme të kryegjyshatës Botërore Bektashiane, pak përpara nisjes së ceremonisë festive të Sulltan Nevruzit. Shtetasit iranian janë ndaluar nga Shërbimi Informativ Shtetëror dhe njësia e anti-terrorit në policinë e shtetit janë F. Z 65 vjeç dhe S.M. 59 vjeç. Momentin e ndalimit ata ishin duke bërë foto dhe u thanë oficerëve të anti-terrorit se ishin gazetarë dhe kishin ardhur me ftesë të Kryegjyshatës Botërore Bektashiane. Por pas informacioneve të mbërritura nga partnerët ndërkombëtarë se ata kanë prirje të përfshihet në akte terroriste në vendin tonë, ata u ndaluan nga autoritet shqiptare.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here