Tirana ndodhet në pozitë të vështirë në kategorinë Superiore, pasi nuk po mundet të lerë pas krizën në lojë e rezultate dhe pozitat në renditje kushtëzojnë një ngërç psikologjik që ka pasoja për vijimësinë e skuadrës në këtë edicion. Me largimin e trajnerit Ze Maria pritej një reflektim i thellë i bardhebluve, por ky reflektim ka ardhur në disa aspekte të lojës, që janë përmirësimi i cilësisë së lojës në tërësi, por Tiranës vijojnë t’i mungojnë rezultatet. As ardhja e një pinjolli të familjes Mema, Ardian Mema, një nga zërat e spikatur të klubit bardheblu, nuk e ka rregulluar këtë. Tiranës i mungojnë golat, sepse nuk ka një repart sulmues efikas. Si të mos mjaftonte kjo, Tirana e ka copë qendërmbrojtjen dhe pëson shumë gola. Golavarazhi 9-12 tregon shumë për 24-herë kampionët. Ata më shumë pësojnë sesa shënojnë. Duke mos pasur sulm cilësor dhe mbrojtje cilësore, ata janë të destinuar të bien nga kategoria dhe nëse nuk bëjnë ndërhyrje urgjente në merkato, Tirana rrezikon vërtet të përsërisë dështimin e saj më të madh historik, atë të rënies një kategori më poshtë dy sezone më parë. Vetë trajneri Ardian Mema, në më shumë se një rast është shprehur se nuk ka ardhur tek Tirana t’u mësojë lojtarëve se si luhet futboll, pasi këto leksione merren në fëmijëri, pra atij i duhen lojtarë profesionistë që bëjnë diferencë dhe që i japin ngjyrë lojës dhe e bëjnë më të sigurt arritjen e objektivave. Por me këtë grup vështirë se Tirana do të realizojë ndonjë objektiv. Mungesa e cilësisë sjell mungesë rezultatesh dhe mungesa e rezultateve të duhura sjell rrezikun e rënies nga kategoria. Pozita e shtatë në tabelën e renditjes, me 9 pikë, po kaq sa Luftëtari i vendit të tetë dhe një pikë më shumë se Kamza e vendit të nëntë, tregojnë se Tirana po noton në ujëra të turbullta. Prandaj duhej një njeri i shtëpisë për të shpëtuar skuadrën bardheblu. Ardian Mema e njeh mirë simbolikën dhe lavdinë e fanellës, por historia është tjetër gjë, ndërsa aktualiteti i vë përpara një mal me probleme për të zgjidhur në skuadrën ku dikur fitonte tituj si futbollist në fushë. “Probleme me mbrojtjen, dhe sulmin, një organikë që kërkon ndërhyrje dhe më tepër kualitet”, shkruan “Supersport”, por ndërkohë në pritje të merkatos trajnerit 48-vjeçar i duhet të nxjerrë skuadrën nga kriza e rezultateve. Mema nuk mund të jetë magjistar dhe ai ende s’e ka shijuar fitoren e parë në stol, por ndërkohë dora e tij në skuadër po jep sinjalet e para edhe pse koha në dispozicion ka qenë minimale. Ndaj Flamurtarit dhe sidomos Kamzës, u pa një Tirana më sulmuese, më e orientuar drejt zonave të prapavijës kundërshtare dhe që tenton të dalë para me më shumë forca, me rastet e shumta që nuk munguan. Një Tiranë më guximtare, me pak më tepër nga filozofia e Tiranës së dikurshme, për të luajtur përpara, edhe pse emrat në fushë, vështirë të kenë të krahasuar. Jo më pak dhimbje koke për trajnerin ofron edhe mbrojtja. Tirana pëson gol rregullisht në çdo ndeshje, një defekt që ende nuk i është gjetur ilaçi aq më tepër kur skuadra penalizohet nga gabimet individuale. Të gjitha probleme për t’u zgjidhur për Memën që ka nisur t’i japë skuadrës diçka nga filozofia e tij, edhe pse ndryshe nga Ze Maria, nuk ka luksin e kohës për të thënë: prisni për të parë Tiranën time. Prandaj dhe Mema e ka lënë të kuptuar se kësaj Tirane i duhen blerje emergjente në të gjitha repartet. Të premten Tirana do të jetë në transfertë kundër Teutës, një takim që do të luhet në “Niko Dovana” të Durrësit. Në këtë përballje Tirana do të tentojë të fitojë me patjetër, të paktën për t’i dhënë Ardian Memës fitoren e parë, por do ta ketë të vështirë, sepse Teutës i janë kthyer lojtarët e dëmtuar dhe është tani skuadër e plotë, dhe ka shanse maksimale të marrë tri pikë nga kjo përballje. Një tjetër humbje mund të sillte kaos tek Tirana, gjë që nuk do ta dëshironte askush në këtë moment./Adriatik BALLA