Prapaskenat, brenda janarit nis ngritja e Prokurorisë Speciale, ja 16 prokurorët e parë që pritet të marrin frenat e luftës ndaj korrupsionit

0
413

Viti që vjen pritet të sjellë ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Që prej 2016-ës ka pasur tentativa të shumta që SPAK të vonohet, por tani duket se askush nuk mund ta ndalë luftën ndaj korrupsionit në nivele të larta. I gjithë problemi ishte Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor. Për ngritjen e tyre u hap disa herë gara nga Kuvendi dhe organet e tjera, por më në fund u plotësuan vendet vakante. Një ditë më parë gazeta bëri të ditur se prokurori Bujar Sheshi ka kandiduar për anëtar të KLP dhe me këtë veprim të tij ngritja e këtij organi është çështje ditësh. KLGJ e KLP kanë secila nga 11 anëtarë. 5 prej tyre vijnë nga bota akademike, juristët dhe shoqëria civile dhe emrat janë zgjedhur nga Kuvendi që shumë muaj më parë. Ndërsa nga 6 emra duhet të zgjidhen nga prokuroria dhe gjyqësori. Pas vetingut shteruan kandidatët nga Apelet e rretheve në KLGJ dhe pasi u rihap gara shfaqën interes dy emra, Luan Dervishi dhe Brikena Ukperaj. Kjo e fundit e ka kaluar vetingun, ndërsa Dervishi ka hyrë në veting. Edhe nëse ky i fundit nuk e kalon, numri i emrave që e kanë kaluar vetingun është siguruar. Sa i takon KLP të gjithë kandidatët, përfshirë dhe Bujar Sheshin e kanë kaluar vetingun. Sipas ligjit, tani është Këshilli i Prokurorisë ai i cili mblidhet dhe nga të gjithë kandidatët zgjedh 6 prej tyre. Gazeta ka mësuar se Arta Marku do e thërrasë brenda nëntorit këshillin. Kjo do të thotë se në fund të këtij muaji me shumë gjasë KLP është ngritur. Ndërkohë, pritet që e njëjta gjë të ndodhë dhe me KLGJ, ku emrat do zgjidhen nga Mbledhja e Gjyqtarëve. Pra kjo do të thotë se Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion është shumë afër.

Ngritja e Prokurorisë Speciale

Sipas nenit 179 të Kushtetutës, Prokuroria e Posaçme nis punë brenda 2 muajsh nga ngritja e KLP. “Prokurorët pranë Prokurorisë së Posaçme do të emërohen brenda dy muajve nga krijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, sipas ligjit. Pas krijimit të Prokurorisë së Posaçme, Prokuroria për Krimet e Rënda do të pushojë së funksionuari. Transferimi i çështjeve në hetim dhe gjykim do të kryhet sipas ligjit”, thuhet aty. Plani i ndërkombëtarëve, por dhe i Prokurorisë së Përgjithshme, është që KLP të jetë gati në fund të nëntorit. Kjo do të thotë se deri në fund të janarit duhet të jenë zgjedhur prokurorët që do të godasin korrupsionin. Fillimisht do jenë 10 prokurorë, ndërsa më pas do shtohet stafi. Pra tani nuk e ndal dot askush Prokurorinë e Posaçme. Ndërsa sa i takon gjykatës mund të ketë pak më shumë vonesa, pasi do pritet vetingu për Luan Dervishin. Por duhet theksuar se ndërkombëtarët duan pikërisht prokurorinë, pasi është ajo që do kryejë hetimet për të korruptuarit. Derisa hetimet vijojnë, gjykata speciale do jetë gati. Por edhe nëse nuk ndodh kjo, çështjet shkojnë te Gjykata e Krimeve të Rënda dhe nuk ka asnjë problem. Pra tani përzgjedhja e prokurorëve antikorrupsion është çështje ditësh dhe deri në qershor priten arrestime.

Emrat më të favorizuar

Sipas Kushtetutës Prokuroria e Posaçme do të ketë minimalisht 10 prokurorë. Ata që duan të garojnë aty duhet që më parë të kenë kaluar vetingun, të kenë hequr dorë nga privatësia dhe të bindin familjarët që të pranojnë jenë në monitorim dhe t’u kontrollohen llogaritë bankare. Por sipas ligjit, të parët që e kanë këtë të drejtë janë anëtarët e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Sipas njoftimeve të KPK, plot 16 anëtarë të Prokurorisë së Krimeve të Rënda kanë hyrë në veting dhe pritet që brenda këtij viti të mbyllen seancat dëgjimore me ta. Ata emra që do e kalojnë vetingun kanë të drejtë të jenë pjesë e Prokurorisë së Posaçme. Pra të parët që kanë të drejtë të jenë në SPAK janë 16 emra. Disa momentalisht janë komanduar në prokurori të tjera, por ata zyrtarisht janë anëtarë të Krimeve të Rënda. Të gjitha këto tregojnë se terreni për SPAK po bëhet gati./Kliti TOPALLI

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here