Granit Xhaka dhe Taulant Xhaka nuk ishin të vetmit shqiptarë që u përballën me njëri-tjetrin në fushën e lojës në aktivitete të rëndësishme. Kishte ndodhur edhe me vëllezërit Boateng më parë ku njëri luante për Gjermaninë e tjetri për Ganën. Me vëllezërit Xhaka njëri luante për Zvicrën (Graniti), kurse tjetri për Shqipërinë (Taulanti). Përplasja e tyre në Europian fitoi shumë famë, por fatmirësisht nga duelet midis tyre nuk pati të lënduar. Një dyshe tjetër vëllazërore me origjinë shqiptare u përplasën në kampionatin zviceran me pasoja të rënda. Vëllezërit Ajeti ishin kundërshtarë në fushë e konkretisht Albian Ajeti sulmues luante me Bazelin, kurse përballë tij u vu vëllai i madh Arlind Ajeti që luan për Grasshopers këtë edicion. E habitshme, por të dy vëllezërit kanë bërë zgjedhje të ndryshme sa u takon ekipeve kombëtare. Mbrojtësi, Arlindi ka zgjedhur të përfaqësohet me Shqipërinë, kurse sulmuesi, Albiani, ka zgjedhur të luajë për Zvicrën. Dueli midis tyre të dielën në Superligën e Zvicrës mori vëmendje maksimale, por kulmi arriti nga rivaliteti që vëllai i vogël e bëri vëllanë e madh për spital. Sipas informacioneve që servirin mediat zvicerane, nga një përplasje që kanë pasur në fushë dy vëllezërit, për më tepër që kishin punë vazhdueshme bashkë sepse luanin në reparte të kundërt, ndodhi që Albiani i dëmton shpatullën Arlindit, duke e çuar këtë të fundit drejt operacionit. Madje janë mediat zvicerane që shkruajnë se mbrojtësi Arlind Ajeti i Grasshopersit ka një shkallë të lartë dëmtimi që kërkon ndërhyrje kirurgjikale dhe lojtari nuk mund të rikuperohet për këtë vit. Pra shanset që Arlind Ajeti të kthehet në Kombëtaren kuqezi mbeten për vitin 2019.
Përplasja dhe qëndrimi i vëllezërve Ajeti
“Trajneri Kristian Panuçi duhet ta harrojë Arlind Ajetin për vitin 2018”, shkruajnë mediat sportive në Tiranë dhe Prishtinë. Mbrojtësi i përfaqësueses shqiptare është dëmtuar në takimin e fundjavës në kampionatin zviceran me Grasshopers në një duel me vëllanë e tij të vogël, Albianin, i cili luan për Bazelin. Kjo ishte sfida e parë si kundërshtarë mes dy vëllezërve por pikërisht në një përplasje mes tyre, mbrojtësi i Shqipërisë shtrëngoi shpatullën me dorë. Ai doli jashtë vijave të fushës dhe u konstatua se kishte nxjerrë shpatullën, të cilën e kthyen në vend dhe ai luajti mes dhimbjeve deri në pushimin mes pjesëve. Aty u vendos që të mos sakrifikonte më dhe u zëvendësua. Pasojat e asaj përplasje me vëllanë kanë qenë të rënda, pasi dëmtimi kërkon një ndërhyrje kirurgjikale që do të kryhet sot që mbyll praktikisht vitin 2018 për lojtarin shqiptar dhe e sheh atë të kthehet në fushë vetëm në 2019-ën. “Kjo është një situatë e sikletshme. Më vjen shumë keq për vëllanë tim. Nuk është aspak e bukur të nxjerrësh shpatullën. Unë uroj që të kthehet sa më shpejt”, ishin fjalët e Albian Ajetit pas ndeshjes, kur u shfaq para medieve përkrah vëllait të tij. “Nëse futbolli do të dëshirojë, ne do të takohemi përsëri 20 herë, 2 herë aspo asnjëherë. Por kur të ndodhë, më mirë të evitojmë pak më shumë njëri-tjetrin”, deklaroi ai. Ndërsa vetë Arlind Ajeti e ka përjetuar keq këtë sfidë, jo për shkak të dëmtimit. “Deri tani kemi qenë gjithmonë bashkë. Tani të luash kundër vëllait tënd nuk është aspak e këndshme”, tha ai. Ende nuk ka të dhëna në lidhje me operacionin që do të kryejë mbrojtësi kuqezi, por fakt është se ai ka pësuar një dëmtim që kërkon ndërhyrje dhe do të mungojë për shumë kohë, ndoshta për 3 ose katër muaj. Dhe këtë traumë ia shkaktoi vëllai i tij më i vogël. Natyrisht, jo me dashje, as bëhet fjalë, por në futbollin profesionist nuk ka shkak, atje luhet në çdo sektor të fushës dhe për fitoren e skuadrës. Në këtë rast vëllezërit shqiptarë ishin në krah të kundërt, njëri me Grasshopersin e tjetri me Bazelin dhe për ironi të fatit, nga dyluftimi në fushë mbrojtësi Arlind Ajeti e pësoi pikërisht nga vëllai i tij, sulmuesi Albian Ajeti.
Adriatik BALLA