CIA: Ja si Enver Hoxha nisi të bëhej protagonist më 1944 me ndihmën e Titos, Moska e Beogradi nxitën përçarje brenda Partisë Komuniste

0
568

CIA ka dhënë detaje mbi mënyrën se si komunizmi nisi të izolohej në vendin tonë. Në një dokument ku bëhet një përmbledhje e të gjithë situatës thuhet se Enver Hoxha nisi të bëhej protagonist që gjatë regjimit italian ndërsa më pas ishin Moska dhe Beogradi që e përçanë Partinë Komuniste.

Korrik 1949

Raportohet se popullsia civile përgjatë rajoneve kufitare me Jugosllavinë po zhvendoset nga autoritetet. Zonat kufitare dhe të bregdetit të Prespës po shpallen zonë ushtarake dhe është ndaluar kultivimi i tyre. Në zonat e Mitiopolitit dhe Finiqit ka nisur ndërtimi i dy kampeve të reja me përmasa 1kmx2km. Qeveria po merr në konsideratë ndërtimin e një rruge automobilistike mes Finiqit dhe Sarandës. Refugjatët jugosllavë komunistë që kalojnë kufirin drejt Shqipërisë, raportohet se e gjejnë veten të rekrutuar në brigadat e ushtrisë të komanduara nga sovjetikët. Raportime të pakonfirmuara flasin për krijimin në zonën e Shkodrës të katër brigadave të tilla, me masë të pakonfirmuar.

Aktivitete rezistence nëntor 1949

Më 8 tetor 1949 u raportuan luftime të ashpra në Thirre mes trupave qeveritare dhe rezistencës nacionaliste. Burimet flisnin për forca të shumta të rezistencës, pasi krerët e tyre ishin mbledhur për një konferencë të thirrur në Thirre nga Ndue Pjetër Gjnmarkaj. Luftimet zgjatën dy ditë dhe u mbyllën me disfatën e forcave qeveritare. Për të forcuar kontrollin ndaj zonave në veri të Shqipërisë qeveria e Hoxhës bëri disa ndryshime në qeveritë lokale. Nënprefektura e Mirditës u transferua nga Shupali në fushën e Lumthit. Bajrakët (komunat) e Kthellës dhe Selitës u vendosën nën juridiksionin e nënprefekturës së Matit. Bajraku i Fandit u vendos në juridiksionin e Qukësit. Tashmë nënprefektura e Dibrës ka vetëm tre bajrakë: Oroshi, Kushnen dhe Dibra. Burimet raportojnë se rreth 50 anëtarë të Ballit Kombëtar që besohet se kanë hyrë në Shqipëri në mesin e tetorit, u tradhtuan te forcat qeveritare nga banorë besnikë të regjimit. Rreth 30 prej tyre u vranë dhe 20 të tjerët u kapën rob. Një brigadë refugjatësh shqiptarë të armatosur mirë dhe të stërvitur në Jugosllavi, të njohur si “Brigada e Koçi Xoxe” raportohet se janë stacionuar në kufirin shqiptar pranë liqenit të Shkodrës, duke pritur urdhër për të vepruar kundër qeverisë së Hoxhës

 

 

Tetor 1950

Gjatë muajve të korrikut e të gushtit 1950, komanda ushtarake e Shkodrës dha urdhrin që të gjitha armët gjermane, italiane, serbe greke e turke të lëshoheshin në pikën e bashkimit të lumenjve Drin e Buna. Nga to përjashtoheshin eksplozivët dhe armët automatike. Operacioni është kryer nën fshehtësinë e errësirës dhe u krye nga 12 njerëz të betuar për sekretin dhe të kërcënuar me vdekje në rast publikimi. Shënim: Arsyet për këtë nuk janë të qarta, dhe as për faktin nëse armët ishin pjesë e forcave ushtarake apo të konfiskuara nga popullata civile. Raportimi nuk sinjalizon nëse armët po “lëshoheshin në ujë” për t’u shkatërruar apo të mbrojtura me qëllim rikuperimin e tyre të mëvonshëm. Po bëjmë përpjekje nëse ka veprime të tilla ose të ngjashme në pjesë të tjera të vendit. Më 25 gusht pesë anti-komunistë u arratisën nga burgu i prefekturës së Rrëshenit. Pjetur Kodeli ia doli të arratisej ndërsa Shkurt Prenga dhe Marka Preng Vorfi u vranë. Më 18 shtator 1050 forcat qeveritare u përballën në Simon me grupe anti-komunistësh të udhëhequr nga Gjon Frok Kurbini, nga Kryesiu. Nga përplasja u vranë tre ushtarë të qeverisë dhe nacionalisti Mark Lasku nga Munegu. Në shtator 1950 u arrestuan në veri të Shqipërisë anti-komunsitët Nikoll Pjetri, Gjon Karaqi, Ndue Llesh Karaci, Zef Marka Nikolli dhe Ndoc Dod Qafa.

Ardhja e komunistëve në Shqipëri

Partia Komuniste Shqiptare u formua në vitin 1941 nga Tito dhe në fillim ajo kishte vetëm dymbëdhjetë anëtarë. Pushtimi italian i Shqipërisë favorizoi formimin e partisë. Para hyrjes së Rusisë në luftë, rëndësia e kësaj partie ishte zero. Gjatë luftës, komunistët fituan terren. Në vitin 1942, pas një manovre të shkathët të Moskës të aplikuar në të gjithë Evropën, komunistët ia dolën të krijonin “komitetin kombëtar të çlirimit”. Ashtu si dhe në vende të tjera, edhe në Shqipëri partitë e tjera u tradhtuan dhe pushteti kaloi në duart e komunistëve. Vetë Enver Hoxha hyri vonë në skenën politike. Ai e nisi karrierën gjatë pushtimit italian. Në vitin 1944 me urdhër të Titos, ai u zgjodh Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Komuniste Shqiptare, e cila asokohe kishte disa qindra anëtarë. Forcat aleate ndihmuan shumë në ardhjen e komunistëve në pushtet, pasi donin t’i përdornin ata kundër pushtuesve gjermanë dhe Italisë fashiste. Prandaj, ata ndihmuan në organizmin e komunistëve dhe disorganizimin e forcave nacionaliste. Forcat aleate, veçanërisht Anglia, u dhanë atyre materialet e nevojshme për të krijuar brigadat luftuese komuniste dhe dërguan këshilltarë ushtarakë. Po ashtu, media britanike mbështeste lëvizjen komuniste me anë të transmetimeve të përditshme në shqip. Mangësia kryesore e Aleatëve ishte mungesë dijenie ndaj komunistëve, të cilët përfituan nga ndihmat jo për të luftuar kundër gjermanëve dhe italianëve, por për të vendosur diktaturën komuniste në Shqipëri.

Situata e brendshme në Shqipëri

Sapo erdhën në fuqi, komunistët ndoqën recetën e Moskës duke aplikuar terrorin. Kjo metodë dha rezultate në të gjitha vendet sllave përveç Polonisë katolike. Ndërsa në Shqipëri ndodhi e kundërta. Që në fillim të vitit 1946, një opozitë kundra terrorit dhe metodave të Moskës nisi të marrë formë brenda Partisë Komuniste. Kjo ishte arsyeja për arrestimet dhe dënimin e ministrit të instruktimit publik, Gjergj Kokoshi, avokatin Suad Asllani dhe shumë të tjerë. Më vonë u zhvillua një gjyq ku u dënuan me vdekje 10 komunistë të tjerë. Një tjetër gjyq u hap për oficerët e lartë dhe një tjetër për inxhinierët e lartë të akuzuar për kabotazh dhe shërbim ndaj imperialistëve anglo-saksonë. Në një takim të ministrave në Tiranë, një prej ministrave vrau ministrin e Ekonomisë, Spiro Nako. Situata e komunistëve të Shqipërisë u përkeqësua pas konfliktit mes Titos e Moskës. Fakti është se Shqipëria nuk është një satelit i Moskës, por një nën-satelit. Shqipëria nuk qeverisej nga Stalini por nga Tito. Drejtimi politik, ushtarak e ekonomik ishte në duart e Titos.

Dënimi i pushtetarëve

Instruktorët e ushtrisë dhe specialistët dërgoheshin nga Jugosllavia dhe portreti i Titos dhe Stalinit ishin të detyrueshëm në çdo zyrë, dhe debati mes Stalinit dhe Titos u ndje shumë në Partinë Komuniste Shqiptare. Partia u nda në dy grupime të kundërta. Prova më e mirë për këtë ishte gjyqi i Koçi Xoxes dhe i shokëve të tij. Ne e dinim se përpara prishjes me Titon, Koçi Xoxe ishte diktatori i vendit dhe influenca e tij shkonte më tej se ajo e Enver Hoxhës. Xoxe ishte një njeri i përgjakshëm që ka pasur funksionet më të larta si ministër i Brendshëm, President i Këshillit të Ministrave, President i Gjykatës së Popullit. Ai u dënua me vdekje më 12 të këtij muaji, i akuzuar si agjent i Titos. Pas gjyqit të tij pati një valë arrestimesh dhe arratisje drejt Jugosllavisë. Në Jugosllavi ka tani rreth 2000 emigrantë nga Shqipëria, të cilët u pritën shumë mirë nga Tito. Grupe të tjerë që nuk guxuan të shkonin në Jugosllavi u larguan në zona malore. Sipas raportimeve të fundit, situata në Shqipëri është e tillë: Partia Komuniste Shqiptare si rezultat i debateve është e përçarë. Grupe të vogla partizanësh prej 15-20 vetësh janë vendosur në male. Ka terror dhe uri, asnjë nuk është i sigurt për jetën e tij. Ushtria e vendit përbëhet nga 25 mijë njerëz, por qeveria nuk ka shumë besim te trupat e saj, prandaj gjatë zhvendosjeve nga një vendndodhje në tjetrën ushtarët nuk i kanë armët e mbushura. Numri i specialistëve rusë në vend ka arritur në 1000.

Veprimet diplomatike

Mbështetja që i kemi dhënë Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë, është bërë me supozimin se Shqipëria e pavarur është e rëndësishme për interesat amerikane. Veprimet që neglizhojnë të drejtën e Shqipërisë për pavarësinë, përveç faktorëve moralë dhe vështirësisë së justifikimit para opinionit publik, do t’i jepnin një armë të fuqishme propagande qeverisë sovjetike dhe kukullave të saj në qeverinë shqiptare. Por gjithsesi mund të jetë e nevojshme pranimi i disa masave të kombeve fqinje për ndërhyrje të armatosur në rast të nisjes së luftimeve në Ballkan. Qeveria e SHBA beson se vazhdimi i përpjekjeve diplomatike dhe rrugëve të tjera duhet të kenë si qëllim një Shqipëri të pavarur dhe miqësore me Perëndimin, por në të njëjtën kohë duhet të jemi vigjilentë për ruajtjen e politikave dhe interesave amerikane në rajon dhe ruajtjen e marrëdhënieve të mira me Italinë, Greqinë e Jugosllavinë. Besohet se qëllimi i dëshiruar është kalimi nga një Shqipëri e dominuar nga sovjetikët drejt një vendi të lirë e të padominuar nga vendet fqinje, që do të ketë mbështetjen e përgjithshme të Perëndimit. Masat që do të merren në këtë drejtim duhet të koordinohen mes qeverive amerikane e britanike, dhe sipas rastit edhe të qeverive të tjera perëndimore. Por edhe mundësia e përfshirjes së Shqipërisë në një njësi më të madhe federale, duhet të mbahen në konsideratë. Një federatë e tillë duhet të jetë të paktën ballkanike dhe jo marrëveshje me Jugosllavinë apo Greqinë. Në asnjë mënyrë nuk duhet të inkurajohet një marrëveshje federale me Jugosllavinë, derisa vendi të bëhet më i pajtueshëm me idealet Perëndimore.

Pikëpamjet amerikane në lidhje me propozimet britanike

Mesa duket, qeveria britanike nuk është e gatshme, ashtu siç nuk janë të gatshëm edhe SHBA, për të marrë masa ushtarake për neutralizimin e Shqipërisë në rast të një sulmi sovjetik mbi Jugosllavinë, edhe pse kjo nuk përjashton përdorimin e mjeteve jo-konvencionale. Nëse në kohën e një sulmi të tillë Shqipëria do të përbënte rrezik dhe kërcënim për Jugosllavinë e Greqinë, Shtetet e Bashkuara pranojnë se mund të jetë e nevojshme një ndërhyrje ushtarake, ndoshta e pjesshme në Shqipëri, nga ana greke apo jugosllave, duke u siguruar për një mospërhapje të konfliktit mes fqinjëve dhe për natyrën e përkohshme të veprimit. Por Shtetet e Bashkuara nuk pranojnë veprime të tilla në kohën aktuale, prandaj kërkojnë politika të mosndërhyrjes nga grekët e Jugosllavët. Nga memorandumi britanik nuk ishte e qartë nëse qasja e këtyre të fundit ishte për të ardhmen e afërt apo për skenarin kur grekët dhe jugosllavët të kenë dërguar misione ushtarake në Shqipëri. Për të nxitur grekët dhe jugosllavët të mos ndërhyjnë në Shqipëri duhen marrë garanci mosndërhyrjeje nga të dyja palët, si dhe duhet diskutuar në linja të tjera duke ulur vlerën e argumenteve të tyre mbi efektivitetin e një ndërhyrjeje të mundshme.

Sugjerime të Shteteve të Bashkuara

Duke besuar se është e papërshtatshme të kërkojmë tani të dhëna mbi qasjen e grekëve apo jugosllavëve për një ndërhyrje të mundshme në Shqipëri, Shtetet e Bashkuara kanë një plan veprimi mbi objektivat e pranuara nga SHBA dhe Britania, për të evituar situatat që mund të bëjnë të mundshëm ndërhyrjen ushtarake të Greqisë apo Jugosllavisë. Siç u theksua më sipër, SHBA beson se vazhdimi i përpjekjeve diplomatike dhe përpjekjeve të tjera, do të jetë për një Shqipëri të lirë miqësore me Perëndimin. Vështirësia kryesore në punën drejt këtij objektivi, e veçanërisht për situatën pas eliminimit të pushtetit sovjetik në Shqipëri, mbeten qëllimet konfliktuese mes Jugosllavisë, Italisë dhe Greqisë, si dhe frika e dyshimet e tyre për njëri-tjetrin. Shumë mund të përfitohet nëse ato sigurohen se asnjë prej rivalëve nuk do të fitojë një pozitë privilegji në Shqipëri. Rrjedhimisht, ne propozojmë se në kohën e duhur SHBA dhe Britania të rrisin shanset e tyre të suksesit duke marrë nga tre vendet fqinje deklaratat përkatëse se vendet nuk kanë pretendime dhe se njohin të drejtën e Shqipërisë për pavarësi, me institucione të zgjedhura prej tyre vetë. Do të ishte e dëshirueshme që deklarata të tilla të përfshinin dorëheqje nga pretendimet përkatëse të secilit vend, edhe diçka e tillë do të ishte e vështirë të merrej nga Greqia. Me konfirmimin e zotimeve të mësipërme nga tre fqinjët dhe me mbështetjen e SHBA, Britanisë e mundësisht Francës, eliminimi i kontrollit sovjetik në Shqipëri dhe krijimi i Shqipërisë së pavarur do të kishte sukses.

Konflikti në Ballkan

Përdorimi i mjeteve jo-konvencionale për momentin është i kufizuar prej natyrës eksplozive të konfliktit dhe situatës në Ballkan, pasi një shqetësim parësor është evitimi i provokimeve që mund të prishin balancat delikate mes luftës e paqes në këtë rajon. Por gjithsesi duket se ka vend për veprime të kujdesshme nga ana e SHBA, që nuk do të prishnin balancat e pushteteve dhe që mund të vendosin struktura paraprake për veprim të mëtejshëm në kohën e duhur. Mendohet gjithashtu se mund të ndërmerret veprim i diversionit klandestin kundër lëvizjeve sovjetike në vende të tjera, siç ishte aneksimi i Burmës. Propozohet vazhdimi i aktiviteteve aktuale, me pikësynim përgatitjen e pozitës së përshtatshme për organizim dhe përgatitje si brenda dhe jashtë Shqipërisë. Me sugjerimet e mësipërme, SHBA pranon se dy hapat e parë të memorandumit britanik duhet të kryhen nëse dhe në kohën kur nisja e konfliktit në Ballkan është e pashmangshme. Në rast të ndërhyrjes së Jugosllavisë dhe Greqisë në Shqipëri, SHBA duhet gjithashtu të marrë pjesë ushtarakisht në ndërhyrje, për të siguruar dhe për të ushtruar presion të fortë kundër një konflikti mes tyre, si dhe për të siguruar që ndërhyrja të jetë e përkohshme. SHBA pranon sugjerimin britanik për komunikimin me tre fqinjët shqiptarë, duke i siguruar se asnjë fuqi e huaj nuk do të lejohej të merrte një pozitë të privilegjuar në Shqipëri pas rënies së regjimit aktual, dhe se vendet fqinje do të konsultoheshin për pushtetin e ri demokratik që do të vendoset. Në lidhje me “streset e brendshme”, britanikët duket se i referohen lëvizjeve subversive që nuk janë nxitur nga jugosllavët. SHBA beson fuqimisht se në rast të tillë, SHBA dhe Britania nuk duhet të lejojnë që Jugosllavia të përgatitet të zëvendësojë regjimin sovjetik në Shqipëri me një regjim titist. Duhet të bëhen të gjitha presionet diplomatike për të theksuar se karakteri i regjimit të ri në Shqipëri do të jetë objekt konsultimesh të ngushta mes të gjithë palëve të interesuara si SHBA, Britania, Italia, Greqia e Jugosllavia.

Synimet

Lëvizjet e sugjeruara në paragrafët e mësipërm kanë si qëllim marrjen e garancive nga Jugosllavia, Greqia e Italia, se nuk pretendojnë një pozitë superiore në Shqipëri dhe nga ana tjetër se asnjë fuqi e huaj nuk do të bëjë këtë, gjë që mund të arrihet shumë më mirë nga veprimi i përbashkët shumëpalësh dhe jo vetëm nga SHBA e Britania. Nëse NATO do të konsiderojë mbrojtjen e Jugosllavisë si një mënyrë për trajtimin e situatës, atëherë duhet të veprohet sipas sugjerimeve të saj për problemin shqiptar. SHBA mirëpret komentet e Britanisë mbi çështjen, edhe pse nuk pritet të ketë ndryshime idesh pas konsultimeve të kryera mes Departamentit të Shtetit dhe degës CJS të CIA. Mendimet konsiderohen si projekte dhe jo një plan veprim i aprovuar.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here